Dy dënime me vdekje janë ekzekutuar mëngjesin e sotëm në Japoni. Lajmin e konfirmon agjencia e lajmeve Kyodo. Ekzekutimet pasojnë ato të tre personave më 21 shkurt, pas vendimit të qeverisë së drejtuar nga Shinzo Abe, i ardhur në pushtet pas fitores së bindshme të zgjedhjeve të 16 dhjetorit. Sipas Ministrisë japoneze të Drejtësisë, të dënuarit janë
Katsuji Hamasaki (64 vjeç) e Yoshihide Miyagi (56 vjeç), ish-pjesëtarë të mafies japoneze, të shpallur fajtorë për vrasjen e dy pjesëtarëve të një kalni rival në vitin 2005.
“Kemi të bëjmë me krime ekstremisht makabër”, tha në një konferencë shtypi, Sadakazu Tanigaki, zyrtari që firmosi ekzekutimin. “Shumë persona në Japoni mendojnë se dënimi kapital është i nevojshëm. Ajo që duhet të bëjmë ne është që të kujdesemi që një i dënuar të ekzekutohet në mënyrën e duhur. Aktualisht në burgjet japoneze janë të paktën 130 të dënuar që presin ekzekutimin.
Amnesty International në Japoni mendon se me ekzekutimet e fundit, ky vend po i kthen shpinën pjesës tjetër të botës. Hideki Wakabayashi, sekretar i Përgjithshëm i AI në Japoni, thotë se qeveria e këtij vendi po ecën në shteg gjithnjë e më të vetmuar. Janë pesë të ekzekutuar që prej ardhjes në pushtet të qeverisë së Abes.