Historia e personaliteteve njerëzore njeh jo pak raste kur entuziazmi dhe vrulli i ideve progresiste rrëmben në vorbullën e vet njerëz të përkushtuar kauzës së lirisë e drejtësisë shoqërore, edhe kur ajo vjen në kundërshtim me interesat e klasës së cilës i përkasin. Kështu ka ngjarë me personalitete të spikatura të Rilindjes Kombëtare dhe LANÇ-it. Një ndër ato mbetet edhe familja Bakalli, me prejardhje arkondësh të Durrësit, e përfaqësuar nga Vasil, Harilla, Spiro, por edhe të tjerë Bakallë me kontribute jo të vegjël, të cilëve kauza e atdhetarisë u dha ndjenjën e fuqisë dhe qetësinë e ndërgjegjes për veprim.
Vasil Athanas Bakalli
Tregtar, arsimuar në kolegjin gjerman Stamboll. Në periudhën 1928-1942 ishte edhe nënkryetar i zgjedhur me votim nga populli i Bashkisë së Durrësit. Vasil Bakalli, njëri nga dy delegatët e Durrësit në Kongresin e Dytë Gjithortodoks të Korçës, qershor të vitit 1929, dhe anëtar i grupit të punës për përgatitjen e Statutit dhe Rregullores së Përhershme të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në këtë rast miqësohet me Llazar Bozon, delegatin e Myzeqesë.
Në ditarin e mbajtur gjatë vizitës në Vienë, Austri, në 1930, Vasil Bakalli, nënkryetar i Bashkisë së Durrësit, shkruante:“… në hyrjen e një prej shkollave me të bukura të kryeqytetit, në një tabelë bronzi, lexova: ai që ngre shkolla për të rinjtë, rrëzon mure burgjesh. Më erdhi në mendje miku im arsimtar z. Naqe, i cili më tregonte rëndësinë që kanë godinat shkollore, dhe se kjo nevojë nuk po merret parasysh nga njerëz të cilët e kanë në dorë arsimin shqiptar”. Në mbyllje të shënimeve Vasil Bakalli vlerëson: “ Shkolla, … është shenja e parë qi na tregon për shkallën e qytetërimit të një populli. Është një çfaqje e prekshëme e kujdesit për djalërinë”.
Kur në dhjetor të vitit 1943 Vasil Bakalli dhe i biri, Marjani, merren në Durrës dhe gjykohen nga Gjykata Ushtarake Gjermane në Lushnje, si familjarë të komisar Spiro Bakallit, e dënohen me vdekje, qe patrioti myzeqar Llazar Bozo i cili mbledh ndihma në flori e ia dorëzon kryeministrit kuisling në Tiranë për t’i shpëtuar Bakallët.
Në vitin 1945 Vasil Bakalli kandidon si deputet i pavarur në Shijak. Arrestohet në vitin 1946 si pjesëtar i “Grupit të deputetëve” dhe dënohet nga gjykata ushtarake në Tiranë me 10 vite burg si “armik i popullit”.
Harilla Athanas Bakalli
Harilla Bakalli, ndryshoi pamjen e gazetarisë shqiptare të kohës. Ai u rreshtua krah të Faik Konicës, Mit’hat Frashërit, Kostë Çekrezit, Ernest Koliqit, Nebil Çikës, Branko Merxhanit, Mihal Sherkos etj.
U lind në Durrës në vitin 1892. Prindërit e Harrilla Bakallit ishin Athanasi dhe Llambrinia, durrësakë të lindur. Kishte vëlla të madh Vasilin dhe një motër, Aretinë. Harilla u diplomua ekonomist në Kolegjin Tregtar Francez, Selanik, dhe më pas mësoi privatisht për gazetari. Zotëronte gjuhët greqisht, frëngjisht, italisht. Harilla e filloi veprimtarinë publicistike në gazetën “Shekulli i Ri” të Durrësit.
Në vitin 1914 emërohet kryearkëtar i shtetit në Ministrinë e Financave. Gjatë viteve 1921 -1925 ishte përfaqësues i shtypit shqiptar në Athinë, nga ku shkroi edhe për “Shqiptari i Amerikës”; “Dielli” Boston; “Paqja” e Stambollit; “Drita” e Gjirokastrës etj., me objekt: padrejtësitë në caktimin e kufijve, pasuritë e shqiptarëve jashtë atdheut, dhe pavarësinë e vend.
Më 17 prill 1924 gazeta “Politika”, në faqen e saj të parë boton një foto të Harillës të shoqëruar me këtë tekst : “Një nga më të mirët atdhetarë dhe të zgjuar që ka sot Shqipëria, i cili ç’prej fillimit të gazetës s’onë ka qenë korrespondenti ynë në Athinë me pseudonimin “Ushtimi i Durrësit”, që ka shkruar një shumicë artikujsh të vlefshëm…”.
Gjatë qëndrimit në Athinë, Harilla Bakalli ushtron edhe postin diplomatik të këshilltarit në Legatën Shqiptare Athinë. Në një telegram kryeministrit Ahmet Zogu, më 10 shkurt 1923, H.Bakalli shkruan: “… Deklarata e diplomatit grek… për ne që vërejm për s’afërmi veprat e qeverisë greke, na bën të mendonemi a vjen prej një ndjenje të sinqertë, apo nga puna se orizonti i Lindjes pas çkputjes së marrëveshjes në Lozanë po nxihet?”
Më 28 nëntor 1929, Harilla shfaqet si pronar dhe botues i gazetës “Vullneti”, që më vonë u quajt “Vullneti i Popullit”. Në nëmurin e parë të gazetës ai shkruan: “Po dalim në dritë tamam ditën e indipendencës s’onë kombëtare…pse duam t’i tregojmë popullit se ne do të jemi të denjë të ruajmë brez pas brezi këtë indipendencë të shenjtë, të fituar me aq gjak dhe aq sakrifica…”. Në 16 faqet e së përditshmes “Vullneti i Popullit” jehonin zëri dhe hallet e vegjëlisë nga Kosova në Çamëri. Krahas aktualitetit, politikës, parlamentit shkruhej për jetesën e popullit, për fshatin; jepeshin dije për farërat, sëmundjet, mbrojtjen e bimëve dhe kafshëve bujqësore. Gruaja, rinia, sportet, kultura kishin rubrikat e tyre pothuajse çdo numër. Shumica e shkrimeve firmoseshin nga penat më të dalluar të kohës. Disa numra të gazetës u ndaluan të botoheshin pasi nuk kaluan filtrin e Zyrës së Shtypit të qeverisë.
At Gjergj Fishta, në dyvjetorin e daljes së “Vullneti i Popullit” mes tjerash shkruante: “…fletorja Juaj, rrotull ktij vjeti, nuk e ka djerrë sysh idealin e vet- të mirën e kombit tonë -…për me vozitë ndër tallazet të vshtira të kohvet e të vendit…përgzohemshi prej zemre me Z. t’Uej…e si fletores, si ju, uroj jetë të gjatë e përparim … ” .
Harilla Bakallit i kapërceu kufijtë e vendit. Në Enciklopedinë prestigjioze “WHO’S WHO”, edicioni 1933-1934, Zvicër, është përfshirë edhe durrsaku Harrilla Bakalli, mes njerëzve më të shquar nga 17 shtete të Europës. Në faqen 51 të Enciklopedisë gjendet emri, biografia si gazetar, diplomat, financier.
Harilla Bakalli, kishte kulturë poliedrike. Ja, tre shembuj që vërtetojnë këtë: Harilla në partneritet me Federatën e Futbollit Amsterdam, Holandë, organizon për herë të parë, në vitin 1931, kupën e gazetës “Vullneti i Popullit” që u fitua nga ekipi “Teuta” Durrës. Ai u investua për organizimin e koncertit të sopranos tonë të famshme Tefta Tashko Koço, në kinema “Gloria” Durrës. Ai shkroi posaçërisht një artikull – te gazeta “Dielli” Boston, Amerikë – për librin ‘Majat e Shalës’, të autores amerikane Rose Wilder Lan.
Nga mesi i vitit 1932, armiqtë e shtypit të lirë i afruan Harilla Bakallit dy zgjidhje: burgun ose mbylljen e gazetës. Ai largohet në Zvicër. Në këtë rast Terenc Toçi, avokati i parë i të drejtave dhe lirisë së shtypit shqiptar, deklaron publikisht se: “… E atëherë kundrejt shqiptarofiles unë çoj në kambë Harrilla Bakallin shqiptar: Shqiptar në Durrës në kohë të Turqis, kur shqiptarizma mund të paguhej me litar; shqiptar n’Athinë … e luftëtar e polemist i rreptë, po n’Athinë”… .
Nga fundi i vitit 1933 deri në pushtimin fashist Harilla kryesoi dhomën e tregtisë dhe ekonomisë së Durrësit, që në atë kohë ishte qëndra më e madhe tregtare dhe portuale në vend.
Në jetën e Harilla Bakallit, nga viti 1939 deri në 1947, ndërhyn një faktor i pashmangshëm dhe i rëndësishëm politik: nipi i tij, Spiro Bakalli, i cili braktisi studimet universitare në Monpelie të Francës dhe si shumë idealistë të tjerë kthehet në Shqipëri për të vënë jetën në shërbim të çlirimit të vendit. Nacionalisti Harilla, beqar, ka tani në krah një drejtues të Lëvizjes Antifashiste, dhe përjeton një kohë të ngjeshur me aksione të fshehta aq sa e gjen veten nënkryetar i Frontit Nacionalçlirimtar për Durrësin.
Harilla u arrestua, në vitin 1943, në Tiranë, nga kuislingët e organizatës “Mbrojtja Kombëtare”, e cila “pastronte” elementët e lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Ata e dënuan me vdekje, por fatmirësisht, rrugës për te Bregu i Lumit, vendi i pushkatimit, makinës iu ça goma e u kthye në qytet, ku pastaj ngjarja mori tjetër drejtim – jo për shumë kohë. Harilla, mbas çlirimit, ishte i pari drejtor i skelës së Durrësit, dhe njëkohësisht përfaqësues i qeverisë për menaxhimin e ndihmave që vinin nga UNRA.
Harilla u shqua si menaxher i zoti i Portit të Durrësit. Ai menaxhoi me sukses mijëra tonë mallra që pruri me emergjencë “Misioni Ushtarak Aleat”, si medikamente, ushqime, veshmbathje, mjete transporti, me vlerë 32 milionë US dollarë. Ai menaxhoi ndihmat e mëdha që dhuroi UNRRA, që arrinin në 130.000 tonë, me vlerë 26.500.900 US dollarë. Ai menaxhoi me kujdes e komoditet riatdhesimin e shqiptarëve nga Italia, riatdhesimin e italianëve drejt Italisë, riatdhesimin e 170 hebrejve drejt Palestinës me anijet e UNRRA-s. Fundi i Harilla Bakallit ishte i një lloji si fati i shumë intelektualëve e tregtarëve durrsakë. Në fillim të vitit 1947, Harilla Bakallin e thirrën në Degën e Brendshme, arrestohet si agjent anglo-amerikan e torturohet me pasojë vdekjen në qeli, i pa gjykuar.
Spiro Vasil Bakalli
Pinjoll i aristokracisë intelektuale, tregtare të qytetit bregdetar. Përgjegjës i celulës të Grupit Komunist të Korçës, në Durrës; anëtar i PKSH prej 8 Nëntorit 1941.
Spiro Bakalli, ishte personalitet i administratës qendrore të sistemit bankar dhe financiar të shtetit shqiptar, pas çlirimit. Lindi më 1 qershor të vitit 1909, në Durrës. Mësimet e para i mori në Korfuz dhe Athinë. Mbaroi Liceun Tregtar, në Trieste, Itali. U diplomua në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës. Ishte njohës i gjuhës e letërsisë italiane, franceze dhe greke.
Deri në vitin 1941 punon si llogaritar në filialet e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bankës Kombëtare të Punës, në Durrës. Spiro Bakalli, bashkë me Nako Spiron, shkon në Francë me synim: përgatitjen dhe pjesëmarrjen me armë në dorë në Luftën Civile Spanjë, si internacionalistë, përkrah forcave të majta republikane spanjolle. Ndërkohë informohet, nga Partia Komuniste Franceze, për planet pushtuese të Italisë fashiste ndaj Shqipërisë. Kthehet në Durrës, ku bashkë me Nako Spiru; Shefqet Bejën; av. Sulë Bogdon; dr. Enver Sazanin, dr. Medar Shtyllën, Aleksandër dhe Lefter Gogën; Telat Nogën; Teodor Hebën; Jorgji Lipën; Iljaz Rekën, etj., frymëzuan rezistencën antifashiste.
Në 8 Nëntor 1941, zgjidhet sekretar Politik i Qarkorit të PKSH-së të Durrësit, ndërsa Hajdar Dushi zgjidhet Sekretar Organizativ. Në mars të vitit 1942 urdhërohet nga pushtuesi fashist italian arrestimi i tij.
Në një dokument të AQSH, datë 20 prillit 1942, dërguar Prefekturës Tiranë, për dijeni edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (Zyrës politike), thuhet: “Kërkohen si pjesëtarë në manifestimin e dymbëdhjetë prillit këtu dhe dyshohet të gjinden në Tiranë të poshtëshënuarit: Kin Sheldija nga Shkodra, Spiro Bakalli, durrsak, Zyhra Ferra nga Kruja, Anastas Zhuzhi nga Senica e Delvinës (punonjës banke që të katër),… . Lutemi të kërkohen dhe në rast se gjenden, të arrestohen tue na lajmërue. Prefekti Tef Naraçi”.
Spiro Bakalli del në ilegalitet, ndërkaq urdhërohet të shkojë për organizimin e luftës së armatosur në Mat, ku gjeti mbështetje, me njerëz me pushkë në dorë, nga Dulejman Çela – figurë emblematike e nacionalizmit të pastër matjan, dhe nga Haki Fejzo – kryeluftëtar i Çetës së Matit.
Mbas plotësimit të detyrës në Mat urdhërohet të shkojë në Myzeqe. Me krijimin e Grupit Partizan të Myzeqesë, më 20 shtator të vitit 1943, caktohet komisar politik, dhe komandant Rrahman Ruçi. Në mes të vitit 1944 Grupi Partizan i Myzeqesë u quajt: Grupi i Parë Partizan i Qarkut të Beratit. Kishte 850 partizanë me armë në dorë. Qe formacioni më i madh luftarak i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Në Kongresin e Përmetit, Spiro Bakalli zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional-Çlirimtar.
Bashkëluftëtarët e Spiro Bakallit në Myzeqe ishin Spiro Mojsiu, Rrahman Ruçi, Irakli Bozo, Miti Bozo, Koli Bozo, Feredun Xhindole, Myftar Xhindole, Aleko Bozo, Xhorxhi Robo, Llaqi Jano e Mihal Jano, Sokrat Bufi, Sedat Ruli, Naim Kuçi, Lili Shtrepi, Hasan Gina, etj. Pas çlirimit të vendit Spiro Bakalli emërohet drejtor i Bankës Shkodër; më pas transferohet përgjegjës i komunales Delvinë. Në vitin 1948, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar dhe njëkohësisht zv/ministër i parë i Financave. Nuk ka qenë deputet, dhe as i zgjedhur në Parti.
Doli në pension në vitin 1973 për arsye shëndetësore. Ndërroi jetë në Tiranë, në 23 shkurt 1991.
Familjet e mëdha të Durrësit
Përçuese e kulturës së zëshme të Durrësit, familja Bakalli kishte lidhje fisnore, miqësore dhe shoqërore me familjet e vjetra të mëdha dhe atdhedashëse si, me atë të Minella Lekës, Pavli Terkës, Alfons Dovanës, Tom Trujës, Lefter e Aleksandër Gogës, Kristaq e Mihal Ramës, Dhimitër Kazanxhiut, Nako Spirus, etj. Të gjitha këto familje u orientuan drejt në jetën politike, publike dhe sociale të qytetit të tyre, duke dhënë një kontribut të veçantë në të tëra periudhat dhe ngjarjet historike të vendit tonë. Kontributi i tyre është që në mesjetën e hershme, por për të mos shkuar më tej, po përmendim ato që nga Rilindja Kombëtare, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, periudhën e socializmit e deri më sot.
Një emër që duhet vlerësuar
Në botimin e vitit 1933-1934 të enciklopedisë prestigjioze “WHO’S WHO” që botohej në Zyrih, është përfshirë edhe durrsaku Harrilla Bakalli. Në këtë botim që edhe sot vazhdon të jetë i njohur për evropianët, në atë vit ishin përmendur emrat e njerëzve më të shquar nga 17 shtete të Evropës. Në faqen 51 të enciklopedisë gjendet emri i Harrilla Bakallit dhe një biografi si gazetar, diplomat dhe financier. Por me gjithë këtë kontribut dhe atribut, fatkeqësisht, për shkaqe biografike, që në monizëm e kishin qejf, emri i Harrilla Bakallit nuk përmendet qoftë si gazetar dhe botues, qoftë edhe si administrator dhe drejtues në financa dhe Portin Detar të Durrësit.
Emilia
Nëna e Spiro Bakallii quhej Emili Bakalli (Terka), arsimuar në Athinë, dhe e pajisur me kulturë të gjerë e gjuhë të huaja, aq sa bashkëshortja e Princ Vidit e afroi këtë grua shqiptare si mikeshë të vetën. Emilia nuk e festoi dot 40 vjetorin e lindjes; ndërroi jetë në 19 shkurt 1929. Ajo ishte bija e Pavli Terkës, kryetar i kryepleqësisë ortodokse të Durrësit dhe Tiranës, politikan, ministër. Gazetat “Shekulli i Ri”, “Ora”, etj., njoftuan me kolonë të veçantë, rreth 200 fjalë, vdekjen e Emilia Bakallit, ku theksohej se “…në ceremoninë e përcjelljes kishte shumë popull, autoritete, dhe funerali shoqërohej nga banda e Bashkisë”.Vlerësim ky, në atë kohë, i pazakontë për një grua.
Po te ishin te gjalle keta patriote te medhenj nuk do linin Janullatosin ne krye te orthodhoksise shqiptare e te kapardisej duke kenduar greqisht ungjillin sipas melodise greke te Athines , respekt per keta fisnike memedhetare te paharruar , njeriu lind dhe vdes por varet çfare emri le pas , fisi mbetet fis si ky trung Arhondesh shqiptare Durrsak qe kudo ku ishin brenda dhe jashte atdheut punuan per vendin e popullin pamvaresisht sistemeve politike ,
Metgimtari……… Keta BAKALLI jane Farefis me Bakallet e Sarandes me ata te Voskopojes gjithashtu edhe me parlamentatin Rumun Gigi Bekali(bakalli) dhe i perkasin etnise Arumune apo Vllahe, kane qene me patriota Vllehet sesa vet Shqiptaret ne kohen e Rilindjes. Lirisht munf te interesoheni me mir me Durres dhe do me jipni te drejte, une njoh personalisht edhe sot pasardhes te tyre.
Epiri ! une vet jam me origjine puro shqiptar nga jugu i Epirit dhe kam degjuar nga te paret mi dhe per vllehet qofshin keta pro apo antishqiptar , po komunikojme bashke fale alfabetit shqiptar ku dhe vllehet kane kontributin e tyre ne kulturen shqiptare siç eshte rasti i fisit Bakalli , figurat historike shqiptaro-vllahe jane te shumta qe historia e populli shqiptar i njeh , por une di se historia e Kombit Shqiptar nuk eshte shkruar e plote dhe e sakte nga nderhyrjet e politikes fatkeqsisht , nuk po zgjatem se temen e historise e kam te perzemert ,
Vllehet e Shqiperise, te pakten, ky komunitet ne Shqiperi, jane ILIRE, Epiriote te latinizuar nga prania mbi 1000 vjecare e Perandorise Romake te Perendimit, edhe te Lindjes, ne trojet e ILIRICIUMIT dhe EPIRIT, provinca keto administrative, ushtarake, tregtare, shoqerore, kulturore etj., te Perandorise Romake. Shtoni edhe dhjetra mijera kolone latine qe erdhen e u vendosen ne Iliri dhe Epir,e qe sollen edhe gjuhen e zakonet e tyre etj., etj. Prandaj nuk ka patur shkolla per te mesuar gjuhen vllace, sepse gjuha baze ishte shqipja. Gjuhe zyrtare ishin latinishja dhe me pas turqishtja, shqipja. Vllacja ishte gjuhe brenda shtepise, familjes, tregetise me latinet, edhe ne zyra, ushtri, e te tjera mjedise publike. Prandaj edhe shteti i Vllahise nuk pati jete te gjate sepse u montua, nga te huajt, brenda territorit te Ilirise dhe Epirit, si nje arne e panevojshme. Prandaj edhe tentativat e qarqeve te “koklavitura” euro-ballkanike per rikrijimin deri von, pas Luftes se Pare Boterore, te shtetit te Vllahise kane deshtuar. Kane deshtuar sepse ekzistonte Shqiperia, themeli i patundur dhe i paprere i Ilirise, Epirit, Arberise, i shqiptareve sot e kesaj dite. Nga pikpamja fetare, shqiptaro-vllehet e ruajten me shume nga te gjithe shqiptaret e tjere origjinen e tyre fetare, si te krishtere. Cdo tentative per ti quajtur vllehet jo shqiptare perkon qint per qint me tezen se kosovaret, camet, mallakastriotet etj., nuk jane shqiptare!!! Pra, te thuash vella eshte njelloj si te thuash kosovar. Dhe te thuash kosovar eshte njelloj si te thush cam. Rrofte Shqiperia – ne fije te perit i shkoi e po i shkon jeta. Kaq se ju lodha. Tung.
I kam akoma dhe sot keto fotografi te stergjysherve. 🙂