Duke iu referuar ligjit dhe mungesës së një vendimi nga Gjykata e Lartë që la nën arrest shtëpie deputetin Tom Doshi dhe me arrest me burg deputetin Mark Frroku, avokatët e konsiderojnë abuzim të Prokurorisë ndalimin e ushtrimit të mandatit të tyre në parlament.
Sipas avokatëve Gjykata e Lartë është shprehur vetëm me masë shtrënguese dhe nuk ka dhënë masë ndaluese që t’i pengojë ata në ushtrimin e detyrës.
“Nëse Gjykta e Lartë do të ishte shprehur me një masë ndaluese që deputetit Mark Frroku t’i ndalohet veprimtaria në Parlament, atëherë Prokuroria e Përgjithshme ose Parlamenti do të kishte të drejtë që të mos lejonte pjesëmarrjen e tij në komisione apo në seancat plenare”, shprehet avokati i deputetit Mark Frroku, Saimir Visha.
“Sipas kësaj dispozite kjo masë ndaluese nuk mund të aplikohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Ka një konflikt mes vendimit të Gjykatës së Lartë për caktimin si masë sigurie arresti në shtëpi dhe ndalimi de facto që atij i është bërë për të ushtruar funksionin si deputet”, thotë avokati i Tom Doshit, Vladimir Meçi.
Madje avokati i Frrokut sjell në vëmendje praktikën greke.
“Janë deputetët grekë të Agimit të Artë, janë 3-4 deputetë të cilët janë në masë sigurimi arrest me burg dhe sa herë që ka seancë plenare, forcat e policisë i shoqërojnë në parlamentin grek. Kemi përpiluar kërkesën për Gjykatën Kushtetuese duke e konsideruar si antikushtetues vendimin e Prokurorisë”, deklaron avokati i Frrokut, Saimir Visha.
“Hapi kryesor që ne do të hedhim është ai para Gjykatës Kushtetuese. Është në planet tona kërkesa për një masë sigurie më të lehtë, por ende nuk kemi vendosur”, thotë avokati i Tom Doshit, Vladimir Meçi.
Nga ana tjetër brenda prillit, jo zyrtarisht thuhet se Prokuroria e Përgjithshme do të dërgojë për gjykim në Gjykatën e Lartë dosjen Doshi Frroku, pasi i dyshon ata se kanë sajuar historinë e denoncuar si komplot kundër tij nga deputeti Doshi.
Mjere ne cfare Deputetesh kemi . Si mundet qe ky shtet ka ligj qe thote ne qofte se je I implikuar ne çeshtje te ulta si prostitucioni dhe shpifje te lejoje qe ky njeri qe ka humbur besimin moral te jete ne Parlament . Si ka mundesi qe keta gjykates pa u skuqur bejne paralelizma me ata Gangsteret e Parlamentit grek qe ne fund te fundit luftojne per nje ide ( mire apo keq ) po nuk duhet bere ky krahasim . Ata Doshi dhe FROKU kane humbur moralin tek populli dhe duhet te denohen .