I arrestuari nga policia për akuzën “shfrytëzim prostitucioni”, ngacmon dhe kërcënon nga qelia me telefon vajzën 31-vjeçare. Shkak dyshohet se është bërë dijenia që vajza ka për aktivitetin e 21-vjeçarit Xh. B., i cili mbahet në Paraburgimin Durrës. Burime zyrtare bënë me dije se denoncimi është bërë nga vetë 31-vjeçarja me inicialet E. K., banuese në qytetin bregdetar. Sipas dëshmisë së saj, 21-vjeçari i arrestuar, banues në Kukës, e ngacmonte shpesh në telefon, duke e marrë në celular apo dërguar mesazhe dhe shqetësuar. Bëhet me dije se Xh. B., është i ndaluar për akuzën “shfrytëzim prostitucioni” dhe do verifikohen thirrjet e kryera, bisedat dhe shkaku pse i dyshuari telefononte vajzën nga Durrësi. Paraprakisht mësohet se bëhet fjalë për kërcënime që ajo të mos tregonte për aktivitetin e tij, por dyshohet edhe përpjekja për ta rekrutuar pasi të dilte nga qelia. Për ngjarjen dosja i kaloi prokurorisë vendore me akuzën “përdorim me keqdashje i thirrjeve telefonike”.