Flamurtari humbi 3-1 dhe ndeshjen e dytë me Petrolul Ploestin duke i dhënë fund rrugëtimit të skuadrave shqiptare në Europë. Vlonjatët ashtu siç i dhanë shpresë vetes me golin e Lenës në pjesën e parë, ashtu dhe menduan ta komplikonin ndeshjen e tyre duke u dorëzuar plotësisht në fund, ku gabimet në mbrojtje kthyen përmbys të gjithë punën e mirë që kishin bërë të paktën për marrjen e një rezultati pozitiv. Humbja 2-0 nuk i jepte shumë shpresë Flamurtarit për përmbysje, por trajneri Gjoka ashtu siç ishte shprehur në deklarata provoi dhe ta luante në fushë duke rreshtuar ekipin me një 4-3-3, që mund t’i lejonte të tijve të ishin ngacmues në fazën sulmuese. Mungesat e Veliut dhe Abilaliajt u “zbutën” mirë nga ana e të tijve, që nuk e vuajtën peshën e emrit të Petrolulit, madje në minutën e 8-të, Pecanha kaloi në panik nga prania e Shehajt, me këtë të fundit që vodhi topin në fundore duke dhënë një top në qendër për Telushin, i cili nuk shënjestroi siç duhet kuadratin. Goli ishte në ajër dhe në minutën e 37-ën, një pasim i përsosur i Telushit u ndoq në zonë nga Nijas Lena që erdhi pas shpinës së mbrojtësve duke çuar në këmbë tifozët vlonjatë. Flamurtari tani mund të besonte por ashtu siç ndërtoi shpresën ashtu dhe e shkatërroi atë në dy minuta, me Filipe Texeiran që i pambuluar në hyrje të zonës gjeti menjëherë golin e barazimit. Me shifrat 1-1 dhe Flamurtari e kuptoi që realizimi i tre golave të tjerë ishte pothuajse i pamundur por megjithatë nuk u tërhoq dhe në pjesën e dytë kërkoi të gjente të paktën fitoren. Në të 60-ën, Muzaka tregoi se ishte një prej më të mirëve për të tijtë në fushë duke u shmangur mirë në zonë pavarësisht se goditja nuk ishte shumë e rrezikshme. Në të 73-ën, Muzaka mori sërish krahun, Pecanha devijoi duke dërguar topin te Lena, që me portën bosh nuk u koordinua siç duhet. Në të 78-tën, provoi zgjidhjen dhe Lika por Lena nuk arriti dot trajektoren e topit. Ilion Lika që kishte qenë “i papunë” në pjesën e dytë më në fund u vu në provë nga Mutu në të 80-ën duke realizuar një pritje të mirë. Portieri nuk mund të bënte asgjë në të 84-ën kur Gërço gaboi duke i dhënë mundësi De Lucasit për të shënuar golin e 2-1, i cili i hapi rrugët dhe të tretit pas një tjetër gabimi po të mbrojtësve vlonjat, që ishin plotësisht të dorëzuar. Aventura e Flamurtarit mbyllet këtu me humbjen e përgjithshme 5-1 ndaj një kundërshtari, që ishte më lartë në financa, emra por dhe rezultat duke sjellë një fund të logjikshëm të kësaj përballjeje 180-minutëshe.