Nuk ka vend në botë që të mos përdoren fritet e patateve. Por askush nga shija dhe kënaqësia që përjeton në momentin që ha, nuk mendon se si ka lindur ideja e gatimit të tyre, kush i ka shpikur ato, kur janë përdorur për herë të parë si të tilla, sa lloj fritesh ekzistojnë, pse fillimisht ato patën formën e peshqve, si lindën legjendat mbi fritet dhe në fund të fundit, kush u vuri emrin. Pakkush e di që për fritet janë krijuar me dhjetëra fjalë të urta, janë shkruar shumë libra, madje që, e1kziston edhe një muze në Belgjikë.
Prof.as. dr. Eqrem Meçollari, njohës i mirë i disa fushave shkencore, madje edhe të artit të kuzhinës, ka një njohje të gjerë edhe për temën që po diskutojmë sot. Shkurtimisht po i përshkruajmë më poshtë ato që na thotë ai.
Autorësia? Shumë pretendentë, por asnjë bindës
Të dhënat historike nuk e qartësojnë realisht se kush i ka shpikur fritet e patates. Kështu shumë vende pretendojnë autorësinë e tyre. Sipas një historiani belgjian, Jo Gerard (1919-2006), në një artikull të botuar në vitin 1985, gjurmët e hershme mbi atë që shpiku fritet e patates mund të gjenden gjatë viteve 1680. Më 1781, banorët e Namur në Belgjikë, kishin zakon të peshkonin në lumin Meuse dhe t’i skuqnin peshqit për të përmirësuar sado pak ushqimin e zakonshëm të tyre, sidomos njerëzit e varfër. Por gjatë ditëve shumë të ftohta, kur peshkimi bëhej i vështirë, banorët prisnin tuberat e patates në formë peshqish të vegjël dhe i skuqnin ato në vaj. Kështu lindën fritet!
Franca është gjithashtu një tjetër vend që pretendon të jetë krijuesi origjinal i friteve të patates. Këtu patateve të skuqura i thonë “Patate frite” ose thjesht “Frite”. Asnjeri nuk mund të thotë nëse francezët janë shpikësit e këtij gatimi, por ka një libër kuzhine të veçantë që është publikuar në vitin 1755 që jep receta të ndryshme, njëra prej të cilave mund të jetë për patatet e skuqura. Ky libër është “Drekat e Oborrit” e Menonit.
Disa thonë se Spanjollët janë njëri nga ata që janë shpikësit e këtyre patateve të skuqura.
Të dhënat mbështeten në atë që në kolonitë e Botës së Re, kur spanjollët ishin vendi i parë Europian që hante patate të skuqura dhe ishte një zakon i veçantë që përdorte këtë si artikull ushqimi të shoqëruar me peshk. Ky zakon kish filluar në Galici dhe më vonë u përhap nga Spanja në Holandën Spanjolle (e cila më vonë u quajt Belgjikë pasi kishte kaluar një shekull.) Fritet e para në Britani u shfaqën në tregun e vendbanimit të Oldham ‘s Tommy më 1860. Në Skoci, ato janë shitur për herë të parë në Dundee , “….më 1870, kjo krenari e kuzhinës Britanike- fritet- u shitën për herë të parë nga një emigrant belgjian, Edward De Gernier në tregun e perimeve të qytetit”.
Përse e kanë marrë emrin “frite”?
Të nesërmen e Revolucionit Francez të vitit 1789 mbi urat e Senës, filluan të shërbehen fritet e para në Paris nën emërtimin “pommes Pont-Neuf”(Patate Ura e Re). Por receta mbetej Belge. Po atëherë pse thirren ato “ French Fries” ? (Frite franceze – emërtimi anglofon i friteve) në vend që të thirreshin “Belgian Fries” ? (Frite belgjiane). Origjina e kësaj fjale duhet të gjendet tek amerikanët. Në fakt, kur trupat amerikane, angleze ose kanadeze zbarkuan në rreshta të shtrënguara në Flandrën Perëndimore, popullsia lokale, nuk vonoi pa ua treguar ta degustonin specialitetin e tyre. Meqenëse gjuha zyrtare e ushtrisë Belgjiane ishte frëngjishtja, termi “French” (Franceze) iu bashkëngjit këtij gatimi të patateve të skuqura dhe fillimisht u përdor nga këta ushtarë. Nga viti 1813, shumë receta që përshkruanin fritetet franceze qarkullonin në librat popullorë të kuzhinës të Amerikës.
Personalitete që “vdesin” për frite
Fritet e patates kanë qenë dhe janë një ushqim i preferuar për disa nga presidentët amerikanë. Kështu përveç presidentit Tomas Jefferson, që njihet për kontributin e tij për përhapjen e friteve franceze në SHBA dhe për presidentin aktual Barack Obama patatet e skuqura (Fritet franceze) janë një nga ushqimet më të preferuara të tij.
Ç’janë fritet e patateve?
Fritet e patates janë shkopinj patateje me formë paralelpipedi të skuqura në yndyra vegjetale ose shtazore. Përgatitja e friteve të patates mund të kryhet në shtëpi duke i skuqur ato në enë të ndryshme, si tigan apo tenxhere dhe aparate elektroshtëpiake, si fritezat dhe tani më tepër në fabrika të veçanta për këtë qëllim. Në ditët e sotme, konsumi i tyre bëhet në formën e friteve të ngrira. Fritet përdoren gjerësisht si meze të veçanta ose si bashkëshoqëruese të mezeve të ndryshme si të biftekut, mishit të pjekur, peshkut, proshutave etj. Që nga fundi i shekullit të njëzetë, sasia më me madhe e patateve të skuqura (frite) janë përdorur nga restorantet e shpejta, të cilat i marrin ato të ngrira ose të gatshme për skuqje. Ka disa tipe fritesh të patates, si frite kaçurela (spirale) dhe tornado, që janë krijuar në Korenë e Jugut rreth vitit 2001 dhe janë futur në Amerikën e Veriut në vitin 2005.
Muzeu i Friteve
Ai ndodhet në Bruges (Belgjikë) në “Saaihalle”. Ai është hapur në vitin 2008 dhe është muzeu i vetëm në botë që i kushtohet historisë së patates dhe friteve. Muzeu është vendosur në një ndërtesë të shekullit të XVI-të, më e vjetra në Bruges. Në muze ka një koleksion makinash që janë përdorur për vjeljen, trajtimet, triorimin dhe gatimin e patates. Muzeu tregon gjithashtu vendin e friteve belge në kulturë (art, muzikë, kinema, filma vizatimorë etj). Muzeu përbëhet nga tri pjesë. Pjesa e parë trajton historinë e patates, ku trajtohen problemet e origjinës, domestikimit dhe përhapjes së patates në Europë dhe në Botë. Në pjesën e dytë janë të detajuara origjina e friteve, ku gjenden sidomos tipe të ndryshme të makinave për qërimin e tuberave të patates, të prerjes së friteve dhe një barakë për frite (Friturë). Pjesa e tretë e koleksioneve është nga Paul Illegems, ku gjenden objekte të shumta dhe vepra arti, si fotografi të friterive anë e mbanë Belgjikës, piktura të autorëve të njohur belgjianë etj.. Vetë Paul Illegems ka shkruar 7 libra për fritet e patates gjatë viteve 1981 – 2005.