Baleti i parë kombëtar shqiptar mbush 50 vjet. Revista ruse “Balet” boton një faqe me pullat shqiptare që i janë kushtuar 50-vjetorit të baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajrija” (1963). Ishte përgatitur nga përkthyesi i mirënjohur i letërsisë shqipe në gjuhën ruse, Valerij Modestov
Tema e filatelisë kushtuar baletit nuk është aq e gjerë, siç janë degët e tjera të koleksioneve tematike. Pullat për baletin, kushtuar shfaqjeve, mjeshtërve të baletit, yjeve të baletit ndërkombëtar të tërheqin me përzgjedhjen e hollë dhe të ngacmojnë, sepse është e vështirë të gjenden, ngaqë emisionet janë fare të vogla si numër.
Në revistën “Baleti” (Nr. 6, 2011) u botua një paraqitje e shkurtër, kushtuar filatelisë për baletin. Në këtë numër përsëri u bashkuan baleti dhe filatelia.
Më 1963 në skenën e Teatrit të Operës në Tiranë u dha premiera e baletit të parë kombëtar “Halili dhe Hajria”, me muzikë të Tish Daisë, një vepër koreografike origjinale liriko-epike, kushtuar luftës çlirimtare të shqiptarëve në shek. XVII kundër zgjedhës së Perandorisë Osmane. Në qendër të dramës historike, të paraqitur nga baleti, është dashuria e dy të rinjve, të cilët e përçojnë përmes shumë sprovave jetësore.
Baletin e vuri në skenë Panajot Kanaçi, i cili kishte mbaruar degën e mjeshtërisë së baletit në GITIS (kursi i prof. A. V. Shatinit). Ai kishte menduar për këtë që në vitet si student. Në arkivin vetjak të P. Kanaçit janë ruajtur fotografi amatore për punë e tij eksperimentale të kursit: dueti i Hajries dhe Bejtash agës, me muzikë të S. Rahmaninovit.
Baleti “Halili e Hajria”, për meritë të atyre që e vunë në skenë dhe përbërjes prej yjesh të baletit (në shfaqje morën pjesë Zoica Haxho, Ganimet Vendresha, Agron Aliaj, Xhemil Simixhiu – të gjithë të diplomuar në shkolla koreografike të Moskës e të Leningradit), u bë një ngjarje e shënuar në jetën kulturore të Shqipërisë në ato vite.
Me këtë rast u përgatit një seri prej gjashtë pullash postare, që paraqisnin skena nga baleti “Halili e Hajria”. Ka pasur shumë filatelistë në botë, të cilët ëndërronin ta shtinin në dorë: në radhë të parë, kjo seri hapi një drejtim të ri tematik në historinë e pullës postare shqiptare, kurse së dyti, vendi që udhëhiqej nga Enver Hoxha në atë kohë, e kishte izoluar plotësisht veten nga bota e jashtme, kështu që nuk ishte e lehtë t’i gjeje ato pulla të shënuara, por kjo edhe e ndizte më shumë dëshirën e filatelistëve, të cilët dëshironin ta kishin këtë emision të rrallë.
E dërgoi të përkthyer në shqip për DITA-n:
Prof.Dr. Xhevat Lloshi