Kërkohej prej kohësh si kontigjent me rrezikshmëri të lartë shoqërore për disa krime të rënda, arrestohet gjatë operacionit të koduar “Verbas”, ku morën pjesë rreth 100 forca policore. Aksioni u zhvillua mëngjesin e djeshëm në qytetin e Patosit, gjatë të cilit u ndalua i dyshuari Ilir Hoxha, 24 vjeç, banues në Fier. Burime zyrtare nga policia vendore thanë se ndaj tij, Gjykata e Rrethit Fier ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “vrasje e ngelur në tentativë, në rrethana cilësuese, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Hoxha akuzohet se më 20 shtator 2012, në fshatin Verbas, në bashkëpunim me Shpëtim Bishani (i shpallur në kërkim), kanë tentuar të vrasin me armë zjarri tip automatik, shtetasin S. M. Gjithashtu Hoxha akuzohet edhe për akuzën “marrëdhënie seksuale me të mitura”, ngjarje e ndodhur më 9 maj 2013 në qytetin e Fierit, për të cilën është bërë shpallja në kërkim. Gjatë aksionit nuk ka pasur rezistencë dhe materialet e dosjes i kaluan prokurorisë.