Diego Torres është i pandehur bashkë me dukën e Palmës, Inaki Urdangarin, në çështjen korrupsionit në fondacionin sportiv “Noos”. Për t’u mbrojtur nga akuzat, Torres ka sfiduar familjen mbretërore spanjolle, duke zbuluar disa nga e-mailet private të saj, me pretendimin e përfshirjes së saj në aktivitetin e fondacionit
Jeton në një vilë ëndrrash në Barcelonë që i ka kushtuar më shumë se 2 milionë dollarë, por ajo është shndërruar në një bunker për ekspertin e marketingut, Diego Torres, i cili akuzohet për përvetësim të paligjshëm të fondeve publike. Rasti ka të bëjë me hetimin e quajtur “Noos”, ku është vënë nën hetim edhe dhëndri i mbretit të Spanjës. Fjala është për ish-kampionin e hendbollit, Inaki Urdangarin, i cili u martua me princeshën Kristina në vitin 1997. Urdangarin dhe Torres dikur ortakë në një institut sportiv, tani janë të akuzuar për të njëjtën vepër penale.
Vlera totale e shumës së përfituar konsiderohet në 6 milionë euro. Pretendohet se paratë janë përdorur për sponsorizmin e eventeve sportive nëpërmjet institutit “Noos”, ku Urdangarin ishte president. Në qendër të hetimeve është eventi “Valencia summit”, i realizuar midis viteve 2004 dhe 2006 dhe që kushtoi 15 milionë euro. Diego Torres paraqiti në gjyq disa e-maile që vërtetojnë mbështetjen e mbretit për sponsorizimin e projekteve të këtij fondacioni sportiv. Torres ka deklaruar se princesha Kristina ishte gjithashtu e përfshirë në aktivitetin e të shoqit. E megjithatë në fund të shkurtit, prokurori i çështjes kishte deklaruar mospërfshirjen e familjes mbretërore në hetim.
Tani ai i druhet pasojave të mundshme. Avokati i tij ka lajmëruar autoritetet, duke denoncuar disa tentativa për hyrje të paligjshme në zyrën e tij dhe “vizita nga njerëz që mund të jenë të lidhur me shërbimet sekrete spanjolle CNI”. Këto akuza i janë shtuar dosjes që Torres i cilëson si një “fushatë e pandërprerë kërcënimesh” kundër tij që kur ka bërë publike një pjesë të e-maileve midis anëtarëve të familjes mbretërore. Nga ana e saj, kjo e fundit ka mohuar çdo përfshirje, ashtu si dhe funksionarët e sigurisë spanjolle.
Për t’u mbrojtur nga akuzat, ai kishte arritur të merrte nga hard disku i kompjuterit të fondacionit më shumë se 200 e-maile, me protagonist dukën e Palmës dhe disa prej tyre i përkasin edhe familjes mbretërore. Pjesa më e madhe e e-maileve janë jodomethënëse për hetimin, si ato në të cilat zbulohet se Urdangarin ishte në kërkim të një pune. Por për Torresin, ato përbëjnë provën e pastër të lidhjes së ngushtë midis fondacionit dhe familjes mbretërore, ndërsa Urdangarin ka dëshmuar se anëtarët e familjes mbretërore nuk kishin asnjë lidhje me fondacionin e tij dhe gjithashtu kishte mohuar përgjegjësinë e së shoqes Kristina, në këshillin administrativ të institutit. Megjithatë, një nga e-mailet dëshmon se si sekretari personal i princeshës, Karlos Garsia Revenga, kishte tuteluar bashkëshortin e saj në kontratat private me kompanitë fitimprurëse.
Mbreti Huan Karlos nuk është akuzuar për ndonjë vepër dhe sipas kushtetutës së vendit iberik, ai është imun ndaj procedimeve penale, por rreziku mbetet i lartë për princeshën Kristinë. Ndërkohë, çështja ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare mbi një familje mbretërore që për dhjetëvjeçarë është konsideruar si një ndër shtyllat më të qëndrueshme të Spanjës dhe garante e demokracisë së saj. Por, kohët e fundit besimi ndaj saj është kthyer në dyshim, aq sa partia socialiste katalanase ka kërkuar abdikimin e mbretit 75-vjeçar.
Diego Torres, i cili akuzohet për “shantazh ndaj familjes mbretërore”, është shprehur se avokati i dukës Urdangarin i kishte propozuar që të merrte përsipër “fajësinë” e skandalit, përkundrejt një shpërblimi të konsiderueshëm monetar dhe një pune në Amerikën e Jugut. Marrëveshje të cilën ai thotë se e ka refuzuar.
Përgatiti: Dorina Gjuzi