Prokuroria e Tiranës ka përfunduar dje hetimin dhe dërgoi për gjykim kërkesën ndaj Rakip Koldashit, i akuzuar për “vrasje me paramendim” në dëm të Besim Tafhasit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999, në fshatin Sindos të Selanikut, në Greqi. Nga hetimi është provuar se ndërmjet dy shqiptarëve emigrantë, ka pasur një konflikt, i cili është pasuar me goditjen vdekjeprurëse me thikë të Koldashit. Hetimi nuk ka qenë i lehtë për organin e akuzës, pasi ka ndodhur jashtë kufijve dhe 15 vite më parë. Gjithsesi në disa muaj investigimi intensiv me metoda speciale, është faktuar se Koldashi ka vepruar me dashje dhe me paramendim kundër viktimës Tafhasi. Gjatë hetimit, autori e pranon se ka kryer veprën, por pretendon se e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Por, sipas organit të akuzës, kjo alibi nuk qëndron, nisur nga analiza e plotë e fakteve.
Burime zyrtare nga prokuroria thanë se dosja është rihapur nga Krimet e Rënda të Policisë së Tiranës dhe më 1 korrik 2013 ia kanë përcjellë organit të akuzës dosjen në ngarkim të Rakip Koldashit, 42 vjeç, nën masën “arrest në burg”, për “vrasje me paramendim” të Besim Tafhasanit, e ndodhur më 29 janar 1999 në Greqi. Viktima në atë kohë vetëm 19 vjeç, ishte prej pak kohësh emigrant në fshatin Sindos të Selanikut, me emigrant kryesisht nga Dibra dhe Kukësi. Në fund të janarit, Besimi dhe disa bashkëfshatarë të tij kanë qenë në banesën e emigrantit D. Q., për të festuar fejesën e këtij të fundit. Gjatë konsumimit të alkoolit, i pandehuri Rakip Koldashi, i ka kërkuar Besimit të pijë sa të tjerët, gjë e cila është kundërshtuar qetësisht nga viktima, i cili i ka thënë “kaq i kam mundësitë”. Por Koldashi në këtë moment e ka qëlluar me shishe birre, por pa e lënduar. Tafhasani nuk ka reaguar dhe i është përgjigjur “faleminderit!”. Më tej ka pasur një tjetër grindje, por që shokët e kanë shuar.
Të nesërmen, grupi është mbledhur përsëri te stalla e pronarit grek I. Kosta, ku pjesë ishin Koldashi e Tafhasani, që i janë shmangur bisedave me njëri-tjetrin. Besimi ka dalë për të blerë një paketë cigare në këmbë tek dyqani që ndodhej rreth 300 metra larg stallës dhe pas tij është larguar edhe Koldashi me motor. Ata që ishin në stallë, dëgjuan zhurma pak momente më pas dhe dolën të shihnin, ku dalluan Besimin e Rakipin duke u përleshur. Më tej, Rakipi me thikë në dorë është larguar me shpejtësi me motor në drejtim të paditur. Megjithë lajmërimin e ambulancës, adoleshenti nuk ka mbijetuar dot. Pas shumë vitesh dosja është rihapur dhe pala greke me letër-porosi ka dërguar dosjen që kishte për ngjarjen, akteve të ekspertimit teknik, mjeko-ligjor dhe toksikologjik, si dhe deklarimet e dëshmitarëve. Viktima ishte qëlluar në qafë, duke i prerë arterien dhe në mushkëri, hemorragji e jashtme dhe e brendshme.