Një tjetër dështim i qeverisë “Berisha” është ai në sigurinë rrugore. Partia Socialiste i konsideron të dështuara politikat e sigurisë rrugore të qeverisë gjatë dy mandateve të saj. Në një konferencë shtypi sot paradite, deputetja socialiste, Ermonela Felaj, tha se numri i aksidenteve rrugore është katërfishuar, duke përgjakur përditë rrugët e vendit. “Një ndër dështimet më të rënda të tij, me pasoja fatale për jetët e shqiptarëve, ka qenë dështimi me sigurinë rrugore. Rrugët e Shqipërisë nuk kanë qenë kurrë më të pasigurta e më të përgjakura se sa gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Ditë për ditë shohim sesi shteti është dorëzuar turpësisht para bilanceve tragjike me aksidentet rrugore. Qeveria e ka humbur betejën për të ulur numrin skandaloz të aksidenteve dhe shkaqet e tyre. Në programin e tij, Berisha premtoi investime në sinjalistikën rrugore dhe të menaxhimit të transporteve, por mashtroi dhe sot jetojmë situatën më të rëndë që ka pasur ndonjëherë vendi lidhur me sigurinë rrugore. Sot Shqipëria ka katër herë më pak automjete për 100 mijë banorë sesa të gjitha vendet e Bashkimit Europian edhe të rajonit dhe katër herë më shumë aksidente për 100 mijë banorë”.
Më tej, deputetja socialiste u shpreh se pavarësisht se qeveria ka ngritur një komitet për sigurinë rrugore, ai nuk kryen asnjë funksion. “E quajnë Komiteti Ndërministror për Sigurinë Rrugore, që e kryeson Kryeministri. Në tetë vjet ky komitet është mbledhur vetëm një herë, në vitin 2006, dhe ndërkohë, sipas statistikave, çdo ditë një shqiptar vdes në rrugë dhe tre të tjerë plagosen. Nga viti 2005, aksidentet janë rritur me 220%; po ashtu, numri i të dëmtuarve (të vdekur e plagosur) është rritur me 217%. Në programin e tij, Berisha premtoi se krahas investimeve do të shtoheshin fondet dhe do të përmirësohen metodat për mirëmbajtjen e rrugëve.
Mashtroi! Jo vetëm që nuk ka shtuar fondet por në vitin 2012 mbylli dhe Ndërmarrjen e vetme kombëtare të mirëmbajtjes së rrugëve. Sot në vitin 2013 Shqipëria nuk ka asnjë metër rrugë të certifikuar dhe të plotësuar sipas standardeve europiane, siç i kanë të gjitha vendet e Bashkimit Europian, ose që janë kandidate për në Bashkimin Europian. Rrugët e Shqipërisë, nuk kanë as elementet më minimale të sigurisë. Në programin për mirëmbajtjen e rrugëve të të gjithë Shqipërisë qeveria e dështuar e Berishës ka vendosur vetëm 13 milionë dollarë, 1.3 milionë dollarë për gjithë veriun dhe 9 mijë dollarë për Rrugën e Kombit, ku sigurisht ka një element të pandashëm, që është dëbora dhe vetëm për shkak të dëborës, mos të llogarisim asgjë tjetër, fondi i mirëmbajtjes duhet të jetë shumë i lartë”, tha ajo.
Felaj u shpreh se pas ardhjes në pushtet, PS do të investojë fuqimisht në sigurinë rrugore, pasi për të, qytetarët dhe jeta e tyre janë aseti më i çmuar. “Partia Socialiste është e vetëdijshme se aseti më i madh i vendit tonë janë qytetarët, dhe është mision i qeverisë të garantojë me çdo kusht sigurinë e jetës së tyre. Në 20 vjet janë shpenzuar miliarda dollarë në infrastrukturë rrugore, por rrugët sot nuk ofrojnë asnjë siguri dhe aq më pak komfort. Do të investojmë shumë fuqimisht në sigurinë rrugore. Ajo që ne do bëjmë është ngritja e një Qendre Kombëtare të Kontrollit të Trafikut Rrugor, siç e ka gjithë bota. Në sistemi arsimor shqiptar, publik apo jo publik, do të ketë një program siç e ka gjithë Europa, të përshkallëzuar nga klasa e parë deri në shkollën e mesme, për edukimin rrugor. Ndërkohë që rrjetin kombëtar bazë do ta ripërtërijmë krejtësisht në të gjithë Shqipërinë. Me masat që do marrim në dy vitet e para do ta zvogëlojmë me 20% dhe në mandatin e parë ta përgjysmojmë numrin e vdekjeve për shkak të rrugës në Shqipëri”, përfundoi Felaj.
Tani u kujtua kjo?ku i gjen ky rama keto mo se na hoqi mendjen.