Qeveria e re që do të nisë punën në shtator të këtij viti pritet të ketë një marrëveshje të re me Faondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, jo me kushtet e mëparshme shtrënguese, por me fokus në financimin e drejtpërdrejtë buxhetor. Të paktën kjo është theksuar në takimin e djeshëm që ekspertët e FMN-së dhe BB-së kishin me përfaqësuesin e selisë rozë, zotin Ilire Beqja. Takimi erdhi në mbyllje të vizitës treditore në Shqipëri, ku përfaqësuesit e misionit të përbashkët të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar zhvilluan vizitën e radhës në selinë e Partisë Socialiste, forcës kryesore qeverisëse pas muajit shtator.
Në këtë vizitë, ekipi u takua me të mandatuarin e kësaj force për hartimin e programit qeverisës Ilir Beqja, nga i cili morën edhe konfirmimin për një bashkëpunim edhe më të ngushtë sesa aktualisht me institucionet financiare ndërkombëtare. Mësohet se gjatë takimit është vënë theksi te rëndësia e bashkëpunimit me FMN-në, ndërkohë që pala shqiptare ka referuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen financat shqiptare, ku qeveria aktuale ka ezaururar pothuajse të gjithë borxhin e planifikuar për gjithë vitin, në vetëm 6 muajt e parë të vitit.
Ndryshe nga qeveria e mëparshme demokrate, që i mbajti marrëdhëniet me FMN-në në kuadrin e statusi këshillmor, me qëllim që të shmangte presionin e FMN-së për zbatimin masave të rrepta buxhetore, qeveria e re duket më e prirur për të realizuar një marrëveshje të re në shtator. Gjithsesi edhe autoritetet e reja qeveritare janë të prirur për një marrëveshje jo me kushtet e mëparshme shtrënguese, por me fokus në financimin e drejtpërdrejtë buxhetor.
Nga ana e tij, misioni i FMN-së dhe BB-së në takimet e ditëve të fundit, ka shprehur interes për të ditur planet e qeverisë së re, sidomos në kuadër të menaxhimit të borxhit publik, përfshirë dhe koston që do të ketë ulja e premtuar e taksave. Misioni i FMN-së dhe BB vizitoi Tiranën në datat 17-19 korrik për të diskutuar me autoritetet mbi përditësimin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP). Nëpërmjet vlerësimeve të FSAP-së, dy institucionet e rëndësishme ndërkombëtare ofrojnë një analizë të plotë mbi stabilitetin e sektorit financiar të një vendi dhe mbi nevojat që ai ka për t’u zhvilluar më tej.
Veçmas nga ky proces, një mision ekspertësh të FMN-së pritet të vizitojë Tiranën në fund të muajit shtator 2013. Qëllimi i vizitës do të jetë vlerësimi i zhvillimeve të fundit në ekonominë tonë si dhe diskutimi me qeverinë dhe bankën qendrore rreth politikave ekonomike dhe atyre financiare që do të ndiqen në të ardhmen. Gjatë vizitës treditore në Shqipëri, përfaqësuesit e misionit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar u takuan me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, Ministrin e Financave Ridvan Bode dhe drejtuesit e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.