Nga taksat te droga, nga fusha e lojës në problemet e pafundme jashtë saj. Këto janë vetëm disa nga temat kryesore ku do të bazohet libri i Diego Armando Maradonës. Bota e tij është ndalur shpesh herë mes dramës personale të drogës dhe 40 milionë eurove të papaguara në llogari të shtetit italian, detajet e të cilave do t’i sqarojë shumë shpejt. “Beteja ime me organet fiskale po zgjat që prej 25 vjetësh, por shumë shpejt të gjithë do të mësojnë të vërtetën. Bashkë me avokatin tim dhe një gazetar po shkruaj një libër me titullin “Maradona, një e vërtetë e vetme. Njeriu i dashur nga njerëzit dhe i përndjekur nga të fortët”. Në intervistën dhënë nga shtëpia e tij në Dubai, “El pibe de oro” shton se shpreson që shumë shpejt të rikthehet në Itali si një njeri i lirë. “E përsëris që nuk kam bërë asnjëherë padrejtësi. Gjatë periudhës që akuzohem se kam falsifikuar disa akte zyrtare, unë isha duke u kuruar në Kubë. Me kalimin e kohës, ai akt i cili nuk m’u dorëzua asnjëherë, grumbulloi interesa me vlerën 6 miliardë lireta”. Në fund, edhe një koment për problemet me drogën. “Ishte një monstër që po më shkatërronte jetën. Nuk kam pasur asnjëherë frikë për ta luftuar, sepse e dija që mund të lija jetime dy vajzat e mija. Në fund ia dola mbanë, fitova ndeshjen më të vështirë të jetës sime dhe tani mund të shijoj i qetë ditët me nipin tim, Benjamin. Maradona dhe droga nuk takohen më me njëri-tjetrin që prej 10 vjetësh. Fitova unë, sepse e dua jetën”.