Në selinë e përgjithshme të opozitës dje dëgjoheshin thirrjet: “Presidenti na mashtroi”, ndërkohë që manifestuesit në të gjithë Kievin përlesheshin me policinë. Mes atyre protestuesve ishte edhe vajza bukuroshe e lideres së opozitës. Më poshtë një intervistë e Evgjenia Timoshenkos
Sy të trishtë, pamje të lodhur, por ka edhe një buzëqeshje te vogël thuajse te paperceptueshme ne fytyre: “E shihni sa njerëz ka në shesh? Ndoshta një mrekulli është ende e mundur. Edhe mamaja shpreson për këtë. Ajo është në burg, por në këto momente është si të jetë presidentja e vërtetë e Ukrainës”. Evgjenia Timoshenko është 33 vjeçe, por lëviz si një vogëlushe e lënë rastësisht në zyrën e së ëmës. Sekretaret dhe militantët e konsiderojnë si padronen e vërtetë të shtëpisë , në pallatin “Turovska 13”, vendi nga ku mbretëroi Julia Timoshenko, ish-oligarkja dhe pastaj simboli Revolucionit portokalli në vitin 2004.
E pamundur t’i flasësh Evgjenisë për politikën pa lënduar ndjeshmërinë e saj prej bije: “Mamaja ka bërë gjithçka për të na çuar në Evropë. Arriti deri aty sa të na ofronte qëndrimin e saj në burg përjetë nëse kjo do të shërbente. Çfarë tjetër mund të bëjë?”.
Besoni vërtet se presidenti Janukoviç mund të kthehet prapa dhe të vendosë për aderimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian?
Nëse do të arsyetonte duke parë të ardhmen, mund ta bënte, por ai zgjodhi stanjacionin për të shpëtuar interesat e tij. Të mos kesh guxim të zgjedhësh kur je në krye të një shteti, sigurisht që e çon atë drejt shkatërrimit.
Ndërkaq, televizioni shtetëror fsheh përmasat reale të manifestimeve, ndërsa pushteti nuk duket shumë i trembur…
Njerëzit në shesh ishin aq të shumtë dhe bërtisnin kundër Janukoviçit e bandës së tij. Ndoshta në të ardhmen mund të arrihet në një zgjidhje ndaj këtij njeriu që tradhtoi vendin e tij.
Deri te tradhtia arriti?
Kishte premtuar integrimin në BE, i iluzionoi të gjithë dhe pastaj nuk e bëri. Nuk është një tradhti?
Duket se presionet nga ana e presidentit rus Putin kanë qenë vendimtare.
Rusia ka reaguar ashpër, por duhet menduar për interesat e Ukrainës dhe jo për ato të Putinit.
Objektivisht, Ukraina është një vend binjak i Rusisë, për nga kultura, traditat, tregtia. A është kaq e natyrshme të prishesh me Moskën?
Populli ynë do të mbetet gjithmonë mik i atij rus. Edhe në traktativat që vazhdojnë prej vitesh me BE-në, është përsëritur se ne si pjese e saj do të ishim ndjerë si një lloj porte evropiane ndaj Rusisë. Por duhet të mendojmë për interesat kombëtare që nuk i takojnë vetëm ekonomisë, por edhe gjërave të tjera madje më të rëndësishme. Si të drejtat e njeriut. Rusia aktuale nuk më duket pikërisht modeli i duhur.
Jeni e sigurt që Bashkimi Evropian ka bërë gjithçka të mundur për t’iu mbajtur mbas vetes?
Mendoj se po. Që nga viti 2008 kanë vendosur se çfarë ndihmash të na ofrojnë. Por duhet të bënin llogaritë me një situatë brutale. Nuk është e thjeshtë të merresh me një vend që ka lideren më të madhe të opozitës në burg dhe ku parlamenti refuzon të ekzaminojë një ligj humanitar për ta nxjerrë jashtë tij.
Një ligj që do ta autorizonte të transferohej jashtë shtetit edhe në situatën e saj prej të burgosure. Një kompromis për të shpëtuar fytyrën dhe për të kënaqur Evropën?
Ishte një ligj i nevojshëm. Ka më shumë se një vit që mamaja ime nuk mbahet dot në këmbë. Spitali i Kharkievit ku është e shtruar nën mbikëqyrje nuk është në gjendje ta kurojë. Duhet një ndërhyrje që është e praktikueshme vetëm në Gjermani. Lajmi për anulimin e akordit me BE-në ishte për të një goditje e tmerrshme. Kishte filluar të ëndërronte lirinë apo se më në fund do të kurohej. Por reziston dhe është gati të sakrifikohet deri në fund.
Në 2015-n do të jenë presidencialet. Ju jeni trashëgimtarja në të gjitha kuptimet e mamasë suaj. Keni menduar ndonjëherë të kandidoni?
Nuk flasim fare për kete. Nuk jam politikane. Jam vetëm zëdhënësja e mamsë sime dhe do të vazhdoj të bëj gjithçka që bota të mos e braktisë ate./D.Gjuzi