I kërkuar prej vitesh për vrasje nga drejtësia italiane, arrestohet i dënuari Elton Balliu. Burime zyrtare nga policia e Durrësit, kanë bërë të ditur se arrestimi është bërë gjatë natës pas një operacioni të realizuar në bashkëpunim edhe me forcat speciale. “Në orën 21:30, është bërë arrestimi i përkohshëm me qëllim ekstradimi i Elton Balliu, 34 vjeç, banues në lagjen numër 18 në Durrës”, kanë bërë të ditur burimet zyrtare. Balliu akuzohet se gjatë kryerjes së një grabitjeje në Terlizzi në Itali, më datë 14 qershor 2001, ka goditur me thikë italianin Gioacchino Aprile, duke i shkaktuar vdekjen këtij të fundit.
Balliu ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në datën 25 mars 2005, është lëshuar një urdhër ndalimi nga drejtësia italiane. Në këtë urdhër njoftohet se Balliu është dënuar në mungesë me 26 vjet burg për veprat penale të “vrasjes” dhe “vjedhjes me armë”, bën të ditur policia në një njoftim për median. Pas arrestimit, dosja me materialet proceduriale të përpiluara në lidhje me këtë arrestim, i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, me qëllim procedurat e ekstradimit.
te kalbet ne burk ky ndytsire.