Sipas ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti embargoja e Rusisë për ndalimin e importit të produkteve ushqimore nga Shqipëria nuk ka asnjë të re. Panariti thotë se në fakt ndaj Shqipërisë kjo embargo ka një vit që është në “fuqi”.
“Futemi në listën e vendeve të cilat iu ndalohet të eksportojnë në tregun rus si kundërpërgjigje. Por ne de fakto ndodhemi nën embargon ruse prej një viti…Arsyetimi ishte për të verifikuar autencitetin e vërtetimit të certifikatave të produkteve, pasi kishte të dhëna që certifikatat shqiptare përdoreshin, falsifikoheshin nga disa vende të tjera. Ne reaguam dhe vendosëm komunikim me autoritetet ruse, duke përmirësuar certifikatat tona me elementë shtesë sigurie.. U duk që nga masat e marra të ishim në pragun e hapjes së embargos dhe tashëm njihemi me këtë vendim qartazi politik”, shprehet ministri.
Sipas Panaritit embargoja ruse nuk e dëmton aspak bujqësinë shqiptare. Po sipas tij Shqipëria po sheh mundësinë për të eksportuar më shumë drejt SHBA dhe Ukrainës.
“Absolutisht asnjë lloj ndikimi nuk ka pasur. Kemi 18 vende ku eksportojmë, nuk i kishim sytë tek Rusia. Në SHBA ne çojmë 70 të sherbelës, po punojmë që për SHBA të rrisim sasinë e eksporteve. Jemi në tratativa edhe për vende të tjera. Në shtator do shkoj në Ukrainë, do nënshkruaj një kontratë për eksporte masive”, tha Panariti.