Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pritet të mblidhet këtë javë për të shqyrtuar dy kërkesa të deputetit Mark Frroku, pas deklaratave për skadimin e afatit të bëra nga avokatët mbrojtës dhe kritikave ndaj kësaj gjykate.
Frroku ndodhet i arrestuar për një vrasje në Belgjikë në vitin 1999 dhe kërkesat lidhen me këtë çështje. Deputeti kërkon që të lihet i lirë kundrejt një garancie pasurore prej 10 mijë euro dhe njëherazi të lejohet për të udhëtuar jashtë vendit, për të marrë pjesë në 19 tetor, në seancën ndaj tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel.
Sipas avokatit Saimir Visha, këto kërkesa do të shqyrtohen në seancën e datës 21 gusht, ora 10:00, nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me kryesues Artan Brocin. Prokuroria e Përgjithshme ka tërhequr dosjen nga Belgjika për rigjykim në Shqipëri, veprim që është kundërshtuar nga avokatët e deputetit. Gjykata e Kasacionit në Belgjikë vendosi rigjykimin e deputetit në janar 2010 pasi më herët ishte dënuar me 10 vite burgim.
Në fund u vendos që rigjykimi të niste në tetor 2015, por ndërkohë për Frrokun kishte urdhër-arresti ndërkombëtar nga Interpoli dhe u arrestua në prill të këtij viti. Frroku hetohet edhe për çështjen “Doshi” dhe fshehje të pasurisë 2,9 milionë dollarë.