Ndërsa Europa dhe Azia përballen me temperaturat e ulëta që kanë shkaktuar qindra të vdekur, Australia vijon të digjet nga zjarret. Në pjesën jugore, zjarret kanë shkrumbuar ishullin e Tasmanisë, ku janë djegur të paktën 100 banesa, ndërsa dhjetëra persona rezultojnë ende të zhdukur.
Në Uellsin e ri, në jug të kontinentit, shteti më i madh për nga numri i popullsisë, numërohen të paktën 100 vatra zjarri, 20 prej të cilave janë jashtë kontrolli, edhe në afërsi të Sidneit.
Zjarret favorizohen nga temperaturat e larta (në Sidnei, temperaturat arrijnë në 43 gradë celcius) dhe erërat e forta. Mijëra punonjës të zjarrfikëseve janë angazhuar nga ajri dhe toka në shuarjen e flakëve që përparojnë me shpejtësi.
Pesë zona janë deklaruar zyrtarisht si “katastrofike”, çka do të thotë se atje zjarri është jashtë kontrollit dhe përhapet me shpejtësi. Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të evakuohen. Gjithashtu, situata paraqitet alarmante edhe në Viktoria, pjesa jugore e Australisë, dhe përreth kryeqytetit Kanbera, i cili rrethohet nga pyjet.
Vala e të nxehtit ekstrem ka nisur pak pas Krishtlindjeve dhe meteorologët thonë se është më shkatërruesja në 80 vitet e fundit.