“Doktor Zhivago” mund të kishte bërë më shumë se bombat atomike kundër Bashkimit Sovjetik. Shërbimet sekrete amerikane që në vitet ‘50 kishin thurur një komplot ndërkombëtar për të përhapur romanin e Boris Pasternak në unionin komunist, me shpresën se ai do të shërbente për të minuar themelet e regjimit sovjetik.
Sipas disa dokumenteve të CIA -s të përfshira në librin që do të botohet së shpejti «The Zhivago Affair» (Çështja Zhivago) dhe të publikuara paraprakisht nga e përditshmja “Washington Post”, gjithçka nisi nga botuesi italian me influencë, Giangiacomo Feltrinelli dhe agjenti i tij, Sergio D’Angelo.
D’Angelo ishte i pari që kishte zbuluar autorin rus Pasternak, i cili ishte dëbuar nga Moska për shkak se me veprimtarinë e tij kishte sfiduar filozofinë sovjetike. Feltrinelli, anëtar i Partisë Komuniste në Itali, u përball me zemëratën e partisë së tij, duke botuar librin në Itali. Ishte viti 1957 dhe CIA, shumë e vëmendshme ndaj pushtetit të butë por efikas të letërsisë mbi masat, e kishte vënë re menjëherë veprën.
Një vit më vonë, John Maury, ekspert i CIA-s në fushën e inteligjencës sovjetike dhe të Evropës Lindore, i kishte dërguar një raport shefave të tij për t’iu kërkuar që të miratonin operacionin që synonte grabitjen e tekstit origjinal të librit në BRSS. “Mesazhi human i Pasternak, sipas të cilit çdo person ka të drejtë të ketë një jetë intime dhe të respektohet si qenie njerëzore, pavarësisht nga niveli i besnikërisë së tij politike dhe të kontributit për shtetin, vendos një sfidë thelbësore ndaj etikës sovjetike e cila sakrifikon individin për hir të sistemit komunist”, thuhej ndër të tjera në kërkesën e Maury-t. Shefat e tij kishin rënë dakord, duke shtuar se duhej bërë e mundur që të mbështetej kandidatura për çmimin “Nobel” ndaj shkrimtarit që kishte arritur të vinte në siklet Moskën. Propozimi mbërriti madje deri në Shtëpinë e Bardhë, e cila kishte dhënë dritën jeshile për nismën.
Dërgimi i menjëhershëm i romanit përtej kufijve nuk ishte i mundur, por mund të gjendej mënyra për t’ia dorëzuar qytetarëve sovjetikë, të cilët më pas do ta kishin çuar fshehurazi në atdhe dhe do ta qarkullonin mes miqve dhe të afërmve. Rasti i duhur u duk në Ekspozitën Universale të Brukselit, pikërisht në vitin 1958, ku ishin të ftuar rreth 16 mijë vizitorë rusë. Kështu CIA kontaktoi me shërbimet sekrete holandeze, BVD, duke i kërkuar favorin që të shtypnin sa më shpejt që të ishte e mundur disa qindra kopje të librit në gjuhën origjinale. Amerikanët i kërkuan gjithashtu ndihmë Vatikanit, i cili lejoi dorëzimin e “Doktor Zhivagos” rusëve kristianë që vizituan pavijonin e Kishës në ekspozitën e Brukselit, të quajtur “Civitas Dei”. Brenda pak orëve, kopjet e librit ishin shpërndarë dhe koshat e mbeturinave të ekspozitës qenë mbushur me kopertinat e tij: lexuesit i kishin grisur për ta bërë më të lehtë fshehjen e librave.
Operacioni kishte qenë një sukses. Kopjet klandestine të romanit të Pasternak, ishin kthyer në një mall kaq të lakmuar mes intelektualëve të rinj, saqë vetë CIA kishte marrë përsipër ribotimin e veprës për ta shpërndarë. I tërbuari në këtë rast ishte pikërisht Feltrinelli sepse ishte ai që kishte shkaktuar betejën e parë kulturore të Luftës së Ftohtë, por askush nuk i kishte paguar të drejtat./Dorina Gjuzi