Gjyqi i Kadri Hazbiut, seanca e 12
“Pas dënimit të Koçi Xoxes, Mehmeti e thirri Kadriun në zyrë dhe e urdhëroi të zhdukte gjithë dokumentet kompromentuese të grupit armiqësor”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e 12-të të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, Fiqret Shehu jo vetëm pranon qënien ‘agjente e pjesëtare e grupit armiqësor të vënë në shërbim të agjenturave të huaja, kryesuar nga Mehmet Shehu’, por nëpërmjet fakteve ‘fundos’ Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Ziçishtin, Ali Çenon e pjesëtarët e tjerë të këtij grupi… “Unë, Mehmeti dhe Kadriu, fillimisht jemi rekrutuar veçmas nga Dushan Mugosha, e me urdhër të tij, jemi vënë në lidhje me njeri-tjetrin dhe me anëtarët e tjerë të grupit. Synimi i këtij grupi, ku Kadri Hazbiu ishte krahu i djathtë i Mehmet Shehut, ishte rrëzimi i pushtetit popullor e në vend të Enver Hoxhës të drejtonte vendin Mehmeti”- dëshmon mes të tjerave në këtë seancë Fiqret Shehu….
Vazhdon seanca e 12
Kryetari(Aranit Çela):- Fillojmë me administrimin e provave, të thirren dëshmitarët, të shqyrtohen dokumentet edhe atribuimet e të pandehurve që nuk bëjnë pjesë këtu. Të thirret Fiqret Shehu. Emri Fiqret Shehu, emri i babait…
Fiqreti:- Abedin. Emri i nënës Medije. Datëlindja 17 nëntor 1919. Kam qenë anëtarë e Partisë së Punës. Jam përjashtuar nga Partia. Kam qenë e dënuar nga gjyqet fashiste.
Kryetari:- Ty të kemi thirrur për të atribuar lidhur me çështjen që gjykohet dhe që i përket këtu të pandehurve Mihallaq Ziçishti, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Feçor Shehu, Llambi Peçini dhe Kadri Hazbiu, rreth akuzës së tradhtisë ndaj Atdheut në formën e spiunazhit. Prandaj, çfarë dini, domethënë, na i kallëzoni këtu, për gjërat që kanë të bëjnë me këta të pandehur. Ju i njihni këta? (Kryetari përsërit emrat me radhë, e Fiqreti përgjigjet për secilin emër veçmas).
Fiqreti:- I njoh.
Kryetari:- Mirë, flisni rreth kësaj.
Fiqreti:- Lidhur me pyetjen që më bëhet, unë mendoj të filloj me shpjegimet për të pandehurin Kadri Hazbiu, lidhur me veprimtarinë e tij armiqësore.
Kryetari:- Po.
Fiqreti:- Kadri Hazbiu ka qenë ndihmësi më i vjetër, më i afërt, më i aftë dhe më i vendosur i Mehmet Shehut, i cili kryesonte organizatën tonë kundër revolucionare, komplotiste e puçiste. Ai, Kadri Hazbiu, ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm në gjithë veprimtarinë që ka kryer organizata jonë kundër interesave të vendit e të popullit, siç do të shpjegoj më poshtë. Kadri Hazbiu e ka filluar që herët, që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare veprimtarinë armiqësore kundër Partisë së Punës të Shqipërisë.
Ka qenë Dushan Mugosha i cili ka qenë i dërguar në Qarkun e Vlorës nga Komiteti Qendror i PPSH, për të punuar, duke u konsideruar si një komunist e internacionalist ngaqë Partia në të cilën bënte pjesë, ishte anëtare e Kominternit. Ndërsa ai në Vlorë, ashtu dhe në Brigadën e Parë, siç kam shpjeguar para trupit gjykues në seancën gjyqësore kur u gjykua çështja ime, ai ka bërë një punë të theksuar armiqësore duke tërhequr në shërbim të zbulimit jugosllav si në Brigadë, siç shpjegova herën e kaluar në seancat gjyqësore, ashtu dhe në Vlorë. Një nga këta ka qenë Kadri Hazbiu. Duke qenë i tillë, që herët në veprimtarinë armiqësore, Kadri Hazbiu ka punuar vendosmërisht në favor të organizatës sonë kundër revolucionare dhe ka qenë ndihmës i afërt i Mehmet Shehut në gjithë përpjekjet për të përmbysur rendin ekzistues socialist në Shqipëri.
Për rrethanat në të cilat është tërhequr Kadri Hazbiu në veprimtarinë armiqësore në shërbim të zbulimit jugosllav, në këtë rast, si dhe për veprimtarinë armiqësore që ka kryer gjatë luftës, unë kam dëgjuar nga persona të ndryshëm në kohë të ndryshme. Për herë të parë kam dëgjuar nga Liri Gega. Me sa më kujtohet, unë s’e kisha dëgjuar emrin e Kadri Hazbiut më parë. Për herë të parë e kam dëgjuar nga Liri Gega kur ishim në Sllatinë të Peshkopisë, ku zhvillohej një kurs politik me kuadrot politikë të Divizionit të Parë Sulmues. Aty, Liri Gega më ka folur shpesh e gjatë për Kadri Hazbiun, duke e paraqitur si njeri që Dushani kishte simpati dhe një konsideratë të lartë, duke e konsideruar si trim, të zgjuar, si mik të Jugosllavisë dhe si person me perspektivë për miqësinë dhe në favor të Jugosllavisë. Liri Gega më ka treguar gjithashtu se Dushan Mugosha i ka thënë që duke qenë i tillë, ti duhet të mbash afër Kadri Hazbiun, për çdo gjë që të kesh të shkosh tek ai dhe ta mbështetësh. Ajo nuk më doli hapur në pozicionin armiqësor, as vetë, edhe nuk më foli hapur për faktin që Kadri Hazbiu ishte tërhequr nga Dushan Mugosha në shërbim të zbulimit jugosllav.
Më vonë, kur u ktheva në Brigadën e Parë, unë gjeta aty që kishte ardhur nga shtabi i Divizionit Mehmet Shehu dhe e pyeta se a e njihte Kadri Hazbiun, për të cilin unë kisha dëgjuar më parë. I thashë Mehmetit dhe çfarë më kishte thënë Liri Gega për këtë. ‘Edhe mua më ka folur në Brigadën e parë Dushan Mugosha për Kadri Hazbiun. Bile, para se të largohej nga Brigada, më tha që ta kem shumë kujdes Kadri Hazbiun. ‘Ai është një njeri i vendosur në drejtim të miqësisë me Jugosllavinë dhe në çdo hap do të mbështetesh tek Kadri Hazbiu’- më tha Mugosha. Më tha edhe çfarë i kishte thënë Kadri Hazbiu për periudhën në të cilën kishte qenë në Kosovë me Brigadën e Pestë Sulmuese, të cilën Partia e pati dërguar për të ndihmuar popullin kosovar në luftën çlirimtare. Mehmet Shehu më tregoi në atë rast që Kadri Hazbiu vetë i kishte shpjeguar se si e kishte parë gjendjen në Kosovë, se si kosovarët kishin besim tek kuadrot dhe përgjithësisht partizanët e Brigadës së Pestë, ndërsa kishin mosbesim tek serbët dhe kuadrot shqiptarë që ishin të lidhur me serbët. M’u desh, i kishte treguar Kadri Hazbiu Mehmet Shehut, që të bëja agjitacion e propagandë në këtë drejtim, t’u shpjegoja kosovarëve që duhet të bashkëpunohet me serbët, e me të tjerë nga kombësi të tjera jugosllave, sidomos me serbët, se Serbia është shtet i zhvilluar, i përparuar, e se interesi i Kosovës, është që të kërkojë të lidhet direkt me Serbinë. Gjithashtu, Mehmet Shehu më ka thënë për Kadriun se ky i kishte treguar se kuadrot serbe dhe ato shqiptare të lidhur me serbët, përdornin edhe masakrat, vrisnin kosovarë me qëllim që të trembnin popullin e Kosovës, ta nënshtronin atë nëpërmjet frikës. Në një rast të tillë, siç më thoshte Mehmeti, ka qenë prezent edhe Kadri Hazbiu… Për këto çështje, pak a shumë, me të njëjtat fjalë, më ka folur për gjatë luftës dhe i pandehuri Mihallaq Ziçishti….
Ndërsa në një rast tjetër, menjëherë pas çlirimit, kur unë punoja si përgjegjëse e sektorit teorik në drejtorinë e agjitacionit e propagandës të Komitetit Qendror, që varej nga Nako Spiro, Nako, një ditë, i nervozuar me duar prapa ecte nëpër zyrë e shfrynte kundër Koçi Xoxes, megjithëse ishin të të njëjtit shërbim, në shërbim të zbulimit jugosllav, se si Koçi Xoxe, thoshte Nako, i ka zgjidhur mirë punët e tij. Ai ka marrë kuadro të zgjedhur dhe besnikë në sektorin e Komitetit Qendror ku drejton, ashtu dhe në Ministrinë e Brendshme… E një kuadër i tillë, thoshte Nako Spiro, është Kadri Hazbiu, të cilin Koçi Xoxes ja rekomanduan Velimir Stojniç dhe Dizdari, të cilëve ua kishte rekomanduar Dushan Mugosha që e njihte…
Dua të them që kur Liri Gega, duke u kthyer pak më pas në kohë, më foli për Kadri Hazbiun e më tha se kur Dushan Mogosha ishte në Vlorë, kur ishte dhe ajo, vinin shpesh në Hysoverdhë në shtëpinë e Kadri Hazbiut e se atje i kishte bërë përshtypje se Kadriu e shoqëronte Mugoshën fshat më fshat … Në këto rrethana kam dëgjuar unë për lidhjet e Kadriut me Dushan Mugoshën dhe për veprimtarinë e tij në këtë periudhë.
Pas çlirimit, duke mos e zgjatur këtë çështje, Kadri Hazbiu ka zhvilluar një aktivitet të gjithanshëm e të gjerë në favor të zbulimeve të huaja. Në favor të zbulimit të Jugosllavisë në fillim, dhe më vonë, siç do të shpjegoj, edhe në favor të zbulimit sovjetik.
Periudhën pas çlirimit, periudhën e aktivitetit të Kadri Hazbiut unë e shtrij, duke filluar nga koha kur Koçi Xoxe e ka tërhequr në organet e punëve të Brendshme, kur Koçi ishte ministër, deri në Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror të shtatorit 1948, kur Koçi Xoxe u dënua dhe periudha tjetër nga Plenumi i 11-të, më mirë nga Kongresi i Parë i Partisë, në Konferencën e Tiranës më 1956, e në prag të Kongresit të 3-të të PPSH….
Në fazën e parë, në kohën që në krye të Ministrisë së Brendshme, ishte Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu ka kryer disa detyra armiqësore të rënda.
Në radhë të parë, Kadri Hazbiu, në këtë periudhë, si dhe kuadro të tjerë si Mihallaq Ziçishti, ishte ngarkuar të grumbullonte të dhëna të trilluara kundër Sekretarit të Parë të PPSH, Sekretar i përgjithshëm quhej atëherë, me qëllim që Koçi Xoxe t’i përdorte për ta sulmuar e goditur (Enver Hoxhën) për të marr ai vetë drejtimin e Partisë.
Drejtim tjetër ishte, që në bashkëpunim me Savo Bozhidaroviçin që ishte kuadër i kualifikuar i zbulimit jugosllav, dhe zbulues të tjerë jugosllavë, të ardhur në Shqipëri si këshilltarë të Ministrisë së Brendshme, të organizohej Sigurimi i Shtetit e të bashkëpunohej sipas eksperiencës jugosllave të këtyre organeve… Me sa kam dëgjuar më vonë, kur u bë Ministër i punëve të Brendshme Mehmet Shehu, këto lidhje të Kadri Hazbiut, sidomos me Savo Bozhidaroviçin, kanë qenë shumë të shpeshta e të gjithanshme.
Drejtim tjetër i veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut që synonte gjithnjë me këtë rast, ishte që me materialet e grumbulluara të sulmohej Sekretari i Përgjithshëm i Partisë (E. Hoxha) nga Koçi Xoxe, që veprimtaria në lidhje me njerëzit e sigurimit që punonin në hekurudhën Durrës-Tiranë, ku kishte dhe mjaft specialistë jugosllavë. Specialistë në thonjëza, se në fakt ishin punonjës të zbulimit jugosllav për të krijuar në hekurudhë acarime e grindje midis tyre, e për të grumbulluar të dhëna që ti përdorte Koçi Xoxe kundër Sekretarit të Përgjithshëm të PPSH…
Drejtim tjetër, ishte puna për të ngritur autoritetin dhe rolin e Koçi Xoxes në Parti e vend, duke arritur deri aty që në mbledhje të ndryshme të porositeshin njerëz të hidhnin dhe parulla pro Koçi Xoxes, të shkruanin dhe parulla të tilla, me qëllim që të përgatitej opinioni, që kur të vinte momenti të vinte ku i pari në drejtim të Partisë, pasi të eliminohej Udhëheqësi i Partisë, ta merrte drejtimin Koçi Xoxe. Në këtë periudhë hynë dhe aktiviteti i Kadri Hazbiut, për ta vënë Sigurimin e Shtetit mbi Partinë….
Moment tjetër i veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut është ai që fillon që nga Plenumi i 11-të i Komitetit Qendror të PPSH, deri në Konferencën e Partisë për Tiranën në vitin 1956. Pas goditjes dhe dënimit që iu dha Koçi Xoxes edhe në rrugë shtetëror, ku u gjykua dhe u dënua, Ministër i Brendshëm u emëruar Mehmet Shehu. Mehmet Shehu, në këtë kohë, synonte ta mbronte Kadriun. Pra, karakteristikë kryesore e fillimit të kësaj periudhe është marrja nën mbrojtje e Kadri Hazbiut, për ta kapërcyer situatën e rëndë në të cilën u ndodh pas goditjes që iu dhanë gjithë elementëve armiq që ndodheshin në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Të gjithëve, në fakt, jo sepse shpëtuam dhe arritëm deri këtu, po disa prej tyre, më kryesorët, siç është rasti i Kadri Hazbiut, i Mihallaq Ziçishtit e i Llambi Peçinit, ishin kryesorët që duheshin mbrojtur….
Mehmet Shehu, në këtë rast, për ta mbrojtur, e thirri Kadri Hazbiun në zyrë dhe i tha që dinte gjithë aktivitetin e tij që kishte zhvilluar në favor të zbulimit jugosllav, sipas porosive të Koçi Xoxes, siç ishin lidhjet me Savo Bozhidaroviçin dhe gjithë çështjet e tjera që përmenda. Por, i tha Mehmet Shehu në atë kohë, (siç më ka treguar dhe vetë Kadriu), unë do të të marr në mbrojtje se kur erdhe ti nga Kosova, më solle të fala nga Sala, domethënë Dushan Mugosha. Të falat kishin të bënin me kujdesin që duhet të tregoja unë për ty, sepse kur u largua nga Brigada e Parë Dushan Mugosha, më kishte porositur që të mbështesja në çdo rast. Edhe rasti tani është, që është situatë e rëndë për ty. Unë do të mbështes tek Sekretari i Përgjithshëm, por ti vetë, e kishte pyetur Mehmet Shehu Kadri Hazbiun, çfarë mendon, si ta kapërcesh këtë situatë. Dhe Kadri Hazbiu i kishte thënë Mehmet Shehut që edhe unë kam menduar për këtë çështje. Në radhë të parë, mendoj, që hapi i parë është që duhet të zhduken të gjithë provat materiale. Materialet e grumbulluar në kurriz apo kundër Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, sikurse dhe kuadrove të tjerë udhëheqës të Partisë, dhe çdo gjë tjetër materiale që më rëndon mua(Mehmetin). Ndërsa unë vetë, do të bëj autokritikë për ato gjëra që mund të bëj, e që mund të pranohen në organizatën bazë e do të shpreh besnikëri ndaj Partisë. Mehmet Shehu e kishte aprovuar këtë dhe i kishte thënë që edhe unë do të të mbroj, edhe mendoj bile, që të të marr në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në fakt, Mehmet Shehu e paraqiti tek Sekretari i Përgjithshëm për t’u bërë zëvendës, e me sa mbaj mend unë, zëvendës i parë i ministrit. Duke u nisur nga ajo që siç e paraqiti Mehmeti tek Sekretari i Përgjithshëm, që Kadriu është besnik, ky gjithnjë i tillë ka qenë. Për këtë çështje mua më kanë folur edhe sovjetikët, që kur ka qenë në Shkollën e Sigurimit në Bashkimin Sovjetik. Ata më thanë se si Kadriu ka qenë i aftë, i afërt, i zgjuar edhe i devotshëm ndaj Bashkimit Sovjetik. Për të ka folur dhe Çuvakini, ambasador i Bashkimit Sovjetik në atë kohë, sikurse edhe sovjetikë të tjerë kanë folur. Edhe kështu, Kadri Hazbiu, jo vetëm që s’u dënua, por u ngrit në përgjegjësi dhe u bë personi i dytë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, menjëherë pas Mehmet Shehut. Kjo taktikë e ruajtjes së forcave u ndoq dhe për kuadro të tjerë që kishin punuar nën vartësinë direkt të Koçi Xoxes, e në shërbim të zbulimit jugosllav, sikurse në shërbim personal të agjentit të jugosllavëve Koçi Xoxe.
(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Pas dënimit të Koçi Xoxes, Mehmet Shehu, thirri Kadriun në zyrë dhe i tha që dinte gjithë aktivitetin e tij në favor të zbulimit jugosllav, sipas porosive të Koçi Xoxes, lidhjet me Savo Bozhidaroviçin, etj. Por, i tha Mehmeti, unë do të të marr në mbrojtje se kur erdhe ti nga Kosova, më solle të fala nga Sala, domethënë, Dushan Mugosha. Të falat kishin të bënin me kujdesin që duhet të tregoja unë për ty, sepse kur u largua nga Brigada e Parë Dushan Mugosha, më kishte porositur që të mbështesja në çdo rast. Edhe rasti tani është, që është situatë e rëndë për ty”
SOM 2
“Në këmbim të mbrojtjes që Mehmeti i premtoi dhe i bëri Kadri Hazbiut tek Enver Hoxha, u bë dhe bashkërendimi i punëve të tyre në funksion të detyrave të vëna nga zbulimi jugosllav. Kadriu mori detyrë të zhdukë të gjithë informacionin kompromentues për anëtarët e tjerë të grupit armiqësor, posaçërisht të kreut të grupit, Mehmet Shehut. Mehmeti, nga ana e tij i siguroi mbrojtje Kadriut tek Enver Hoxha, duke e propozuar dhe emëruar njëkohësisht zëvendës të tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme”
NESËR DO TË LEXONI:
-Deponimi i Fiqret Shehut: Si e përgatitëm me Beqir Ballukun, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Ziçishtin skenarin e dështimit të Konferencës së Tiranës në vitin 1956.
-Si punuan Mehmet Shehu, Fiqret Shehu e Kadri Hazbiu për zbatimin e detyrës së CIA-s amerikane që në amnistinë e vitit 1953, të liroheshin dhe disa intelektualë-agjentë amerikanë.
-Si u rekrutua Nesti Nase, anëtar i grupit të kryesuar nga Mehmet Shehu, vënë në shërbim të agjenturave të huaja.
Shikojeni kush ka luajtur me agjenturen http://www.proletari.com/agim-hamiti-leter-e-hapur-drejtuar-klases-politike-te-tiranes-e-te-prishtines-dhe-ambasadorit-amerikan/html