Prokuroria Korçës dërgoi dje për gjykim kërkesën ndaj ish-drejtorit të degës së bankës së nivelit të dytë në Bilisht, Blendi Topalli, i akuzuar për “vjedhje bankash me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Nga veprimet e tij të kundërligjshme, ka arritur të tërheqë dhe përdorë rreth 2,9 milionë euro nga llogaritë bankare të 58 personave, klientë të bankës. Gjithashtu, prokuroria ka dërguar për gjykim kërkesën edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij, Ervin Xhaçi, pronar i një pike bastesh sportive, Fioralba Andrea, Julian Kosho, Kimet Hoxha dhe Loren Ballço, të katër punonjës të së njëjtës banke, vartës të ish-drejtorit.
Nga hetimi mëse një vjeçar, është provuar se ish-drejtori Blendi Topalli, 36 vjeç, i arrestuar, në bashkëpunim me mikun e tij biznesmen Ervin Xhaçi, 33 vjeç, të dy me “arrest në burg”, kanë transferuar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash nga llogaritë e personave të ndryshëm në emër të personave të tjerë, që më pas ua merrnin. Pjesa më e madhe e shumave të vjedhura nga llogaritë e klientëve janë përdorur për vendosjen e basteve sportive, ndërsa një pjesë është përdorur për blerjen e pasurive të paluajtshme. Por për momentin, hetimet nuk provojnë se vartësit e Topallit kanë pasur dijeni për aktivitetin e paligjshëm të drejtorit, duke firmosur shkresat në mirëbesim. Fjoralba Andrea, 31 vjeçe, arkëtare, ndodhet me masë garanci pasurore, kurse tre bankierët Julian Kosho, 40 vjeç, Kimet Hoxha, 57 vjeç dhe Loren Ballço, 27 vjeç, janë me masën “arrest në burg”.
Manovrat u zbuluan gjatë vitit 2012 pas një denoncimi të bankës dhe verifikimeve financiare që u kryen bashkë me Sektorin Kundër Krimit Ekonomik në polici. Më tej prokuroria mori hetimet në dorë. Dhe gjithçka nisi pasi u zbulua blerja e një pasurie të paluajtshme nga A. Hysi, tashmë i dënuar, me dokumente false të dorëzuara në bankën ku drejtor ishte Topalli, që i mundësoi kredinë. Pas verifikimeve, prona në ankand ishte blerë nga kushërinjtë e Topallit, por sipas prokurorisë ata nuk kishin mundësi financiare. Dhe këtu u zbulua se blerësi i pasurisë së paluajtshme në të vërtetë ishte drejtori i bankës. Kjo pronë ishte blerë 1,4 milionë lekë dhe rishitur brenda dy ditëve me 3,5 milionë lekë. Por hetimet e thelluara pas 6 majit 2013 zbuluan një tjetër fakt, se drejtori kishte përdorur llogarinë e klientit N. Z., për të blerë pasurinë e paluajtshme. Vetë klienti ka dëshmuar më pas manovrat, duke thënë se nuk kishte kryer asnjë transaksion, por Topalli i kishte marrë një firmë gjoja për siguracion shëndetësor dhe se ishin kaluar gabimisht 10 mijë euro në llogarinë e tij.
Por në muajin gusht, po në llogarinë e N. Z., u zbuluan edhe 3 transaksione të tjera, për të cilat klienti s’kishte dijeni, 2,1 milionë lekë për blerje apartamenti 54 m2 në Vlorë, 3,1 milionë lekë blerje apartamenti përsëri dhe 6,3 milionë lekë për blerje toke, të treja me përfitues të ndryshëm. Klienti ka pasur 13,9 milionë lekë në bankë, por në fund i kanë mbetur vetëm 9,5 milionë lekë të reja gjendje. Dhe në dëshminë e dhënë klienti ka sqaruar se nuk ka blerë as tokë dhe as apartamente, madje nuk ka bërë transaksione. Në muajin shtator vjen zbulimi tjetër, se Topalli kishte kryer veprime me llogaritë bankare të 57 klientëve të tjerë, duke u marrë nëpërmjet mashtrimit me firmat, mbi 2,8 milionë euro, me të cilat ka kryer veprime të ndryshme dhe vendosur baste sportive.
Të akuzuarit:
Blendi Topalli, ish-drejtor
Ervin Xhaçi, biznesmen
Fioralba Andrea, arkëtare
Julian Kosho, bankier
Kimet Hoxha, arkëtar
Loren Ballço, bankier
Pershendetje.Do ju lutesha ta hiqnit kete lajm nga motori i kerkimit Google pasi jam shpallur i pafajshem nga gjykata e apelit Korce dt 13.02.2015 dhe me shkakton mjaft probleme.Faleminderit per mirkuptimin