Në një konferencë shtypi në korrik të vitit 2000, Berisha në atë kohë në opozitë deklaron: “Një gjë është e sigurt, qeveria Meta 2 do të jetë më kusare, më e korruptuar, më antipopullore se qeveria Meta 1 dhe këtë nuk e them për politikë, jo. Këtë e bazoj në faktin që me këto ndryshime Ilir Meta, shtie në dorë të gjitha tenderët e mëdha të vendit. Ndiqni pak përpjekjet djallëzore të këtij kryekusari që nuk njeh as ligj dhe as moral për t’u pasuruar me shpejtësi, sesi vepron me ministritë e tenderëve”. Kështu ka thënë Berisha.
Sot Meta është aty ku është si provë që për Berishën e keqja është e keqe vetëm kur nuk i shërben pushtetit të tij. Por nëse i shërben, e keqja është e mirë. Faktet janë përsëri pambarim sikundër është i tillë imoraliteti politik i Berishës. Kur në fillim të vitit 2005 Berishës i duhej një e shtyrë për t’u rikthyer në pushtet ai thirri pranë vetës Arben Imamin, Preç Zogajn, Gramoz Pashkon apo Genc Rulin, të cilët i kish anatemuar kohë më parë. Gjë që nuk i shpëtoi syrit të qeverisë socialiste dhe gazeta e partisë në pushtet publikoi ato ditë pjesë nga numra të vjetër të gazetës RD ku këta persona sulmoheshin si spiunë të sigurimit, si ekonomistë të dështuar, kontrabandistë apo gjeneralë të revolucionit me kallash. Akuzat që PD dhe ai vetë kishin lëshuar kundër Imamit si nxitës i revoltave të dhunshme në Jug të Shqipërisë nuk e penguan Berishën t’i japë Imamit postin e ministrit të Mbrojtjes. Vite më parë, në një numër të saj gazeta RD botonte kërkesën e drejtuar Kuvendit Popullor për heqjen e imunitetit të deputetit Genc Ruli për shkak se kish lejuar eksportimin e 409 metër kub trupa are duke konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Në një numër tjetër të RD, pas zgjedhjeve të vitit 1997 shkruhet: “Rreth 3 mijë votat që Ruli, Vrioni dhe Shehi dhe të tjerët arritën të marrin në këto votime…është treguesi më kuptimplotë për alergjinë që ka shkaktuar tek elektorati abuzimi i dukshëm i tyre më pushtetin… Partia Demokratike duhet të flakë pa asnjë mëshirë të gjithë individët që u korruptuan apo abuzuan me detyrën kur kishin poste vitet e qeverisjes së saj”. Ti flakë?! Një fjalë goje. Berisha nuk flak askënd që i bëhet këpucë dhe i shërben në luftën e ulët, të poshtër për pushtet. Pas 8 vitesh opozitë ai u rikthye përsëri tek i korruptuari Genc Ruli. Atë që dje u akuzua për korrupsion me drurin e arrës e ka caktuar ministër që të merret me strategjinë e tij të arrorëve. Por edhe të hajë ca nga arrat e korrupsionit të qeverisë “Berisha”. A s’është kjo tallje me një publik pa kujtesë?
Faktet e renegatizmit të Berishës janë pafund në ato që ka thënë dhe shkruar Berisha. Jo vetëm për disa nga ata që sot janë ministra, por edhe për këshilltarë apo edhe heronj të PD si Azem Hajdari. Askush nuk i ka shpëtuar shantazhit të Berishës sapo ka tentuar të mos i shërbejë më. Dhe askush, edhe pse i zhytur në korrupsion e trafiqe, nuk ka mbetur pa u shpërblyer nëse ka pranuar të shërbejë. Një imoralitet, por edhe omnipotencë diktatorësh që s’ndalet para asgjëje, por edhe nuk pengohet nga asgjë.
Email nga adresa: [email protected]