Tirana mundet bindshëm nga Flamurtari. Pasi kishte udhëhequr 3-1 gjatë pjesës së parë, në 45 minutat e dyta pëson një humbje shpërfytyruese, ku miqtë shënojnë 5 gola, duke përmbysur rezultatin në 6-3 në favorin e tyre. Trajneri Nevil Dede kishte lënë në stol Duron dhe Çotën, ndërsa në sulm kishte rreshtuar Pemën dhe Abilaliajn. Fillimisht, Tirana arriti të gjente golin e avantazhit 1-0 në minutën e 15 me Morinën. Vetëm pas pesë minutash do të barazonte Flamurtari me anë të Muzakës, për faj të një gabimi në mbrojtje. Pak më vonë, në minutën e 35-të,Taku rikthen kryeqytetasit në avantazh. Në të 43-n është Gilman Lika ishte ai që e çoi në 3-1 fitoren e Tiranës, duke mbyllur me këtë rezultat pjesën e parë. Por në pjesën e dytë, në fushë zbriti një Tiranë krejt e panjohur, ndërsa Flamurtari gjen hapësira të tregojë potencialin e tij, duke shkaktuar përmbysjen nga 3-1 në 6-3 në favor të tij: pesë gola të realizuar në 45 minuta edhe për veprime amatore të mbrojtjes bardheblu. Në minutën e 50-të, Pepa, i vetëm përballë Ilion Likës, ngushtoi rezultatin në 3-2. Në të 68-n, sërish Muzaka ai që falë një eurogoli fikson barazimin e përkohshëm 3-3. I përkohshëm, sepse vrulli i kuqezinjve nuk ndalet në minutat në vazhdim. Menjëherë pas golit të barazimit, trajneri Dede zëvendësoi Ilion Likën. Por kjo mënyrë zëvendësimi e portierit la një shije të hidhur. Lushnjari Pepa në minutën e 71 i kaloi kuqezinjtë në epërsi 4-3. Ndërkohë, në minutën e 83, Lena shënoi golin e 5-1, ndërsa në minutën e 90 ishte Memelli ai që vulosi humbjen 6-3 të bardhebluve, falë një 11-metërshi. Për tifozët fanatikë, kjo disfatë është e papërtypshme, çka i detyroi të shpërthejnë në thirrje ndaj lojtarëve të Tiranës: “Hiqni fanellat, hiqni fanellat!”.