Katër persona të maskuar dhe të armatosur tentuan të grabisin një banesë në zonën e Paskuqanit pak ditë më parë. Policia njoftoi se bëhej fjalë për një tentativë grabitjeje. Por familjarët tregojnë se agresorët i mbajtën peng, duke ushtruar dhe dhunë mbi ta, ndërsa u larguan pasi nuk i gjetën dot lekët e kërkuara. Agresorët kanë mundur të hyjnë në banesën e Elmaz Manellarit, nëpërmjet dritareve, ku nën kërcënimin e armëve dhe torturave, kanë kërkuar prej tij dhe 3 pjesëtarët e tjerë të familjes, që t’u merrnin paratë. Ndërkohë vëllai i viktimës kërkoi nga policia kapjen e autorëve, të cilët sipas tij ushtruan terror edhe mbi fëmijët. “Na thanë se donin 5 milionë lekë, por ne nuk kishim. Bëmë rezistencë, por na goditën. U thamë se nuk kishim dhe të mos na bënin keq. Pasi kontrolluan dhe nuk gjetën gjë, u larguan. Ishin të maskuar dhe me armë”, thotë Manellari. Pasi nuk kanë mundur të marrin gjë grabitësit kanë dalë nga porta kryesore e banesës. Sipas familjarëve në atë kohë mbërriti dhe policia, e cila ende nuk ka persona të dyshuar apo të ndaluar për ngjarjen. “Na kanë lidhur edhe këmbë e duar e goditur për një orë me radhë. Jemi ankuar dhe duam që policia të gjejë autorët, jo të fshehë ngjarjen”, thotë Manellari.