Fakti që ekonomia shqiptare ka kaluar një vit 2013 të vështirë është dëshmuar në të gjithë treguesit e saj fiskalë. Një pjesë e rëndësishme e kësaj perfomance të dobët është dhe rritja e deficitit tregtar, me të ardhurat që kanë pasur një rendiment negativ dhe shpenzimet në rritje, sidomos në pjesën e parë të vitit. Kjo ka bërë që deficiti buxhetor të rritet ndjeshëm, duke vënë shpesh në vështirësi financat për financimin e tij, teksa bankat nuk iu përgjigjën gjithnjë kërkesës së qeverisë për të blerë borxh. Në këtë mënyrë statistikat fiskale të vitit 2013, të publikuara nga Ministria e Financave, flasin për një deficit buxhetor të rritur me 43 për qind me bazë vjetore, me të ardhurat që ranë me 0.5 për qind dhe shpenzimet që u rritën me 4.6 për qind për të njëjtën periudhë. E thënë në vlerë absolute, për gjithë periudhën janar-dhjetor, deficiti buxhetor arriti në 65 miliardë lekë, nga rreth 46 miliardë lekë, që ishte për gjithë vitin 2012. Ndërkohe financimi i tij është siguruar kryesisht në tregun e brendshëm. Për 12 mujorin 2013, huamarrja e brendshme është rritur 106 për qind me bazë vjetore, duke ushtruar presion në tregun e bonove e obligacioneve, që panë një rritje të interesave në dhjetor 2013, teksa financat nuk arritën të shisnin në tregun e brendshëm të gjithë shumën e kërkuar, me bankat që preferuan që paratë e lira t’i depozitojnë jashtë vendit. Në nisje të këtij viti situata rezulton e stabilizuar në tregun e brendshëm.
Si kanë qenë shpenzimet e 2013?
Totali i shpenzimeve për 12-mujorin ishte rreth 394 miliardë lekë, duke rezultuar 4.6 për qind apo 16 miliardë lekë më shumë, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë ritmet e rritjes së shpenzimeve janë reduktuar në tre muajt e fundit, kohë kur financat janë qeverisur nga të majtët. Për periudhën tetor-dhjetor, shpenzimet në total kanë rënë me 5.5 për qind me bazë vjetore, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në rritje rezultojnë për 11 mujorin edhe shpenzimet kapitale, që arritën në 57 miliardë lekë, me një zgjerim prej 7.5 për qind me bazë vjetore. Por, ky zgjerim i dedikohet kryesisht periudhës para zgjedhore. Në periudhën tetor dhjetor shpenzimet kapitale ranë me 39 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shpenzimet për subvencionimin e sigurimeve shoqërore u rritën me 6.4 për qind, duke arritur në rreth 96 miliardë lekë, duke përkeqësuar më tej deficitin e pensioneve dhe duke vënë në vështirësi financat për të financuar këtë skemë në të ardhmen, në rast se nuk do të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme. Shpenzimet për interesa arritën 43 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 4.4 për qind, pavarësisht se financat në 2013 iu gëzuan normave më të ulëta të financimit të borxhit, duke reflektuar në këtë mënyrë rritjen e ndjeshme të tij. Pagesat për interesa përbënin 11 për qind të totalit të shpenzimeve në 2013.
…..konsumi 2014, pritet të rritet vetëm 0.2
Konsumi i ulët i individëve, apo dhe bizneseve ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike vitet e fundit, që kulmoi në 2013 me një zgjerim të pritshëm vjetor të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nën 1 për qind. Ministria e Financave, në programin e saj afatmesëm prêt që konsumi të jetë i ulët dhe në 2014 , për t’u zgjeruar më pas në mënyrë të moderuar në vitet në vijim. Sipas Financave, konsumi final parashikohet të rritet në terma reale me një normë mesatare vjetore prej 1.5 për qind gjatë periudhës afatmesme në vijim (2014-2016). Në mënyrë të veçantë, rritja reale e konsumit parashikohet në 0.2 për qind në vitin 2014 duke kontribuar me 0.2 pikë përqindje në rritjen ekonomike për këtë vit. Është parashikuar që për vitin 2014 deficiti i mallrave dhe shërbimeve të përmirësohet me 12.2 për qind në terma realë, duke kontribuar me 2.0 pikë përqindje në rritjen e PBB-së së parashikuar prej 2.1 për qind për vitin 2014.
Me kete sistem taksimi qe eshte ngritur nga qeveria me e pa pergjegjshme ne histrine e Shqiperie viti 2014 do te jete akoma me keq.Mjer ti o popull ne duart e kujt ke rene.
Nuk luftohet korrupsioni nga “Bbabai i korrupsionit”, kujdes mos harroni bllokun e Ilirit!
Nje qeverie qe vjen pas 4 vjet ne opozite dhe 4 vjet te tjera ne gjysem-opozite ( LSI ), i duhet nje vit per tu pare me mire ne ekonomi e finance, por gjasat jane qe te shkojme ne kolaps financiar pikerisht prej sistemit te taksimit, jam dakort me komentin ALTIN. Gjeneratori i ekonomise jane te pasurit, jo te varferit. Kjo qeveri synon barazi varferie per te gjithe se ka mentalitet enverist ne radhe te pare Ministri i Financave, nje aparatcik i PPSH.