Të shpëtuar rastësisht nga një kroçierë turistësh, dy peshkatarët që kaluan më shumë se 24 orë në det, tregojnë si pritën për orë të tëra që dikush t’i shpëtonte. Ata thonë se e kanë parë dje helikopterin që po i kërkonte, por nuk janë pikasur nga ata që ndodheshin në bordin e tij.
“Kur na mori trageti nuk po qëndronim dot më në det. Ishim në gjendje shumë të keqe shëndetësore. Do ishim hedhur në det, nuk po duronim dot më pa ujë”, kanë thënë peshkatarët menjëherë pas zbritjes nga trageti që u shpëtoi jetën.
Gjenden dy peshkatarët e zhdukur një ditë më parë. Dy 25-vjeçarët janë gjetur sot rreth orës 07:30 eth 10 milje larg qytetit të Durrësit nga një kroçerë greke. Lajmi është konfirmuar nga Kapitereria e Portit, ndërsa peshkatarët mësohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Dy 25-vjeçarët, Fatmir Ismailaj dhe Gëzim Bashkllari, që të dy banues në Vlorë kishin dalë me një mjet lundrues të vogël me motor, por për shkak të detit të trazuar ata janë rrëmbyer nga rryma. Ata kërkuan ndihmë rreth orës 5 të mëngjesit të djeshëm, kur telefonuan familjarët e tyre.
***
Kërkime në det edhe nga ajri
Përgjatë gjithë ditës së djeshme, nuk kanë reshtur kërkimet nga deti dhe ajri për dy peshkatarët 25-vjeçarë që rrezikojnë të mbyten në det. Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Brendshme njoftoi se Roja Bregdetare dhe një helikopter i Forcave Ajrore nisën kërkimet rreth mesditës.
“Sot në orën 07:00 një anije “ARCH ANGEL” A-05 e Rojes Bregdetare të Forcave Detare është angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit të dy peshkatarëve që kanë humbur gjurmët në det në afërsi të Zvërnecit në Vlorë. Anija A-05 me një ekuipazh prej katër vetë i është bashkuar mjeteve dhe forcave të Policisë Kufitare dhe forcave të tjera të që janë angazhuar në këtë operacion. Në orën 12:55, me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, në operacion u përfshi edhe helikopteri “COUGER” i Forcës Ajrore. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në të gjithë hapësirën e Gjirit të Vlorës, në afërsi të Sazanit dhe Karaburunit, por deri tani ende nuk ka ndonjë gjurmë të peshkatarëve të humbur”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Brendshme.
* * *
Prej orës 06:00 të mëngjesit të së premtes, familjarët e të rinjve kanë kërkuar ndihmë. Fatmir Ismaili, 25 vjeç dhe Gëzim Bashllari, po 25 vjeç, kanë kërkuar ndihmë duke telefonuar në sallën operative në Drejtorinë e Policisë Kufitare të Vlorës. Ata janë shprehur se ndodhen me një varkë të vogël, në hapësirën detare pranë ishullit të Sazanit, rreth 2 milje në veri të tij. Policia Kufitare, Roja Bregdetare dhe Kapiteneria e Portit të Vlorës kanë nisur një operacion për shpëtimin e tyre, por moti i keq dhe deti i trazuar i vështirësoi kërkimet. Kërkimi u vështirësua për shkak se telefonat e dy peshkatarëve dalin të fikur.
Nëna e peshkatarit: Kërkimet nisën vonë
Nëna e Gëzim Bashllarit ka kërkuar ndihmë përmes mediave. “Nga ora 5:00 që kam marrë unë policinë, në orët 8 kanë nisur kërkimet. Në orën 5:00 të mëngjesit kam folur, dhe më tha po mbytemi. Ju bëj apel të gjithëve, ministri i Mbrojtjes të ndërhyjë, janë dy fëmijë 25-vjeç që po luftojnë me jetën dhe vdekjen”, thotë ajo.