Më 14 nëntor është çliruar qyteti i Durrësit, i cili i ka dhënë Europës dëshmorët e parë shqiptarë të luftës kundër fashizmit më 7 prill 1939, si dhe partizanin dëshmor në moshën më të re, 15-vjeçarin Met Hasa. Durrësi është qyteti i cili u sulmua pikërisht 144 ditë para fillimit zyrtar të Luftës së Dytë Botërore, që nisi me pushtimin ushtarak të Polonisë më 1 shtator të të njëjtit vit. Me këtë datë, Shqipëria u bë objekt pushtimi nga shteti fashist i Musolinit. Sipas statistikave të ekspertëve ushtarakë të Luftës së II-të Botërore, u sulën mbi 600 avionë dhe 173 luftanije, të cilat me zjarr dhe hekur u përpoqën të nënshtrojnë popullin shqiptar. Për historinë e kësaj lufte ka shumë dokumentacione dhe kujtime veteranësh, por në këtë shkrim sjellim një faqe tjetër interesante të historisë së këtij qyteti, çlirimin pa asnjë pushkë të zbrazur të tijin, largimin në heshtje, e thuajse fshehurazi të armikut, si dhe një datë të kontestuar nga ish-shefi i luftës guerile të Durrësit, Ramazan Vogli, i cili rivendikon me këtë rast në kujtimet e tij, datën e çlirimit të qytezës së Shijakut, sipas të cilit është vendosur nga shtresat e burokratizuara të zyrave të propagandës shtetërore të shtetit komunist.
Dëbimi i qytetarëve nga gjermanët

Qyteti i Durrësit u çlirua më 14 nëntor 1944. Redaksia e Gazetës “Dita” vë në dispozicion të lexuesve të saj një material mjaft interesant, me kujtime të personit që ka hyrë i pari në qytetin e çliruar. Së bashku me të sjellim edhe një foto ekskluzive mbi takimin e partizanëve dhe festën e zhvilluar në këtë qytet, çlirimin e të cilit e ka përshëndetur ish-“Debatikasi” dhe një nga gazetarët më në zë të viteve të pas çlirimit, ish-kryeredaktori i “Zërit të Popullit” një periudhë dhe i gazetës lokale të Durrësit “Adriatiku”, Hamdi Sollaku. Këto kujtime na i sjell pas kaq vitesh, veterani Ramazan Vogli, i cili i ka lënë të shkruara kujtimet e tij nga atmosfera historike e kësaj dite. Duke u nisur si nga kujtimet e historianëve, ashtu edhe nga shënimet e ish-partizanit Vogli, mësohet se për çlirimin e qytetit nuk është zbrazur asnjë pushkë, pasi gjermanët u larguan dhe në tërheqje e sipër, hodhën në erë pjesë të infrastrukturës. Në qytet kishte vetëm disa dhjetëra punëtorë shqiptarë, që mund të hynin vetëm me leje për të punuar në fabrikën “Stamles” e në port derisa funksionoi, si dhe në ndonjë impiant tjetër me interes për prapavijën gjermane. Të gjithë banorët e tjerë ishin larguar forcërisht nga qyteti. Durrësi ka pasur një histori më vete të luftës. Si rezultat i operacionit të koduar “Shëtitje në port”, banorët e tij u evakuuan, duke u detyruar të lënë qytetin me 23 nëntor të vitit 1943, për t’u rikthyer vetëm në 14 nëntor të vitit 1944. Evakuimi ka përfshirë rreth 8 mijë persona që u detyruan të linin shtëpitë e tyre, për t’u strehuar në miq e të afërm në rrethinat e qytetit, ose në qytete të tjera. Sipas studiuesve, ky ka qenë një rast i paprecedentë në historinë e Luftës së Dytë Botërore, ku operacioni gjerman konsistonte në tre drejtime: 1) evakuimi me forcë i gjithë banorëve të qytetit; 2) minimi i qytetit, portit, vijës bregdetare, duke përfshirë plazhin e Durrësit; 3) internimi dhe dërgimi i njerëzve të Lëvizjes, kryesisht të rinj, në kampet e përqendrimit.
Kujtimet e partizanit
Në kujtimet e tij, autori përshkruan atmosferën kur po luftohej për çlirimin e Tiranës dhe kishte ditë e netë që armët e artilerisë nuk pushonin. Ishte kohë e ftohtë dhe binte shi me dëborë në vendin ku ndodhej Komanda, në fshatin Memaj, pozicionuar aty për të mbajtur nën kontroll rrugën Ndroq-Plepa, Ndroq-4 Rrugët e Shijakut. Ai shkruan se rreth orës 02:00 të natës, në vend-komandë ka shkuar një motoçikletë triçikël dhe personi që e drejtonte atë i është drejtuar banesës ku qe vendosur Këshilli Nacional-Çlirimtar i Qarkut, Komanda e Qarkut . “Njeriu që zbriti me të shpejtë nga triçikli ishte një person i yni, Hilmi Hoxha, i cili njoftoi shpejt me emocione për largimin e forcave gjermane nga Durrësi”, thotë ai në kujtime. Më pas Vogli na sjell të plotë tablonë e hyrjes së tij me një person me emrin Bedi dhe me Hilmiun në qytet. “Nisemi drejt Durrësit. Heshtje e madhe. Vetëm zhurma dhe dritat e triçiklit e prishnin qetësinë e natës. Arritëm tek Ura e Dajlanit. Shtyllat e postbllokut ishin hedhur nga e djathta, dukej që ndonjë mjet i rëndë t’i kishte hedhur ashtu gjysmë të thyera. Postë-komanda i kishte dyer e dritare të hapura, brenda asgjë nuk ishte në vendin e vet. Tavolina dhe karriget e komandantit gjerman ishin hedhur nëpër tokë në mënyrë të parregullt. Dhomat e fjetjes së ushtarëve paraqiteshin më keq, gjë që tregonte rrëmujë të provokuar nga nxitimi e nervozizmi. Duke parë gjendjen në post-komandë, nuk kishte arsye të dyshohej për të papritura në qytet… U nisëm me të shpejtë për në qytet, arritëm në hyrje dhe morëm rrugën në lindje të qytetit, që të çon tek Banka Kombëtare. Kjo rrugë nuk kishte pasur ndryshime, ishte po ajo rrugë e ngushtë e pashtruar, siç ishte në nëntorin e 1943-it”, Vogli rrëfen. Nga banka ka kaluar sipër nga vila dhe më tej në qendër të qytetit, duke ndjekur fushën e aviacionit, furra e grekut dhe te kinema “Gloria”, duke dalë në vendin ku sot është biblioteka e qytetit. “Pasi vlerësuam gjendjen konkrete, nisa për në Ndroq, Bediun me Hilmiun me porosi që forcat e Komandës së vendit të Nënprefekturës të niseshin sa më parë për në Durrës, të njoftohej Kavaja dhe Shijaku për gjendjen e krijuar dhe të hynin sa më parë në Kavajë dhe Shijak”, shton ai.
Hyrja e ushtrisë partizane në qytet
Rreth orës 04:30-05:00, forcat e Komandës së vendit të Nënprefekturës së Durrësit arritën në hyrje të qytetit. “Nga ecja e shpejtë ishin djersitur, edhe pse ishte ftohtë. Entuziazmi i tyre nuk përmbahej…Midis tyre kishte edhe durrsakë që ktheheshin pas një viti në qytetin e tyre, që kur më 30 nëntor 1943 komanda gjermane urdhëroi me forcë boshatisjen e qytetit. Pasditen e 14 nëntorit, rreth orës 16:00, hynë në Durrës edhe forcat e Brigadës së XII-të Sulmuese”, kujton më tej ish-partizani.
Robërit gjermanë
Më 15 nëntor në mëngjes, 2 partizanë të Komandës panë në dritaren e prapme të godinës ku sot është Biblioteka qytetit, dy ushtarë gjermanë. “U dorëzuan menjëherë me gjithë armatimin që dispononin. Nga këta 2 djem rreth të 30-tave të mërzitur nga lufta, xhenier, (minator), mësuam se qyteti ishte i minuar. Në fabrika kishin vendosur mina, plasja e tyre do të bëhej menjëherë me ndezjen e motorëve dhe makinerive të tjera, në ndërtesa me kate, në kanalet e qytetit. Këta gjermanë u treguan shumë të dashur dhe të sjellshëm me ne. Na afruan ndihmën e tyre dhe punuan me ndërgjegje për çmontimin e minave, ndihmuan në heqjen e tyre në plazhin e Durrësit, derisa dhanë dhe jetën e tyre gjatë demontimit”, rrëfen Vogli.
Festimet për çlirimin
Më 15 nëntor, rreth orës 16:00, nga ballkoni i Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës, në prani të popullatës së kthyer, u organizua një miting. “I pari e mori fjalën një partizan i Brigadës së XII-të Sulmuese. Nga ana jonë foli i riu Hamdi Sollaku. Mitingu u brohorit nga pjesëmarrësit dhe më tej u manifestua nëpër rrugët e qytetit deri në orët e vona”, thotë Ramazani.
Polemikat e Ramazan Voglit për datën e çlirimit të Shijakut
Ish-partizani Ramazan Vogli i ka shkruar kujtimet në vitin 1989, me rastin e 45-vjetorit të Çlirimit. Një kapitull më vete të shënimeve të tij përbëjnë polemikat që ka bërë me disa studiues për datën e çlirimit të Durrësit, Kavajës dhe Shijakut dhe se kush e çliroi Durrësin. Në përfundimin e memorialeve rreth luftës të shkruara me një shkrim me stilograf, mjaft të qartë dhe të kujdesshëm, Vogli ka lënë edhe një shënim.
“Shënim: Me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të qytetit të Durrësit, mu kërkua një shkrim. Shkrimin e bëra, e dërgova tek personi kërkuar dhe ky ia kaloi titullarit të tij dhe ky i fundit historianit që nuk e dinte si u çlirua qyteti. Historiani e mbajti pa e dërguar për botim dhe për 8 muaj mora vesh se nuk i kishte pëlqyer për faktin se qyteti (që u çlirua pa luftë) na qenka çliruar nga Brigada e XI-të dhe e XII-të Sulmuese dhe jo nga Komanda e Qarkut. Në fakt, as ne që u futëm të parët dhe as Brigadat e XI-të dhe e XII-të Sulmuese nuk zbrazën ndonjë fishek mbi trupat e armiqve. Flitet që historia është kokë-fortë, ashtu duhet të jetë, por ja që historinë e bëjnë njerëzit me vendime subjektive. Psh., Kavaja, Durrësi e Shijaku u çliruan më 14 nëntor 1944, ndërsa kjo datë i mbeti Durrësit dhe Kavajës, ndërsa Shijaku, 10 km larg Durrësit, na qenka çliruar më 16 nëntor, kur forcat e Rrogozhinës, Kavajës, Durrësit, u larguan përfundimisht nga Durrësi rreth orës 01:00 në të gdhirë të 14 nëntorit për t’i shpëtuar zënies së rrugës së Shkodrës. Lind pyetja se me çfarë u larguan forcat gjermane nga Shijaku për në Shkodër, kur në Vorë ishin forcat e Brigadës së XV-të Sulmuese?! Kështu që gabimisht i mbeti dita e çlirimit Shijakut, ashtu si dhe çlirimi i Durrësit nga Brigada e XI-të dhe XII-të Sulmuese”, shkruhet në këtë shënim.
☭☆LAVDI PARTIZANVE ☭☆
L.P.P.SH- V .F.L.P LAVDI ATYRE QE DHANE JETEN PER CLIRIMIN E SHQIPERISE
bravo trimave shqiptare <3