“Spiegel” na njeh me historinë e holandezit Robert Driesen, i cili për tre dekada ka realizuar kopje të pikturave dhe skulpturave më të vlerësuara nga studiuesit e artit, duke u shndërruar në një ndër njerëzit më të pasur të vendit të tij
Një ndër falsifikuesit e artit më të mëdhenj në botë është Robert Driesen, që e përjavshmja gjermane shkoi dhe e gjeti në Tailandë për ta intervistuar. Prej 8 vitesh Dreisen jeton në shtetin aziatik për t’iu shmangur arrestimit të policisë gjermane. Në më pak se 30 vjet u specializua në krijimin e pikturave dhe skulpturave të falsifikuara dhe me imitimet e tij ka arritur të grumbullojë rreth 8 milionë euro. Sipas një analize të policisë, ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë krijuar rreth 100 mijë skulptura false.
Kush ishte Robert Driesen?
54-vjeçari ka lindur në Arnhem të Holandës dhe në moshën 16-vjeçare, pasi braktisi shkollën, filloi të pikturonte për të mbajtur veten. Kishte një lloj agjenti, i cili arrinte t’ia shiste pikturat në Gjermani, deri në momentin kur ky e pyeti nëse ishte në gjendje të realizonte kopje të veprave të piktorëve holandezë, si: Paul Gabriel, Xhoan Hendrik Veisenbruk, Hendrick Vilem Mesdag etj. Me disa vite përvojë arriti të pikturonte vepra të ekspresionistëve, si Emil Nolde, August Macke dhe Vasili Kandinski. Seria e dytë e pikturave të “inspiruara” nga ekspresionistët i pëlqeu shumë rishitësve të artit, të cilët blenë vepra të ndryshme të tij. Midis tyre ishte Mikel van Rijn, kontrabandier arti me famë botërore.
Për një pikturë false, në atë kohë Dreisen paguhej 500 deri në 700 euro. Sot as që nuk do t’ia dijë se ku kanë përfunduar imitimet e tij. Dikush thotë se disa prej tyre mund të ndodhen në ndonjë muze holandez ose gjerman, ndërsa të tjerat i janë shitur “Sotheby’s e Christie’s”, një prej ankandeve më të rëndësishme në botë.
Në vitet ’80, Robert Dreisen, në sajë të imitimeve të tij kishte fituar mjaftueshëm sa për t’u konsideruar i pasur. Skulpturat e para nisi t’i realizojë në vitin 1987. Në intervistën për “Spiegel”, ai thotë se një nga faktorët më vendimtarë që e nxiti t’i futej këtij biznesi ishte tregu i skulpturave shumë i frekuentuar në atë kohë dhe shumë më “i sigurt” se ai i pikturave. Shtëpitë e artit shisnin disa kopje të të njëjtit subjekt dhe numri i kërkesave për to mbetej i lartë.
Bashkëpunëtorët e tij
Guido S., tregtari i tij i besuar shkroi edhe një libër mbi këtë çështje, duke sajuar që skulpturat e Xhakometit qenë mbajtur të fshehta nga vëllai i tij Diego, nga i cili Guido S. i kishte blerë më pas duke ua shitur disa koleksionistëve nëpër botë. Zviceriani Alberto Xhakometi është një nga skulptorët, veprave të të cilit Dreiseni i ka bërë më shumë imitime se kujtdo artisti tjetër. Pas vdekjes së tij në vitin 1966, vlera e skulpturave që realizoi u shumëfishua. Tre vjet më parë shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” arriti të shiste për 74 milionë euro një nga kryeveprat e tij. Siç tregon vetë Dreisen, realizimi i falsifikimeve ishte i thjeshtë edhe nga pikëpamja teknike: “Figurat janë të holla, gjatoshe, amorfe dhe me një sipërfaqe të porëzuar”. 30 deri në 40 minuta ishin të mjaftueshme që ai të përfundonte një nga imitimet e artistit zvicerian.
Në 2005-n, Dreisen bashkë me familjen emigroi drejt Tailandës, por vazhdonte të depozitonte pagesat e biznesit të tij në një llogari në Gjermani. Në disa raste u kthye në Holandë për të vazhduar me “profesionin” e tij. Pesë muaj më vonë, bashkëpunëtorët e tij, Guido S. dhe Lothar S., u arrestuan në Frankfurt ndërsa përpiqeshin të shisnin për një vlerë prej 338 mijë euro disa falsifikime të Xhakometit. Por nuk bëhej gjë me Dreisenin, që duke mos qenë qytetar gjerman, nuk mund të ekstradohej nga Tailanda.“Spiegel” e mbyll duke nënvizuar se Robert Dreisen është falsifikatori i artit më i rëndësishëm i Evropës që jeton në liri.
Përgatiti: Dorina Gjuzi