Kanë qenë orët e paradites kur krismat e një arme zjarri të tipit pistoletë kanë lënë pa frymë mbi asfaltin e një rrugice të brendshme të lagjes nr.18 të qytetit të Durrësit një 27-vjeçar me profesion shofer. Viktima e identifikuar më pas si 27-vjeçari Refik Lila, nuk ishte banor i lagjes ku ka ndodhur vrasja.
Sipas banorëve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00. Krismat e armës kanë shqetësuar banorët e lagjes, të cilët kanë dalë menjëherë në dritraret e pallatit. “Fillimisht, – tha një grua, – kujtuam se ishin fishekzjarre që mund t’i kishte hedhur dikush dhe kur kanë dëgjuar të bërtiturat kanë parë para pallatit të tyre një të ri të gjakosur, i cili ishte goditur tre herë me armë zjarri nga të cilat njëra prej goditjeve në kokë ka qenë vdekjeprurëse”.
Banorët thanë se viktima ka qenë duke biseduar në telefon në momentin që është qëlluar. Policia ka identifikuar ndërkohë autorin e dyshuar dhe ka ushtruar kontrolle në lagje. Vrasja ka ndodhur në sy të shumë dëshmitarëve, të cilat janë thirrur nga policia për të bërë sigurimin e dëshmisë në vendngjarje.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen Numër 18 në periferi të qyteti të Durrësit, midis një blloku pallatesh banimi që njihet si zona e “fushës së rërës”. Sipas dëshmitarëve, Refik Lila me origjinë nga qyteti i Peshkopisë është qëlluar me armë zjarri në afërsi të hyrjes së një pallati në afërsi të vendparkimit. Pasi është qëlluar ai ka lëvizur disa metra më këmbë dhe më pas ka humbur jetën.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet mbi disa pista. Refik Lila sapo ka zbritur nga mjeti i tij “Ford Fokus” me targa të huaja PV 815639 dhe është larguar disa metra nga mjeti është qëlluar me plumba nga të cilët njeri i ka dhënë dhe plagën vdekjeprurëse në kokë. Inspektorët e krimeve të rënda në vendngjarje kanë nisur mbledhjen e provave dhe të dëshmive, me qëllim për dokumentimin e krimit. Mjeti tip “Benz” është parë ndërkohë nga shumë dëshmitarë.
Policia ka shoqëruar rreth 20 persona për të bërë sigurinë e dëshmive të rastit. Madje thuhet se ka pasur edhe telefonata për të njoftuar mbi identitetin e mjetit që është larguar me shpejtësi nga vendi i krimit. Kjo sepse ngjarja ka ndodhur në një periudhë të ditës kur ka pasur shumë njerëz në lëvizje dhe po ashtu nga dritaret e banesave të tyre kanë dalë shume njerëz pasi kanë dëgjuar krismat e armës.
Pas disa orë kërkimesh policia ka njoftuar se e ka arrestuar autorin e dyshuar. Sipas njoftimit të saj, nga tërësia e veprimeve proceduriale dhe provave shkencore të administruara në vendin e ngjarjes, u identifikua si autor i dyshuar i kësaj ngjarje 28-vjeçari Ardit Hyska, lindur ne Tiranë e banues në Durrës, shtetas me precedentë të mëparshëm penale kundër personit e pronës. Policia nëpërmjet një konference për shtyp ka bërë me dije se “u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e krimit, pistoletë e markës Beretta, kalibri 7,65 mm, e cila ishte fshehur prej autorit pas ngjarjes; autovetura e markës Benz me targa AA 307 AB, e përdorur prej tij për largim nga vendi i ngjarjes, kapela dhe bluza e përdorur gjatë kryerjes së veprës”.
Sipas deklarates zyrtare lidhur me kete ngjarje praktika proceduriale për veprat penale të vrasjes me paramendim dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake do t’i delegohet për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Durrës. Ndërkohë policia dyshon se ka edhe disa persona që kanë qenë në dijeni për vrasjen e cilësuar si të paramenduar dhe po heton për të bërë arrestimin e tyre.
Hetimi
Ekspertë të kriminalistikës, por edhe hetues të çështjes, kanë marrë në pyetje mbi 20 persona në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa janë shoqëruar tre persona të cilët dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen. Sipas dëshmive të pakonfirmuara zyrtarisht, dy janë pistat në të cilën është fokusuar puna e policisë, ajo e vrasjes pas një konflikti të çastit apo vrasjes me paramendim pas një konflikti të hershëm që dy personat kishin pasur për një femër. Tabulatet telefonike mund të detajojnë diçka më shumë rreth kësaj ngjarjeje të rëndë.
Familjarët paraqesin alibi
Autori i dyshuar është arrestuar në mjediset e spitalit ku kishte të shtruar të atin. Të afërmit e tij kanë deklaruar se arrestimi i të afërmit të tyre është i padrejtë, duke deklaruar se Ardit Hyska është i pafajshëm dhe se nuk ka lidhje me vrasjen e 27-vjeçarit Lila. Bashkëshortja e autorit të dyshuar për vrasje, Arta Hyska, ka deklaruar se Arditi ka qenë gjatë gjithë kohës në spitalin e Durrësit në praninë e tyre dhe të të atit të sëmurë, i cili është shtruar prej disa ditësh për kurim.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se Arditi nuk ka pasur njohje apo konflikt të mëparshëm me viktimën, duke e cilësuar si të padrejtë arrestimin e tij në ambjentet e spitalit nga policia e Durrësit. Po kështu, kunati i të dyshuarit Ervin Flaga, ka deklaruar se në kohën që ka ndodhur vrasja, ka qenë së bashku me Arditin.
Duke kundërsulmuar policinë pas arrestit, familjarët kanë deklaruar se gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz” me targa AA 307 AB, në prani edhe të tyre, policët nuk kanë gjetur asgjë, ashtu sikurse edhe gjatë kontrollit në banesën e të afërmit të tyre.
Dëshmia e Ardit Hyskës
Autori i dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit Refik Lila me origjinë nga Dibra dhe me banim në lagjen numër 17 Durrës, mësohet të mos ketë pranuar autorësinë e krimit para grupit hetimor.
Ardit Hyska thuhet se ka deklaruar se nuk ka asnjë njohje apo konflikt të mëparshëm me viktimën, duke mos marrë përsipër autorësinë e krimit.
Policia
Policia ka bërë me dije se arma është gjetur e fshehur, ndërkohë që po verifikohen gjumët e kreshtave papilare të të akuzuarit. Ndërkohë që i është në shtruar kontrollit të gjurmëve të barutit që mbesin zakonisht në gjymtyrët e qitësit në raste të tilla.