Faik Konica, ky personalitet i kulturës dhe historisë shqiptare, ka qenë dhe një personazh piktoresk, që kudo dhe kurdoherë në botën e huaj ka tërhequr vëmendjen dhe ka lënë mbresa të pashlyeshme. Është shumë interesant fakti që ai dallonte në mes të të huajve jo aq për natyrën e tij ekscentrike dhe disi ekstravagante, se sa me vetitë intelektuale, me dijet e gjera dhe të holla, me mprehtësinë dhe humorin origjinal, me zotërimin e shumë gjuhëve, me sjelljen aristokratike. Duke jetuar pothuaj tërë jetën jashtë shtetit, Konica do të bënte emër në rrethet intelektuale, në Paris e Bruksel, në Londër e në Uashington. Ai do të cilësohej për kulturën e madhe si enciklopedi ambulante dhe do të çmohej për ligjërimin e bukur të gjuhëve të huaja, veçanërisht të frëngjishtes. Jo rastësisht ai do ta çudiste dhe do të fitonte miqësinë e poetit të madh G. Apolinerit.
Jeta e gazetarit dhe ajo e emigrantit të përjetshëm, do ta bënte të lëvizte dhe të krijonte lidhje nga më të çuditshmet. Janë këto aspekte të jetës vetjake dhe shoqërore që presin të studiohen dhe të zbulojnë deri në fund personalitetin e tij kompleks.
Për afro 15 vjet, Faik Konica ishte Ministri fuqiplotë i Mbretërisë së Shqipërisë në Uashington. Me cilësitë e tij të veçanta, ai do të zinte një vend të merituar në qarqet diplomatike, aq sa më 1938-ën do të nderohej nga revista prestigjioze amerikane “The judge” me çmimin “Kapelja e lartë”. Motivacioni ishte mbresëlënës: “Për përfaqësim dinjitoz të vendit të tij, për mirëkuptim njerëzor të vlerave, për ndjenja të mrekullueshme humori, e plot veti të tjera”. Por figura e diplomatit shqiptar në SHBA, kish tërhequr vëmendjen e rretheve gazetareske me kohë. Këtë e dëshmon dhe artikulli “Një jetëshkrim i shkurtër i zotit Faik Konica”, i publicistit të njohur Mabille Gennings, botuar në gazetat e mëdha të kohës si “Washington Herald” dhe “New York Journal” më 28 maj 1934. Gazetari amerikan i bën një portret tepër interesant Konicës. Ai e sjell në ditët tona për lexuesin shqiptar, zbulon disa anë të panjohura dhe na e bën më të afërt figurën e tij. Artikullin e hasa në faqet e “Diellit” të qershorit të vitit 1934, dhe kënaqësinë e zbulimit dua ta ndaj me lexuesit e gazetës, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta (15 dhjetor 1942), me përkthimin e publicistit të njohur shqiptaro-amerikan Nelo Drizari.
Portreti i një aristokrati
Mabille Gennings
Kur Faik Konica, Ministri i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, të thotë se ka qenë edhe vetë gazetar, dhe të shfaq vetëm një pjesë të vogël të shërbimeve të tij në fushën e gazetarisë.
Aty më parë shkruante kryeartikuj në Boston, në Diellin, më e vjetra gazetë shqiptare që botohet edhe tani në Shtetet e Bashkuara – një fletore (atëherë e përditshme po që më vonë është bërë e përjavshme), që nuk merret me reklama dhe kur kish më shumë se 10 mijë pajtimtarë, qe mjaft e afërt, sa me anën e fushatës, (Vatrës), mundi të mbledhë për guvernën provizore t’athershme një çerek milionë dollarësh.
Lindur në Malësin’ e jugës, në kufirin e Greqisë, i biri i një të pasuri, nga një der’ e cila në kohën e paqes shikonte punën e shtëpisë, dhe në kohën e luftës mblidhte vullnetarë, Zoti Konica, që kur ish djalosh, e dij mirë se për çfarë soj shërbimi ish destinuar, dhe studimet e tija në shkollën e jezuitëve në Shkodër dhe në Licenë Perandorike të Stambollit, i bëri duke pasur po atë qëllim parasysh. Vizita e tij e parë në SHBA, më 1909, qe për të filluar një shoqëri të përbërë prej refugjatësh: për t’i stërvitur këta me vetijat dhe qëllimin që lypte lëvizja kombëtare – një qëllim si themelonjës dhe botonjës i revistës Albania, që e kish bërë të njohur me tërë fuqinë e tij. Më 1912, ay u dërgua si delegat në konferencën ambasadoriale në London, dhe më 1926, kur u njoh independenca e kombit të tij të dashur, ku ay me zotësin e tij mundi të lerë rekorde historie në ngjarjet e zhvillimit kombëtar, u emërua Ministër në Shtetet e Bashkuara.
Në qoftë e vërtetë se ndodhja e tij këtu është një shenjë miqësie, dhe ay të siguron se ashtu është, atëherë gjithashtu është e vërtetë që trupi diplomatik i Washingtonit bëhet më i pasur n’urtësi bujare, sjellje të dëshirueshme dhe në dituri të hollë me ndodhjen e tij këtu. Kjo na çon ndoshta te një problem i rëndë, që të dallosh si munt të shquhet njeriu si njeri nga ministri. Ndoshta qëndrimi më tipik i zotit Faik Konitza është urtësia e hijshme, siç dëshmohet qartazi prej sjelljes së tij simpatike, prej dashurisë së tij për të bukurën e vërtetë dhe prej zemërgjerësisë natyrale të tij.
Me fjalë të buta dhe plot gjallësi, më sjellje krejt natyrale në qarke shoqërore, ay është pritës i mirë si zot shtëpie dhe mysafir gazmor. Sapo ka kaluar nga mosha 55, i veshur mirë e i pamartuar, ay është kurdoherë i mirëseardhur si vizitor në sallonet shoqërore të qytetit tonë.
Gjithashtu mund të ketë në raste të këtilla edhe muzikë, muzikë hutonjëse që del nga një gramafon i rrallë, me një megafon të madh që të zë syri sapo hyn në odën e mirë të tij, q’është në katin e dytë të hotelit Mayflower. Çpikja e një shkencëtari ingliz, orët e shumta e të rënda që i kushtonte në nj’odë shkence, nuk pajtoheshin me dashurinë e tij përmuzikën, ku istrumenti i bërë me dorë ka mundur të çdukij zëra të çjerra, duke lënë vetëm muzikë të kulluar. Nuk do të gjesh radio te ministri i Shqipërisë, ndonëse nga koha në kohë i kanë prurë tri, për arsye që nuk varen vetëm nga zëri i kulluar i muzikës. Ay rrëfen se sa mërzitet kur dëgjon lloj lloj reklamash me anën e radios. Kënaqësinë më të madhe, përveç kur ka pranë miqt’ e tij, ministri e ndjen kur këndon libra me biografira dhe shënime kronologjike, që zgjeth nga biblioteka e tij, e cila ka më shumë se 1200 libra dhe është nga më të plotat. Sa për stërvitjen e trupit për të mbajtur shëndetin e tij, i pëlqen që të ecë më këmbë. Në kohën që harxhon duke luajtur golf, rreth e rrotull luadhit, siç thotë vetë, njeriu mund të këndojë një libër ose mund të fjaloset me miq, dhe kështu që ay ecën me këmbë dy ose tri mila në ditë. Gjellët ia servirin nga restauranti i hotelit, ndonëse ka një kuzhinë më vete ku rri, se e urren afshin e gjellëve, si dhe erën e mirë të kafesë. Është një nga mendimet e tija, që gjella ka shije të vërtetë kur nuk të nget as “qiellëzën, as hundën”. Ënda e tij është sqimatare. Ay nuk pranon të ngrëna që kanë mbetur shumë kohë në akull, pula që janë therur më shumë se disa orë më parë se të shtrohen për të ngrënë, ushqime deti që nuk janë peshkuar atë çast nga ujët. Atij i pëlqen të hajë pas bukës drethëza të goditura me ajkë, dhe të vëna në pjatë mi kulaç të grynjë. Për sa u përket të pirave dhe mëzeve ay nuk munt të quhet njohës i vogël. Përveç gjërave të tjera, ato q’urren më shumë janë pijet e përziera e të forta (kokteils) dhe shampanja e lehtë. Ay do më shumë verat që quhen Sherry, Burgundy dhe Rihne. Kjo e fundit i mbarohet më shumë se të tjerat, sepse shumë nga miqt e tij kanë po atë shije që ka dhe vetë. Një zotni që më parë pëlqente skoç, më shumë se çdo lloj uiski, tani zgjedhe si më të mirin rye, se kjo pije mban nj’erë t’ëndëshme, veçanërisht rye-i që bëhet në shtetin Kentucky dhe është i shtënë në botile që në kohën e Luftës madhe. Rrobat e tij janë gjithmonë të kaltërta (kaltërsi e thellë që duket pakës si e zezë), të murme ose të zeza, dhe me çdo palë ka porositur dhe një pallto të madhe të bërë gjithë nga ajo plaçk’ e rrobave që shkon me to. Të porositura nga Londoni, plaçkat e tija dallohen për hollësira origjinale. Palltot e vogla nuk kanë vrimë volutash në çipin e jakës poshtme, mi gjoksin, të bëra me qëllim që të mos u japë rast grave që mund t’u teket ti ngulin ndonjë lule. Palltot janë pa xhepa të jashtme për shami, sepse ay e quan zbukurimin si një send jashtë rregullave të shëndetit. Pantallonat e tija nuk janë të kthyera mi qafën e këmbëve, po për këtë arsye. Këmishët, të cilat ia bën sipas porosisë një këmishëbërës i Londonit, nuk kanë volte të dytë në qafën e mëngëve, se ay ngul këmbë që nuk janë të nevojshme. Çuditërisht për një burrë që ndjen të këtillë dashje ose mosdashje të mprehtë, adhurimi i ministrit të Shqipërisë për bukurin’ e grave është kryesisht konservativ. Pamja e një gruaje, siç thotë, duhet kurdoherë të jet’ në shkallë të dytë ose pas personalitetit të saj tërheqës. Në mes një numri të madh mikeshash q’e adhurojnë, ay çmon më tepër ato me mençuri të jashtëzakonshme, dhe ato nga të cilat qëndron lark – ne mund të përdorim një frazë kaq t’ashpër kur flasim për një zotni t’urtë – ka të ngjarë të jenë nga tipi i çqetësuar me gjallësi si të lozonjares. Mbi veshjen e grave amerikane ministri Konitza nuk thotë gjë sendi tjetër – pothuaj se asgjë – përveç fjalëve lëvdonjëse. Ato kanë përdorur fuqin’ e mendjes dhe i kanë bërë modat e botës më të hijshme dhe më artistike, duke ngulur këmbë për moda pa salltanete. Tani do të qe më mirë sikur të mos mbanin këpucë me thembra të larta, duke pëlqyer në vent të tyre opinga të qëndisura e të bukura! “Gjer me një pikë, ashtu po bëjnë”, i thashë dhe ay m’u duk sikur mbeti i kënaqur. Tani në dëshironi të mësoni se ç’kuptim ka emri i parë i tij, i cili, meqë bie fjala, për miqt’ amerikanë të tij është vetëm “Frano”, mund t’ju them që zë vendin e emrit “Augustus”. Se ç’kuptim ka emri Augustus, jam i sigurt q’as unë nuk e di.
Megjithe respektin qe kam per gazeten ” Dita ” dhe zotin Nasho Jorgaqi, me duhet te bej nje verejtje miqesore: Kur kerkoni te botoni shkrime qe merren ne shtypin e huaj ( ne gjuhe te huaja ) perpiquni te gjeni njeriun e duhur per ta perkthyer. Perkthyesi Drizari mund te jete nje zoteri i mire por puna eshte se ai nuk e njeh fare gjuhen letrare shqipe. Perkthimi i bere prej tij ka jo vetem gabime te medha por edhe eshte bere ne nendialekt. Me sa duket, perkthyesi, ose ka lindur ne Amerike, ose e ka lene Shqiperine prej nje kohe te gjate.
I dashur Nasho, Faik Konica ka qene nje Enciklopedi e gjalle, mjeshter i gazetarise e publicistikes shqiptare. Megjithate, duke qene njeri me karakter te paqendrueshem, edhe shkrimet e tij mjeshterore mbi personalitet politike e shoqerore, mbajne vulen e gjendjes se tij shpirterore te momentit:: te njejtin njeri, nje here na e skalit si Prometeun e Greqise se lashte, heren tjeter si Neronin qe i vuri zjarrin Romes. Cili Faik te besojme?!
Cilesimi tjeter: “personalitet i historisë shqiptare” nuk i shkon per shtat nje gazetari apo publicisti, sado i talentuar qe te kete qene ai.
perkthimi eshte mjeshteror,i pershtatet stilit te Konitzes se madh..E folura e fisme e bejlereve te Leskovikut.Konitza nuk eshte sufllaqe sipas standartit,o Maloku,eshte arome e luleshtrydhes se Nemerckes,eshte si pike e veres vlosh te dale nga buti i Lisit.Standarti eshte per proletaret,Maloku.! Dru me pre.
Zoteri ” Redisheheri”! Nuk ke asnje arsye te hidhesh perpjete si geshtenja ne zjarr. Nese je nga ” fshati ” i Konices, kjo nuk don te thote se ke te drejte per perkthimin. Ate perkthim nuk e ka bere Konica dhe as eshte shkrimi i Konices. Ai eshte perkthim nga anglishtja. nese perkthen dicka per gjithe shqiptaret duhet ta perkthesh ne Standartin Litrar. Nese e do vetem per fisin apo katundin, apo, e shumta, qytetin tend, atehere botoje ne ndonje fletushke periferike. Sa i per ket Standartit, ai eshte per njerezit e kulturuar dhe te qyteteruar. Nendialektet jane per njerezit e pagdhendur. Nese ti zoteri vuan per pak bejlerizem, kjo eshte puna jote, por nuk mund te kete gjuhe bejleresh dhe gjuhe ” proletaresh”, por gjuhe letrare. Keshtu e ka gjithe bota e qyteteruar. Nese ty te besdisin proletaret, atehere me duhet te them se i perket asaj kategorije shoqerore per te cilet nuk duhet te na vije keq qe regjimi komunist i shtroi ne sofer me ” proletaret ” pasi ishin mesuar gjithe jeten ne maje te kalit, vetem te sundonin, por jo te degjonin dhe te punonin.
Mabelle Jennings është emri i saktë. Nuk është burrë por grua. Ka qenë gazetare nga Nju Jorku. Nuk e di nga i gjen Nashua këto dhe i kopjon gabim.