Rrëfimi mbi takimin e presidentit amerikan me muzikantin që i urrente Beatles-at dhe “drogën”
Në dhjetor të vitit 1970, në bordin e një avioni që fluturonte drejt Uashingtonit, Elvis Presley i kërkoi një stjuardese disa letra të bardha dhe një stilolaps, për t’i shkruar Richard Nixon-it një prej letrave më të çuditshme që mund t’i jetë dërguar ndonjëherë një presidenti të Shteteve të Bashkuara.
Duke ‘luftuar’ i dëshpëruar me sintaksën dhe duke i përdorur shkronjat e mëdha ku të qëllonte, idhulli i adoleshentëve amerikanë e nisi me ton thuajse formal letrën e tij: “I dashur Zoti President, Para së gjithash dëshiroj të prezantohem: jam Elvis Presley dhe ju admiroj, Kam një Respekt të Madh për funksionin tuaj…”. Dhe kështu vazhdonin 5 faqe të mbushura me konsiderata ekstravagante politike mbi vlerat e Amerikës, të kërcënuara nga armiq të fshehur por të vendosur, si: “komunistët (para së gjithash), droga, grupet e hipive, studentët, Panterat e Zeza dhe të fundit, por jo më pak të rrezikshmit, Beatles-at”.
Në këtë betejë që po përballonte vendi, Elvis dëshironte të bënte pjesën e tij. Në letrën e cila është publikuar nga “Daily Mail”, këngëtari i kërkonte presidenti Nixon që ta emëronte si agjent sekret të Forcave Federale të Antidrogës, gjithashtu edhe teserën që agjentët shfaqnin para se të hapnin zjarr kundër trafikantëve nëpër filma.
Të gjithë e dinë se Presley ishte ekspert i drogave: gëlltiste vazhdimisht anfetaminë dhe pilula të tjera. Për t’ i dhënë një goditje trafikut të narkotikëve do të mjaftonte edhe flakja e mijëra pilulave nga banja e tij, të cilat i morën dhe jetën më 16 gusht të 1977-s.
Por, për të bindur Nixon-in Elvis përdori argumente të tjera. Shkroi se kishte studiuar shumë mbi abuzimin e drogave si dhe teknikat e lavazhit të trurit nga komunistët. Pastaj ai ishte këngëtar, asnjë nga armiqtë e Amerikës nuk do ta shihte si një rrezik, kështu që mund të vepronte në liri të plotë pa ngjallur dyshime.
Me të zbritur nga avioni, Elvisi e dorëzoi personalisht zarfin në kangjellat e Shtëpisë së Bardhë dhe qëndroi në pritje të përgjigjes në një hotel ku ishte regjistruar me emrin Jon Burrows.
Kur këshilltarët ia dorëzuan letrën Nixon-it në Studion Ovale, u zhvillua një mbledhje tepër e veçantë. Pas diskutimesh të ndezura, Egil Krogh, i cili tre vjetë më vonë do të përfundonte në pranga për skandalin e përgjimeve “Watergate”, i sugjeroi presidentit që ta priste Presley-n: nuk mund ta dëmtonte, përkundrazi do të ndihmonte me votat e të rinjve.
Elvis u prezantua në zyrën ekzekutive, West Wing, me një kostum të zi kadife dhe një këmishë me jakë të hapur, pa harruar rripin e tij të zakonshëm me togëzën e stërmadhe të artë e të dekoruar me diamante. “Vishesh pak si njeri i egër, biri im”, vërejti Nixon.
“Ju duhet të vazhdoni përpara me shfaqjen tuaj dhe unë me timen”, nuk vonoi të përgjigjej këngëtari.
Folën gjatë për situatën në vend dhe për faktorët që e kërcënonin atë. “Beatles-at, – tha Presley, – janë armiqtë më të këqinj sepse vijnë në Shtetet e Bashkuara, marrin paratë dhe kthehen në Londër vetëm për të denigruar Amerikën”.
Në fund presidenti i dhuroi një teserë nderi të agjentit federal dhe Presley i tregoi krenar teserat e tjera të dhjetëra departamenteve të policisë, të cilat i kishte koleksionuar. Me beixhin e ri, në muajt që pasuan nuk kapi dot asnjë armik, por ndaloi motoçiklistë dhe automobilistë që ecnin me shpejtësi. Këta ktheheshin në shtëpi me një histori të pabesueshme për të treguar: kishin takuar mbretin e rockut që sillej si agjent policie./D.Gjuzi
Edhe PRESLEY kuptohet qe shkoi ne gjurmet si te politikaneve por edhe te artisteve si NORMA BAKER .
Dyshoj se varianti zyrtar i vdekjes eshte nje konspiracion .
Per mua eshte egzekutim politik .