Ekipi negociator i Kosovës takohet të martën (08.01) në Bruksel me të ngarkuarën e BE-së për politikën e jashtme evropiane, Federica Mogherini. Grupi negociator i Kosovës që kryesohet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, udhëton në Bruksel për herë të parë që nga mandatimi i tij në Kuvendin e Kosovës në nëntor të vitit të shkuar, megjithë kundërshtimin e partive opozitare. Çështja e të pagjeturve është tema e vetme e konfirmuar që do të diskutohet në Bruksel, ndërsa, thuhet se ky takim i pari i këtij lloji më shumë cilësohet si një takim konsultues, sesa negociues. “Shërbimi i Jashtëm Diplomatik (EEAS) e ka ftuar Ekipin e Dialogut nga Kosova për konsultime, më 8 janar, pas themelimit të tij nga Kuvendi”, citohet të ketë thënë Maja Kocijancic, zëdhënëse e Federica Mogherinit.
Takim konsultativ
Ndërkohë, njëri nga kryesuesit e ekipit negociator të Kosovës, Fatmir Limaj, para nisjes ka thënë se “në Bruksel, do të tregojnë përkushtimin e Republikës së Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë”. “Do të shkojmë për të dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e Kosovës për dialog. Më tepër është një takim konsultativ, për të parë dhe për të informuar njëri tjetrin, se si do të vazhdojmë me dialog. Do t’i paraqesim qëndrimet e delegacionit të Kosovës në Bruksel”, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, duke bërë të ditur se ekipi negociator është i koordinuar mirë edhe për temat, për të cilat do të flitet në Bruksel.
Nga ana tjetër ekipi dialogues i Kosovës ndeshet me kundërshtimin e ashpër të partive politike opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe lëvizjen Vetëvendosja. Këto dy subjekte politike thonë se “ky delegacion nuk përfaqëson vullnetin e shumicës qytetare”, pasi “ai përbëhet nga parti shumë të vogla”.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, kërkon që opozita të japë kontributin e saj për ta përmbyllur shtet-ndërtimin e Kosovës
Akuza e kundërakuza
Gjatë fundjavës ka pasur akuza e kundër-akuza nga vetë krerët e partive politike në pushtet dhe të atyre në opozitë lidhur me pjesëmarrjen -përkatësisht – mospjesëmarrjen e opozitës në grupin e dialogut, edhe pse në këtë grup ata kanë dy vende të rezervuara. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, tha se “asnjëherë nuk është vonë për LDK-në ta japë kontributin e saj për ta përmbyllur shtet-ndërtimin e Kosovës”. “Është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë, në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës, duke qenë në bisht të proceseve politike dhe historike. Dua të besoj se brenda kësaj partie ka vullnet, dije dhe guxim për të vepruar në interes të vendit duke u bërë bashkë që të merremi me Serbinë dhe jo me njëri-tjetrin. Por duket që problemi është diku tjetër – nuk ka një mendim të prerë dhe të vendosur për asgjë”, shkroi Enver Hoxhaj.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se LDK, nuk do t’u shërbejë partive në pushtet. “Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e Kosovës: shtet-formuese, institucionaliste, e qendrës së djathtë. I merr vendimet vet. Të gjithë atyre që brengosen dhe derdhin lotë krokodili për LDK-në, nga fakti se LDK nuk po iu shërben dhe nuk do tu shërbejë interesave të tyre pushtetore dhe kolaboracioniste, u them se ata mund të vazhdojnë ta kritikojnë LDK-në, sepse ky është edhe një argument shtesë se nuk kemi asgjë të përbashkët me ta. LDK është e Kosovës dhe ajo vendos vetë si do t’i shërbej në mënyrën më të mirë Kosovës”, shkroi kreu i LDK-së Isa Mustafa.
Kosova kushtëzon heqjen e taksës së mallrave ndaj Serbisë
Sidoqoftë, dialogu i drejtpërdrejt Kosovë-Serbi tash për tash është i ngrirë që nga koha kur qeveria e Kosovës ngriti taksën prej 100 për qind për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Autoritetet e Serbisë thonë se ato nuk marrin pjesë në dialog, derisa Prishtina ta heqë taksën. E qeveria në Prishtinë sipas kryeministrit Ramush Haradinaj, “nuk e ka ndërmend që ta heqë taksën”, përderisa siç thotë, “Serbia ta ndalë agresionin politik e diplomatik ndaj shtetit të Kosovës”.
Disa shenja më optimiste vijnë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha se “nëse i jepet rrugë e qartë dialogut me synim arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, Kosova mund ta shqyrtojë mundësinë e heqjes se taksës.”
“Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë, i kam thënë gazetës “The ëashington Post”, duke kërkuar që SHBA-ja të marrë rol udhëheqës në koordinimin e inputit ndërkombëtar për Marrëveshjen Paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërgjegjja jonë na kërkon – dhe është detyrë e jona historike – që të bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtetë”, shkroi në profilin e tij Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
burimi: deutsche welle
v.l/ Dita
Turp e faqja e zeze u qofte ketyre tradhetareve me ne krye Thacin qe po i terheq per hunde ne rrugen e tij te tradhetise se Kosoves.Nuk e di ku eshte aratisur ky Albin Kurti e nuk po i ndihet zani ne keto dite kritike per KosovenTe heshtesh perpara tradhetise nuk eshte me pak faj se ta promovosh ate.