Ekzekutimi mafioz në mes të qytetit të Elbasanit të 41-vjeçarit Arben Çeta ka ngritur pikëpyetje mbi autorët e krimit. Shkak janë konfliktet e shumta që kishte prej vitesh, përfshirja në aktivitet kriminal dhe si person i kërkuar nga policia dhe liruar nga gjykata. Por grupi hetimor ka si pistë kryesore hakmarrjen, motiv për të cilin dyshohet se Çeta u plagos edhe 16 nëntorin e vitit të kaluar në Labinot-Fushë. Për këtë shkak janë kryer të paktën 20 shoqërime të të njohurve dhe personave në konflikt të vazhdueshëm me viktimën. Por pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë. Nga hetimet e deritanishme rezulton se atentatorët kanë qenë dy persona të maskuar dhe që lëviznin në këmbë, por më pas mendohet se janë pritur nga ndonjë makinë në rrugicat e lagjes “11 Nëntori”. Autorët kanë qenë profesionistë, pasi qitjet ishin të sakta dhe viktima i ka marrë 3 plumba në kokë teksa po parkonte veturën “Benz”. Për shkak se kanë qenë të maskuar, edhe dëshmitarët nuk shquan dot fytyrat e tyre. Çeta ka qenë i dënuar me 13 vjet burg për një vrasje në vitin 1997 të Astrit Stambollxhiu (Paprri), është liruar katër vite më parë, por u akuzua në 2012 për një grabitje në tentativë bashkë me 3 shokë të tij. U arrestua dhe lirua nga Gjykata e Elbasanit vitin e kaluar, teksa Apeli Durrës e rikthehu në qeli, por 41-vjeçari ndërkohë ishte arratisur, derisa u gjet i vrarë pasditen e djeshme. Gjithashtu pas lirimit nga gjykata ai u plagos në një atentat. Policia beson se pista e krimit është ajo e vrasjes për hakmarrje.