Parashikimet e fundit ekonomike të publikuara nga Komisioni Europian (KE) treguan se ekonomia e Eurozonës do t’i rikthehet rritjes në vitin 2014, pas dy viteve recesion, por me një ritëm më të ngadaltë se sa ishte parashikuar në pranverë. KE tha se Eurozona prej 17 vendesh do të zgjerohet me vetëm 1.1% gjatë vitit të ardhshëm. Ndërsa rishikimi në ulje është relativisht i vogël (parashikimi i saj i mëparshëm tregonte për 1.2% rritje), shifra e re paraqet rishikimin e dytë negativ.
Në fillim të vitit 2013, KE e kishte vlerësuar rritjen e 2014-s në 1.4%, një normë që ndoshta do të kishte qenë mjaft e fortë për të parandaluar rritjen e papunësisë. “Kryesisht, historia e përgjithshme flet për një rimëkëmbje të ngadaltë në Europë”, referoi në një shkrim ekonomisti europian Timo del Carpio i “RBC Capital Markets”. Gjatë një deklarate, Olli Rehn, komisioneri i ekonomisë së KE-së, tha se “ka shenja që sa vijnë e intensifikohen se ekonomia europiane ka arritur në pikën e kthesës. Por është shumë herët për të deklaruar fitoren: Papunësia mbetet në nivele të papranueshme të larta. Kjo është arsyeja se pse ne duhet të vazhdojmë të modernizojmë ekonominë europiane”.
Parashikimi i tkurrjes së Eurozonës për vitin 2013 nuk ka ndryshuar, në 0.4%, pas një tkurrje 0.7% në vitin 2013. Papunësia që ka arritur në shifra dyshifrore, programet e masave të ashpra krijuar për të ulur deficitet buxhetore dhe borxhi i përgjithshëm kombëtar, si dhe rritja e euros (që është rritur rreth 4% kundrejt dollarit amerikan gjatë katër muajve) duket se po ulin perspektivën e rritjes. Disa ekonomistë mendojnë se ngadalësimi i rritjes së kredisë, ose rritja negative e kredisë në disa vende, është duke ndikuar që rritja të humbasë “vrullin”.
Në një shënim të botuar përpara parashikimeve të rritjes së Eurozonës, “Societe Generale” tha se mbetet pesimiste në lidhje me ritmin e rimëkëmbjes europiane. Ajo përmendi “fragmentim financiar, ngadalësim të ritmit të reformave strukturore, si dhe një kthim të mundshëm të masave shtrënguese fiskale për shkak të progresit minimal në procesin e ‘rigjallërimit’”, sipas pikëpamjes së saj aspak optimiste. Parashikimet e rritjes për vitin 2014 u zvogëluan për të gjitha ekonomitë e mëdha në Eurozonë, me përjashtim të Italisë. Italia, e cila gjendet në recesion të thellë, pritet të rritet me 0.7% në 2014-n, në përputhje me parashikimin e bërë në pranverë. Vendet që u “goditën” me uljen më të madhe të rritjes ishin Franca, ekonomia e dytë më e madhe në rajon, dhe Spanja, ekonomia e katërt më e madhe.
Franca tani pritet të rritet me vetëm 0.9% në vitin 2014, duke rënë nga vlerësimi i mëparshëm prej 1.1%. Spanja parashikohet të zgjerohet me 0.5% krahasuar me 0.9% që ishte projektuar më parë. Edhe rritja gjermane është ngadalësuar teksa partnerët e saj tregtarë europianë po “lëvizin më ngadalë”. Rritja e saj është parashikuar në 1.7% për këtë vit, nga parashikimi fillestar 1.8% në pranverë. Rimëkëmbja e ngadalësuar europiane nuk premton diçka të mirë për tregtinë botërore. Eksportet në Europë nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat shënojnë marrëveshjet e tregtisë së lirë me Bashkimin Europian, ka gjasa të ngadalësohen.
Greqia ishte i vetmi “ogur” i mirë në mesin e shifrave të reja të KE. Pas gjashtë viteve recesioni të thellë, ajo pritet të rritet me 0.6% në 2014-n dhe një shifër të fortë prej 2.9% në vitin 2015. Portugalia gjithashtu po del nga recesioni që e përballi ekonominë e saj me tkurrje në katër nga pesë vitet e fundit. Parashikimet për rritje të ngadaltë përbëjnë një lajm të keq për rritjen e punësimit. Ekonomistët në përgjithësi mendojnë se ka nevojë për rritje rreth 2% që të shtohet numri i vendeve të punës, edhe pse kjo shifër do të ndryshonte nga vendi në vend. Shkalla e papunësisë në Eurozonë, që parashikohet të jetë 12.2% në vitin 2014, është në nivelin më të lartë që kur u lançua monedha në vitin 1999. Në fillim të këtij viti, parashikimi ishte për 12.1% papunësi. Papunësia e të rinjve është 40% në Itali dhe më shumë se 50% në Spanjë dhe Greqi.