Një interpretim për sloganin e Partisë Demokratike “Ne jemi ndryshimi, përpara!”
Nuk do i lamë klyshnit e kuq me na i marrë pushtetin! Babë Sala (Berisha) asht ma i miri, na bani me pare, me shpi e me kryeqytet. Ai asht si florini. Ai asht mbret e mbret ka me kenë mot e jetë… (Nga një bisedë në një nga kafenetë e Tiranës, 2013)
Fill pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare më 28 Nëntor 1912, disa javë më vonë dhe përgjatë vitit 1913, ndërkohë që Fuqitë e mëdha kishin vënë në tryezë hartën e Shqipërisë për ta bërë copa-copa, siç e bënë, në Shqipëri lindi e ashtuquajtura lëvizje ‘Dumbabiste’ e atyre që bërtisnin rrugëve të Shqipërisë ‘Dum Babën!’, domethënë “duam Baba Dovletin dhe Baba Sulltanin”! Pra ishin ata që vajtonin shkëputjen nga Perandoria Osmane. Përfaqësuesi më tipik i kësaj lëvizjeje ishte Haxhi Qamili. Se ç’përfaqësonte ajo lëvizje e ka thënë historia dhe e dinë të gjithë. Mjafton të kujtojmë se në vitin e mbrapshtë 1913, haxhiqamilistët e çakërdisur, duke vajtuar për shkëputjen nga Baba Dovleti, sipas I. Kadaresë te “Viti i mbrapshtë”, këndonin në ekstazë katundeve të Shqipërisë së mesme në këtë mënyrë:
Për xhenet u nisëm, sosëm në xhehnem,
Shqipëri, moj kuçkë, na bëre verem,
Thuaj sikter Evropës si denbabaden!…
Që po e sjellim në kujtesë njëqind vjet më pas këtë fakt kjo e ka një arsye.
Jemi para zgjedhjeve të 23 qershorit që janë cilësuar si shumë të rëndësishme për integrimin europian të vendit. Në të vërtetë kjo aspiratë europiane e shqiptarëve është më shumë se 100-vjeçare. Por më thekshëm kjo aspiratë u shfaq pas përmbysjes së diktaturës komuniste në vitin 1990, kur shqiptarët brohorisnin nëpër sheshe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Por pas më shumë se njëzet vjetësh, ne vërejmë se Europa vazhdon të mbetet e largët, thuajse e paarritshme. Një krahasim i thjeshtë i standardeve shqiptare me ato europiane në të gjitha aspektet e jetës dhe veprimtarisë shoqërore e politike tregon se sa larg jemi.
+++
U bënë vite e vite që ne ankohemi pse vonohet hyrja jonë në Europë…
Në veprën e tij “Unaza në kthetra”, shkrimtari Ismail Kadare sjell fabulën e një legjende me origjinë ballkanase dhe kaukaziane. Fabula me pak fjalë është kjo: Legjenda flet për një shqiponjë të zënë rob. Pas disa kohësh shqiponja i shpëton robërisë dhe kërkon të kthehet prapë te familja e saj. Mirëpo robëruesi i ka vënë shqiponjës një unazë në kthetra. Është kjo shenjë që e bën shpendin e arratisur të huaj për racën e vet. Familja nuk e pranon më shpendin e kthyer…
Cili është mesazhi i kësaj fabule? Unaza është thjesht një simbol, një përgjithësim artistik. Unaza, në të vërtetë, përfaqëson mungesat tona, veset tona, shenjat tona negative, të shkuara e të sotme, që na pengojnë në rrugën e përparimit tonë shoqëror.
Për shembull. Pse po vonohemi të hyjmë në këtë Europë që e dëshirojmë aq shumë?, thërrasin të paduruarit. Asgjë nuk na mungon e nuk duhet të na pengojë në rrugën tonë drejt Europës. Komunizmin e përmbysëm, ekonominë e tregut e kemi, demokracinë po përpiqemi ta ndërtojmë… Mirëpo, Europa, së cilës i përkasim, ka vënë disa kushte ndaj nesh, pasi na sheh se jemi ende të papërshtatshëm për të hyrë në familjen europiane. Shkurt, seç kemi një “unazë në kthetra” që na pengon të hyjmë në këtë familje. E kaluara, ah, e kaluara jonë e hidhur është “unaza” që po na pengon, – nuk do të hezitojnë të thonë disa. Mirëpo, po t’ia hidhnim tërësisht fajet së kaluarës sonë për këtë vonesë, për shembull pushtimit të gjatë osman apo sundimit gjysmëshekullor komunist, do të vetëmashtroheshim, pra do të gabonim duke mos e shprehur krejt të vërtetën. Pa shmangur të kaluarën, (ajo ka lënë gjurmë të thella, padyshim), mendoj se më shumë duhet të analizojmë të sotmen, domethënë përgjegjësitë tona, më shumë duhet të kërkojmë nga vetja sesa të ankohemi për paraardhësit. Thënë më thjesht, kjo vonesë, pra “unaza në kthetra”, duket se është më shumë përgjegjësi e jona, sesa e së kaluarës apo paraardhësve tanë. Unaza në kthetra ka të bëjë me mentalitetin tonë, me cenet tona të sotme, me botëkuptimin tonë, me pamjaftueshmërinë tonë, me konceptin tonë ende të pakonsoliduar për një shoqëri të vërtetë demokratike dhe të qytetëruar bashkëkohëse.
+++
Kush po i thotë sikter Europës?
Në fillim të viteve 1990 shqiptarët grindeshin se nga e se si do të hyjmë në Europë. Një palë thanë se rruga për në Europë shkon nga Roma, një palë tjetër këmbëngulte për Athinën, një palë e tretë ishte e prerë për Uashingtonin, një tjetër ishte për Berlinin… Por, doli një, që u vuri kryq të gjitha këtyre opsioneve e dilemave, e… ia mbajti nga Lindja, firmosi anëtarësimin në Konferencën Islamike! Dhe ky ishte ish-Presidenti i atëhershëm Sali Berisha. Që prej njëzet vjetësh ne shqiptarët jemi pjesë e asaj Konference.
Tani ankohemi pse nuk na pranon Europa! Një retrospektivë e shpejtë në ngjarjet kulmore të njëzet e ca viteve të fundit na qartëson për vonesën: nuk është Europa që na refuzon, por jemi ne që refuzojmë sistematikisht Europën dhe Amerikën së toku. Përse? Sepse duam të zhgryhemi këtu në llumin tonë primitive, shumë larg standardeve të Europës së qytetëruar.
Nuk na tha Europa dhe Amerika manipuloni zgjedhjet e vidhni votat më 1996. Ishim ne, më saktë qeveria e asaj kohe nën drejtimin e Berishës, që e bënë atë katrahurë.
As firmat piramidale të fajdeve, as trazirat e vitit 1997 nuk na i bëri Europa dhe Amerika. As grushtin e shtetit në shtator të 1998-ës, nuk na i bënë të huajtë. As manipulimin e zgjedhjeve në 2009-n dhe 2011-n. As Gërdecin e 2008-s dhe as 21 janarin e 2011-s… As korrupsionin galopant nuk e bënë qytetarët e thjeshtë e të varfër shqiptarë, as europianët natyrisht. As hapësirën detare nuk e shitëm ne… Për të gjitha këto shqiptarët e dinë shkaktarin, sikurse e dinë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Edhe pse na është refuzuar statusi kandidat për në BE përgjegjës dihet se kush është.
Është sërish e sërish Ai që i thotë sikter Europës! Sikurse i tha pak ditë më parë Komisionerit Fyle për çështjen e tre ligjeve që kërkojnë konsensusin me opozitën. S’ka consensus, tha Berisha. Referendum! Po kështu për vrasjet e 21 janarit, kur Gjykata e Tiranës nxorri të pafashëm të akuzuarit kryesorë dhe Amerika tha se ishte e tronditur nga ai vendit. Ishte vendimi I gjykatave tona të pavarura, u justifikua Kryeministri ynë. Por ndërkaq në parlament, në një moment deliri, u tha troç deputetëve të opozitës: “Do t’ua bëj si më 21 janar!”
Dhe këtë e tha pak muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit. Jo më larg se dje një raport I agjencive amerikane të zbulimit theksonte se “Në Shqipëri, institucionet qeverisëse vuajnë nga korrupsioni dhe ndikimi i tepruar politik mbi to. Në muajt që i paraprijnë zgjedhjeve parlamentare të qershorit, ekziston shqetësimi i rikthimit në konfliktin e ashpër partiak që shpërtheu pas zgjedhjeve parlamentare të 2009, kur opozita i kundërshtoi zgjedhjet dhe bojkotoi herë pas here parlamentin për gati 2 vjet”.
+++
Për zgjedhjet e 23 qershorit, PD me kryetar zotin Berisha ka zgjedhur sloganin “Ne jemi ndryshimi. Përpara!”. Kjo puna e ndryshimit është si ta marrësh. Sepse 8 vjetët që po lemë pas janë më se të mjaftueshëm për të mos e besuar atë slogan. Por, në rast se ky slogan ka kuptimin e asaj bisede në një kafene të Tiranës ditët e fundit, që kemi vënë në hyrje të shkrimit, ndryshon puna. Pasi thirrja “Përpara” në turqisht do të thotë “Yxhym!”. “Dumbabistët” presin vetëm sinjalin… Për t’i thënë sërish sikter Europës e për të kthyer mbrapsht rrotën e historisë?! Është e famshme shprehja e Haxhi Qamilit se sa të kem me vete Shijakun dhe Peqinin, nuk pjerdh për Europën!
O Xhendet po t’i erdhe vete ng afundi i dynjase o gaz. Pse te vinka keq qe edhe verioret vijne ne tirane? Ky rracizem keshtu eshte shenje e nje natyre perverse.
Haxhi Qamili : Sa të kem Shijakun dhe Peqinin , nuk pjerdh për Europën. Kët gjo e ka thon ene Sala po me fjal t’tjera. ” Për aq kohë sa do të jem faktor,s’ka çfar më bën Amerika dhe Europa”. Me t’fërtet gjajn fort me njoni qetrin. Hajt tyrqeta pri Lomit m’Baldushk.