Urgjencat mjekësore janë përballur gjatë javëve të fundit me një fluks të lartë pacientësh, veçanërisht në radhët e moshave të vogla të cilët kanë manifestuar komplikacione në rrugët e frymëmarrjes, viroza të stinës, si dhe alergji të formave të ndryshme. Duke iu referuar rasteve të përvitshme që raportojnë mjekët pediatër, ekspertët e shëndetit publik tregojnë se fëmijët e moshës nën 5 vjeç kalojnë çdo vit mesatarisht 2-4 episode të infeksioneve akute respiratorë. Ndonëse janë bërë përmirësime të dukshme sa i takon metodave trajtuese të këtyre infeksioneve, komplikacionet e shkaktuara prej tyre janë të shumta. Një ndër to është edhe pneumonia, e cila sëbashku me infeksione të tjera respiratore klasifikohet ndër shkaqet kryesore që ndikojnë në shtimin e nivelit të vdekshmërisë së fëmijëve të vegjël. Gjithashtu edhe sëmundjet diarike ndeshen shpesh tek kjo grupmoshë, për shkak të imunitetit të dobët që fëmijët kanë. Megjithatë kjo periudhë shënon edhe kulmin sa i takon numrit të personave të prekur nga sëmundjet alergjike, e veçanërisht astma, të cilët po shtohen dita ditës. Përhapja e këtyre komplikacioneve është karakteristike më shumë e moshave të reja dhe atyre pediatrike. Të dhënat e detajuara nga Instituti i Shëndetit Publik sa i takon këtyre sëmundshmërive vënë në dukej se “në vendin tonë rreth 30-40 për qind e popullsisë evidentohen si të prekur nga sëmundjet alergjike. Po sipas këtyre të dhënave rreth 3 për qind e të rriturve janë të sëmurë me astmë. Ndërkohë që 4 për qind e fëmijëve vuajnë po këtë sëmundje dhe prevalenca e astmës në vendin tonë po rritet me 5 për qind çdo vit, e cila shihet si një e dhënë shqetësuese duke mbajtur parasysh faktin se astma është një sëmundje e cila kërkon trajtim gjatë gjithë jetës për tu mbajtur nën kontroll. kundrejt kësaj situate shqetësuese bluzat e bardha po i mëshojnë gjithnjë e më shumë parandalimit, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës mbi frenimin e ekspozimit të shkaqeve që çojnë në shfaqjen e këtyre sëmundjeve. Faktorët që shkaktojnë këto komlikacione janë alergentë të ndryshëm, duke filluar nga polenet e luleve, parazitoza të ndryshme, substanca kimike që ndotin ambientin, detergjentët, pajisjet kozmetike dhe produkte nga kafshët shtëpiake.