Pal Ndoka është personi që qëndron pas videove të “Fiks Fare”, që kanë shkaktuar një tërmet në opinionin publik pasi kanë nxjerrë lakuriq korrupsionin në drejtësinë shqiptare deri në nivelet më të larta.
Pukjani ka folur në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës.
Ai tregoi se si nisi historia e tmerrshme e tij, të cilën e quan njësoj si një grabitje me armë.
Sipas tij, banorët e Fushë Arrëzit dhe njerëzit e familjes së tij të madhe u ngritën në protestë ndaj firmës Ber-Alb.
Ai thotë se policët privatë kanë qëlluar me armë ndaj tyre, duke e tensionuar ndjeshëm situatën.
Ndoka tha se prokurori Pëllumb Prençi, një nga personat kryesorë në këtë histori, ka qenë i pranishëm aty.
Pasi situata u tensionua, forcat speciale kanë arrestuar shtatë persona nga familja e tij, ndërsa Pali përfundoi në spital i dhunuar.
Këtu nis kalvari për Palin.
Ai thotë se fillimisht ka bërë pazar për lirinë e tij.
Ai akuzon kreun e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi se i ka kërkuar lekët personalisht, madje në një rast vetë djali i tij i ka marrë paratë.
“Kemi bërë pazar si pazar bagëtish. Shtjefni vetëm për mua ka marrë 4 milionë lekë,” thotë Ndoka, duke treguar se diskutimi për pagesat është bërë diku pranë zonës së Don Boskos në Tiranë, ku mesa duket jeton Lleshi.
Më pas çmimi për lirimin e të gjithë të tjerëve është rritur. Në total ai thotë se ka paguar 45 milion lekë.
“Shtjefni nuk ma ka falë një dhjetë lekësh. Të gjithë më pas kanë paguar nga 5.5 milionë lekë. Kam paguar 45 milionë lekë në total,” shprehet Ndoka.
Por ai ka një peng se e ka djalin Arjanin ende në burg.
Madje dyshimet e Ndokës shkojnë më tej kur thotë se djalin e tij po e kryqëzojnë pse është i majtë.
Në studio u treguan edhe foto të Arjanit në grevën e urisë së deputetëve socialistë për të drejtën e votës dhe në protestën e 21 Janarit, i veshur me kostum popullor dhe flamur kombëtar.
“I kam thënë kujdes së do të ekzekutojnë, do të pushkatojnë në mënyrë të tërthortë,” thotë Ndoka.
I pyetur për deklaratat e sekretares se i kanë dhënë lekët me dhunë, ai thotë se janë qesharake, pasi atë e kanë çuar policët në zyrën e saj.
I pyetur se ku i ka gjetur paratë, ai thotë: “Populli i Fushë Arrëzit dhe i Tiranës më kanë ndihmuar”.
Në emision ka folur edhe kryeprokurori Adriatik Llalla.
“Falënderoj median për kontributin që jep në luftën ndaj korrupsionit.
Nuk mund të jap detaje në lidhje me hetimin e kësaj çështje, por do ripërmend faktin e reagimit të menjëhershëm lidhur me rastin, ku menjëherë pas transmetimit të këtyre pamjeve u urdhërua nisja e hetimit.
Hetimet po kryhen nga Policia e Shtetit, në drejtimin e prokurorit të ngarkuar për këtë rast,” tha ai, pa dhënë asnjë detaj më shumë.//tema
behu trime se sta haron berishajte dhe bashat ne mendje te kan me zaganjoret dhe cefate dhe mjer ti ku do shkosh kure te behet argita kryeministre jane teroriste te pashpirte