“Mbretëresha e liqenit”, ajo midhja e famshme në qendër të fabulës së filmit “Dy herë mat”, po përjeton rënien nga froni këto vite. Aktualisht janë dy pamje krejt kundërthënëse. Nga njëra anë, është Festa e Midhjes, një kremtim i themeluar prej dy vjetësh nga Bashkia e Sarandës, si një lloj akti promovues i një vlere të çmuar të zonës, siç është ky organizëm ujor, e pranishme gjithnjë në “hartën kulinare” të Sarandës; e nga ana tjetër është gjendja reale në terren, ku për midhjen nuk ka festë, por mort.
Hysen Mane, është si të thuash, një “baba” i liqenit, një kultivues zanatçi i midhjes, që e ka porsi oksigjenin që thith këtë punë. E vlerëson atë që ka bërë Bashkia, themelimin pra të nje feste kushtuar midhjes, por kjo sipas tij nuk rregullon asgjë nga ajo që ndodh me midhjen, flamën që e ka gjet këtë molusk të vyer, sipas tij, për shkak të një shteti krejtësisht të paaftë, të pandjeshëm, pse jo, të korruptuar, dersa e kanë lënë liqenin e midhjen në të, që shkojnë drejt degradimit.
Në vitet ish-sistemit komunist, thotë Hyseni, nga liqeni dilnin afro 5 mijë ton midhje, që më pas pë punoheshin në një linjë moderne të ardhur nga Hollanda, duke përfunduar të konservuara në Francë. Kjo linjë më pas, siç sqaron ai, u keqmenaxhua mjeshtërisht nga qeveria, derisa përfundoi për skrap, ndonëse ishte fjalë e fundit e teknogjisë.
Më pas, shprehet Mane, do ndodhte “atentati” i dytë ndaj midhjes, ai në vitin 1994, ku një i sëmurë nga kolera në Elbasan, nga gazetarë të kohës u shndërrua në një legjendë urbane sikur medemek kjo kishte ardhur nga konsumi i midhjes. Pasoja: ndalohet krejtësisht nga autoritetet eksporti i midhjes. Gjithsesi, tregu funksiononte.
Por pasojat e tjera do vinin dalëngadalë, për shkak të shkërmoqjes të të gjithë rrjetit strukturor shtetëror që merrej me liqenin e me midhjen, ku më kryesori ishte sektori i monitorimit të të dhënave të ujit. Liqeni iu dha privatëve për shfrytëzim, shteti hoqi tërësisht dorë dhe si rezultat, sot kemi një përgjysmim të prodhimit, si pasojë e ccregullimit të parametrave të ujit të liqenit.
Katastrofale ishte vjet ngordhja e mbi 2 mijë tonëve midhje si pasojë e temperaturave të larta, tregon Mane. Sepse jo vetëm monitorim nuk ka, por as menaxhim të situatës së ujit të liqenit. Problem kyesor sipas tij, mbetet mosfunksionimi i rregullt i derdhjes së ujrave të Bistricës në liqen, pasi nuk është shteti që merret me këtë punë, por do çobenj që, ndërsa hapen portat e Bistricës, ata shkojnë i mbyllin për interesat e tyre. Pra, edhe metaforikisht mund të thuhet se shteti në këë rast, është katandisur aq sa ta tërheqin për hundësh një tufë çobenjsh, ose vetë në një shtet çobenjsh.
Një problem tjeter, sipas kultivuesit Mane, është tregtimi i midhjes nëpër bidona uji, që e sheh si fenomen në çdo cep të Sarandës, që është shndërruar në “bukë goje” për komunitetin rom, që ka ekskluzivitetin e kësaj tregtie. Mane thotë se midhja është shumë delikate, kontaminohet shpejt dhe mund të bëhet bartës sëmundjesh të ndryshme. Ai sajon hipotetikisht një skenë, ku duart e palara të ndonjë romi marrin e japin me midhje të destinuara për shitje në atë mënyrë. Katastrofale në këtë rast sipas tij, është dhe fakti se ato bidona të mbushur dingas me midhje, fotografohen prej të huajsh, vizitorë në Sarandë, të çmeritur nga ajo që shohin, të cilët më pas mund t’i publikojnë ato foto në vendet e tyre, si një çmenduri shqiptare, duke i bërë një antireklamë këtij produkti të vyer, për mënyrë se si trajtohet në Shqiperi. Më pas, të rroftë festa!
Hysen Mane i është dhënë me mish e shpirt midhjes. Ka shpenzuar me mijëra euro të fituara me djersë nga djemtë e tij në emigracion, për të ndërtuar buzë liqenit një impiant përpunues. Nuk do kish shpenzuar qimet e kokës, nëse do funksionionte një impjant i ndërtuar vite më parë diku afër më fonde të BE-së, por që nuk kryen asnjë funksion. Por, më kryesore sipas tij, do ishte ngritja e në strukture monitorimi të liqenit, si dhe ngritja e një laboratori të akredituar për ta certifikuar produktin, që siç shprehet ai, ekziston ne Drejtorinë e Peshkimit Sarandë, por që realisht nuk bën asgjë.
Nga ana tjetër, në bregun përballë të liqenit janë ngritur impjante më galixhantë në afro 40 hektarë sipërfaqe, që nuk dihet se të kujt janë në pronësi, pasi nuk shfrytëzohen. Mane dyshon për një aferë korruptive në këtë rast, ku dikush i mban peng ato hapësira për kushedi se ç`kohë, ndërkohë që po të shfrtëzoheshin, do ishin punësuar më qindra njerëz në Sarandë e Ksamil.
Liqeni i Butrintit nuk është prodhuesi i vetëm në rajon i midhjes. Vendin e parë në botë e zë Kina me shifra të jashtëzakonshme tonelatash kultivimi, prodhimi e shitjesh. Po ashtu janë dhe disa vende të mesdheut, si dhe Greqia fqinje, që siç thotë Mane është shumë më lart se ne kuota prodhimi. Por sipas tij, midhja është një resurs që në kushtet shqiptare, nëse do mirëmenaxhohej nga shteti për aq sa i takon si detyrim ndaj sektorit privat kundrejt të ardhurave fiskale që merr nga kjo kategori, do kishte efekte mjaft pozivite në punësimin e sa e sa njerëzve.
Midhja, fytyra e një shteti pa shtet, fytyra e një populli që për armik ka veten
Teksa të flet më dhimbje e dëshpërim për kohët e palavdishme që po kalon kjo “mbretëreshë” e rënë nga froni, Hysen Mane kujton kohën e kaluar se si çdo gjë funksiononte si sahat. Shteti i asaj kohe, kujton Mane, e menaxhonte këtë sektor në mënyrë të kompletuar e shumë pofesioniste. Nuk ka nostalgji për Komunizmin, pasi e urren për vdekje atë sistem për të cilin shprehia më elegante që përdor është “i ndyrë”, por është i prirur të jetë realist e t`i japë hakun asaj që i është dhënë.
Ndërsa në një rast tjetër citon Konicën e madh, teksa tregon për legjendën tjetër urbane të përhapur vitin e kaluar në vigjilje të edicionit të parë te Festës së Midhjes, kur u tha se midhja është e infektuar. Mane thotë se kampionët erdhën dhe u morën nga ekspertë të Institutit të Kontrollit Veterinar në Tiranë, dhe qesh kur mendon se si mundet që pas disa orësh udhëtim në temperatura të larta, kampionët të kenë pasur tregues optimalë. Dhe dyshon në faktin se lajmi i përhapur për një midhje të sëmurë, ishte dashakaqësi e dikujt për shkak të festës. Ndaj dhe i vjen të citojë Konicën kur thotë se “armiku më i madh i shqiptarit është vetë shqiptari!”
Duhet ta pranojmë se të tillë jemi vetëm për të prishur na punonë mëndja dhe e falenderojë zotin Mane që me aftësitë e tija mundohet të bëjë diçka vyer sikur të gjithë të mundoheshim sa do pak të bënim diçka të tillë nuk do ishim këtu ku jemi
une e njoh mire midhjen dhe problematiken e saj. Problemet qe ngre Hysen Mane qendrojne te gjitha. natyrisht ai nuk flet me gjuhen e specialistit, por me ate te nje njeriu qe njeh shume gjera dhe qe i jep shpjegimin e tij qe ndonjere nuk jane te sakta.
Nuk jam i je mendimi me te ne lidhje me Qendren e depurimit te midhjes. Kjo pasi ajo eshte e vetmja qender qe mundeson qe midhjet te dalin ne treg. Mbi bazen e legjislacionit, vetem midhjet qe kalojne nga kjo qender duhet te tregtohen, pasi kjo qender ka certifikimin nga AKU dhe eshte sipas standarteve te BE. Prodhimet qe nxjerr zoti Mane ne treg, te them te drejten jane te rrezikshme. Jane midhjet pa guaske qe shiten ne qeska me uje. Lengu qe ato permbajne, menyra se si ai i sjell ne Tirane ben qe ky leng te behet nje “bombe me sahat” per helmim.
Ne lidhje me kanalin e komanduar Bistrice liqen, ky kanal ka per qellim qe te mos lejoje perseritjen e atyre qe quhen “katastrofa distrofike” si ajo e vitit te kaluar. Bonifikimi i fushave dhe devijimi i Bistrices (Bistrica derdhej ne liqenin e Butrint) ne vitet 50 solli krahas krijmit te kushteve te rritjes se midhjes edhe katastrofat distrofike qe perseriteshin cdo vit. (perzierja e ujerave pa oksigjen te fundit te liqenit) Ky kanal ka qe nga viti 2009 qe nuk pstrohet, nje nje kohe qe eshte detyre e shtetit ta pastroje cdo vit. Kostoja e pastrimit eshte rreth 35 000 EURO, kur vetem dy -tre impiante mund te japin kete vlere ne prodhim.
Te gjitha problemet e tjera, ne lidhje me kontrollin, ne zjerrjen dhe tregtimin e midhjeve me bidona plastike jane te verteta dhe ndoshta nje cike me te zbutura. Duhet te dini se mostrat per analiza dergohen ne Tirane me autobuzat e linjes dhe ne kushtet e vapes ne vere, ato degjenerojne. Edhe zhurma e vitit te kaluar mbi midhjet me biotoksine ishin vetem per te sabotuar festen e midhjes. Ajo qe MBUMK beri vjet me biotoksinat e coi celjen e eksportit te midhjeve edhe tre kater vjet me larg. Eshte kusht qe per tre vjet rrjesht analizat duhet te dalin shume mire dhe Butrinti zone “A” me qellim qe te pretendosh qe te cosh midhje ne eksport. Nje gomarllek i MBUMK, per aresye politike shkaterron nje sektor te tere. Prandaj Ruli duhet te cohet per ndjekje penale, ose prodhuesit e midhjeve ti tregojne vendin.
Eshte per te ardhur keq situata aktuale e midhjes ne liqenin e Butrintit dhe indiferencen e shtetit tone. Jam dakord me gjithcka eshte thene nga ne intervisten me lart dhe problematikat e drejta qe ajo trajton. Shpresoj qe ne nje te ardhme te afert gjendja te ndryshoje dhe organet kompetente te shtetit te investojne duke i dhene prioritetin e merituar kesaj pasurie qe zoteron vendi yne.