I nderuar z.Thano
Jam një qytetar, si shumë të tjerë, që nuk kam zënë asnjë pronë të dikujt tjetër, veçse më kanë zënë. Zotëroj një pjesë të oborrit dhe shtëpinë që e ka blerë babai që nga viti 1959 dhe nuk më jepet për të tërën certifikata e pronësisë, por që mund ta marrë përpara meje ai që më ka zaptuar pjesën tjetër me anë të ALUIZNI-t, se ka ndërtuar pa leje dhe merr për oborr pjesën time.
E shikoni që e kam fajin unë…? Meqë ishte aq e vjetër shtëpia dhe një pjesë me konstruksion qerpiçi, duhet të riparohej. Që në vitin 2012 aplikova në administratën lokale, minibashki dhe bashkinë qendrore, sepse vetëm ajo mund të jepte leje. Përveç refuzimit, më njoftuan një çmim nëse doja të bëja punime. Ky çmim ishte sa gjysma e investimit tim dhe shkonte për shefat nën dorë. Unë nuk e pranova. Jam fajtor…
Në vitin 2015 bëj kërkesë pranë minibashkisë dhe marr një leje për riparim, pasi kisha kryer disa punime që në vitin 2013 dhe i kisha deklaruar tek ALUIZNI këto. Nuk po kryeja punime, por dikush u kujtua dhe vjen operativi i zonës, të cilit i tregoj lejen e lëshuar. Më përgjigjet se është e vjetër dhe nuk vlen dhe me zell lajmëron sektorin e krimit të cilët vërtetojnë ato që po them unë. Pra jam unë me faj…
Kam katër vjet që të tre fëmijët e mi adoleshentë po rriten pa të drejtën themelore kushtetuese, atë të strehimit, dhe ata kanë të drejtë të më thonë: Baba, e ke ti fajin…!
Më larguan nga puna se u duhej vendi për të kënaqur militantët ose të afërmit që vinin nga zona të tjera në kryeqytet megjithëse kisha mbi 10 vjet në atë punë dhe nuk kisha të ardhura të tjera për familjen. Jam i paaftë…!
I japim votën partisë tek e cila besojmë se do të na përmirësojë jetesën dhe që për njëmijë e një arsye ja besojmë premtimet dhe që shpresojmë se nuk do të na gënjejë si ata që shkuan, por na delegojnë si përfaqësues individë që nuk kanë as më të voglën ndjenjë përgjegjshmërie përveç pasurimit të tyre.
Nuk marr vesh nga politika… Kur merret pushteti, në vend që të zbatohen ato që janë premtuar, ai na ndahet si një tortë në pjesë për të kënaqur interesaxhinj të partive të ndryshme që kalojnë nga ajo anë ku përfitojnë më shumë. S’ka gjë, se s’kanë njerëz të aftë për të drejtuar, u jepen ministri e drejtori për të punësuar e për të përfituar për veten dhe për partinë e tyre. Nuk arrij ta kuptoj që është politikë e kohës. Kur shkoj në një zyrë shërbimesh për të marrë një shërbim, gjen një punonjës/e me luk modern dhe me të folurën ku dominon kolori dialektor i/e bezdisur nga prania dhe kërkesa jote, nga që miku që e ka futur në atë punë nuk i ka thënë që rroga e tyre vjen nga taksat që paguajmë ne për të na kryer shërbimet, por është merita e tij dhe e partisë së tij që i ka gjetur atë vend pune ndaj duhet të tregojë vetëm për ata respekt, sa për të tjerët…
Përditë e më vështirë të kuptosh ndonjë gjë. Me taksat e mia, pra me fonde publike ndërtohen rrugë nën parametra dhe pa sinjalistikën e duhur, karburant me cilësinë dhe çmimin në majat e ekstremeve të kundërt, me kontrollin, pjesët, si dhe taksat e majme, më shtojnë dhe koncesionin që i paguaj unë shpeshherë edhe me jetë.
Me çmimet e ushqimeve, mallrave dhe shërbimeve të mangëta si në vendet e zhvilluara të BE dhe rrogat të cilat nuk e përballojnë minimumin jetik të cilin të gjitha qeveritë nuk e deklarojnë për të mos prishur iluzionin e jetës plot begati që na ofrojnë, ne përpiqemi të mbijetojmë, madje na gënjen mendja se jemi njësoj si çdo qytetar i BE-së.
Janë shumë dhe nuk kuptoj se si përmirësoj jetën me gjithë këto kosto. Duke parë gjithë këto që më rrethojnë sa herë që hap sytë në fillim të ditës, ndjehem fajtor dhe nuk e ndaj dot pjesën time të fajit, prandaj po e marr të gjithin mbi vete që të ndihem i qetë shpirtërisht.
E shikoni se sa faj kemi…?
Me respekt, Gjergji Xheka.
Ato fletushkat qe ndan Rama me Artan Lamen jane frut i padrejtesive si kjo i nderuar zoteri por ketu ka njerez qe i duartokasin per sukseset keta monstra qe legjitimojne hajduterine.
Respekt per kete qytetar,i rralle ne moçallin shqiptare qe nuk perdhunon shtetin e tij!
Nje shkrim perfekt dhe i sakte! Episode te tilla kam patur dhe vazhdoj ende te kem dhe une me OSHEE! Jane te punesuar njerez qe nuk i a kane idene punes, dhe pergjigja qe merr eshte: Ngritje supesh dhe rrudhje buzesh! Pse, keshtu zgjidhen problemet e krijuara nga vete administrata e shtetit? Po te krijohej mundesia, do votoja qe kete vend ta kthenim ne nje koloni te Gjermanise, apo te ndonje shteti tjeter te fuqishem! Me shqiptare ky vend ka mbaruar me kohe! Kesaj thenie nuk i heq asnje pike!
Kjo qe thua ti i dashur perkthyes me kujtoi disa kongoleze qe kerkonin qe Belgjika te kthehej prape si kolonizatore ne vendin e tyre, se ata vete nuk ishin te zote per te krijuar shtet. Ishim me mire kur ishim koloni nen Belgjiken, – thonin ata. Kishte me shume rregull, perparim, higjiene etj etj.