Leo Mesi dhe Kristiano Ronaldo nuk arritën të shënonin mbrëmë në “El Clasico” dhe ndoshta kjo ishte surpriza më e madhe në “Camp Nou”. Por, elementët e tjerë përbërës nuk munguan: gola, spektakël, ashpërsi, penallti të padhëna e sigurisht polemika të pashmangshme, të cilat pasuan gjithçka. Rolin e superyllit e mori Neimar, autor i golit të parë në fitoren e Barcelonës dhe përherë i rrezikshëm për mbrojtjen madrilene, e cila u përpoq ta frenonte me të gjitha mënyrat. Me golin e shënuar në debutim, Neimar eci në gjurmët e dy brazilianëve të mëdhenj, Ronaldo e Romario, të cilët gjithashtu kanë shënuar në përballjen e parë me Realin.
Pas epërsisë, Leo Mesi kishte mundësinë ta mbyllte ndoshta që në pjesën e parë lojën, por gjuajti jashtë përballë portierit Lopez. Pak çaste para pushimit vjen momenti i parë i diskutueshëm, kur Khedia gjuan nga pak metra larg portës, topi përplaset në këmbën e portierit Valdez e më pas shkon në dorën e Adrianos, i shtrirë përtokë. Madrilenët kërkuan penallti, e cila nuk u dha nga gjyqtari, duke e çuar ndeshjen në pushim mes polemikave të nxehta. Në pjesën e dytë, Reali provon gjithçka dhe iu afrua golit kur Benzema, i ardhur nga stoli, tronditi traun e portës vendase. Pak sekonda para këtij rasti, Ronaldo u rrëzua në zonë nga Maskerano, duke kërkuar një tjetër penallti, por edhe këtë herë gjyqtari ia mohoi. 12 minuta para fundit, Sançez shënon një gol të shkëlqyer nga jashtë zonës, duke e kaluar topin mbi portierin Lopez. Minuta e parë shtesë sjell golin e parë të Realit, nga i riu Rodriguez, çka e bën më dramatike pritjen për fundin e lojës. Por në sekondat e mbetura nuk ndodh më asgjë dhe Barcelona del fitues e nga fusha dhe me diferencë gjashtë pikë nga Reali në krye të renditjes. Pas ndeshjes në fushën e “Camp Nout” ka debate por jo sherre, një tjetër shenjë që kujton se Murinjo nuk është më…