Fast & e Furious është seria e filmave që e ka ngritur në kult çmendurinë në rrugë, me garat me makina super të shpejta, tej limiteve të ligjit. Janë plot gjashtë filma, i fundit i dalë në kinema në maj të këtij viti (po përgatitet edhe i shtati), të cilët kanë bërë me miliona tifozë në gjithë botën dhe ka shumë që duan të imitojnë personazhet e luajtur nga Vin Diesel, Paul Walker e të tjerë. Një garë e ngjashme ka qenë gati të zhvillohej edhe në Rrugën e Kombit, por është ndaluar në çastet e fundit nga policia kosovare. Siç shkruan gazeta “Zëri”, të dielën në mesnatë, njësitë policore që mbikëqyrin autostradën kanë arritur të parandalojë mbajtjen e një gare të paparalajmëruar automobilistike. Mbi 100 makina të ndryshme ishin grumbulluar, kryesisht të reja e të shpejta, gati për garë. Veç “pilotëve”, ishin mbledhur edhe rreth 150 tifozë nga rajone të ndryshme. “Zhvillimet garave të kundërligjshme me automjete janë rreptësisht të ndaluara në bazë të ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor”, thuhet në deklaratën e policisë kosovare, ku sqarohet se kundravajtësit dënohen me gjoba nga 130 deri në 400 euro. Njësitë policore të komunikacionit rrugor të mbështetura nga forca të tjera nga Malisheva kanë arritur të parandalojnë zhvillimin e kësaj gare dhe të largojnë automjetet nga autostrada.