Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, thekson rëndësinë e zgjedhjeve të qershorit për të ardhmen e Shqipërisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Eliot tha se zgjedhjet parlamentare të radhës duhet të jenë të drejta e të lira.
“Hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Europian do të vendoset pjesërisht nga zgjedhjet, të cilat duhet të jenë të drejta e të lira”, u shpreh Engel.
Gjithashtu, kongresmeni i njohur për lidhjet e tij me Shqipërinë shprehet kundër retorikës nacionaliste që ka shfaqur së fundmi në Shqipëri dhe Kosovë. Ai tha se lidhjet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të natyrshme, por me to nuk duhet të abuzohet, pasi një gjë e tillë mund të jetë e dëmshme.
“Jam i shqetësuar për këto retorika, pasi ne luftuam shumë për pavarësinë e Kosovës. Është e natyrshme që të ketë lidhje të ngushta dhe ndjenja vëllazërie mes Shqipërisë dhe Kosovës, por komentet për një Shqipëri të madhe nuk mund të jenë kurrë të dobishme. Kosova
është Kosovë dhe Shqipëria është Shqipëri”, ka thënë Engel.
Gjatë intervistës nuk kanë munguar as urimet e Engel për pesëvjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe ka garantuar angazhimin e mëtejshëm të SHBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi.
“Në këto 5 vitet e fundit Kosova ka hyrë mes demokracive të lira e të pavarura të botës. Atë e kanë njohur 98 vende dhe unë përpiqem që ta njohin vende të tjera kur takoj zyrtarë të ndryshëm. Mendoj se ka rëndësi që SHBA të luajnë një rol kryesor në çdo proces që bëhet me Kosovën. Ia kam thënë këtë ish-sekretares Clinton dhe do t’ia them edhe sekretarit aktual John Kerry kur ta takoj. Takova zonjën Ashton më herët dhe diskutova me të për Kosovën dhe thash se ka nevojë që të bëhet progres me Kosovën dhe që Kosova të afrohet me NATO-n dhe BE-në”, ka thënë kongresmeni.
Z. Engel duhet te na sqaroje se sa ka marre nga Patton B.per te mbrojtur kriminelin Berisha!!