Fondi Monetar Ndërkombëtar do të nisë disbursimin e këstit të parë të kredisë më interesa të buta. Kjo shumë prej 100 milionë euro do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit. Ky fakt është konfirmuar në një takim informal që zv/ministri i Financave kishte dje me gazetarët. Nga ana tjetër ai ka pohuar se do të jetë dhe banka Botërore që do të akordojë një shumë të caktuar me interesa të buta, këst që do ta japë në qershor të këtij viti. “Kostoja apo interesi i këtyre kredive do të jetë shumë më i ulët se ai që mund të gjendet në treg, 2%”, ka pohuar numri dy i Financave, Erion Luçi. Duke u ndalur tek kthimi i detyrimeve për biznesin, ai ka pohuar se pjesa më e madhe e borxheve të papaguara i përkasin 2-3 viteve të fundit, ndërkohë që nuk ka përfunduar lista e plotë me kompanitë që do të shlyhen, por pritet që numri i tyre të jetë relativisht i lartë.
Strategjia e Ministrisë për shlyerjen e detyrimeve
Nga ana e saj Ministria e Financave ka hartuar strategjinë e shlyerjes së detyrimeve ndaj biznesit. Sipas kësaj strategjie shlyerja e detyrimeve të prapambetura që qeveria shqiptare ka ndaj biznesit do të marrë 3 vjet kohë. Në projekt-strategji që pritet të kalojë së shpejti në Kuvend vlerësohet se, borxhet e prapambetura të shtetit ndaj sipërmarrjes janë në total rreth 72.6 miliardë lekë e ku detyrimet konsistojnë në 6 zëra. Kontratat e papaguara të punëve publike dhe pagesat për mallra e shërbime, respektivisht me 24.6 miliardë lekë dhe 5 miliardë lekë, detyrime të tjera që rrjedhin nga tatimet, 22.8 miliardë lekë, përkatësisht 12.8 miliardë lekë TVSH e parimbursuar dhe 10 miliardë lekë tatim mbi fitimin që duhej t’i ishte kthyer biznesit. Sipas burimeve të Ministrisë së Financave, në zërin e fundit, qeveria grupon detyrimet e tjera, të cilat i vlerëson 20.1 miliardë lekë dhe ku përfshihen vendimet gjyqësore kundër shtetit, detyrimet për shpronësimet publike, por edhe pagesat e prapambetura të personave me aftësi të kufizuara. Për vitin 2014, qeveria ka vendosur të paguajë nga buxheti 35 miliardë lekë ose gati gjysmën e detyrimeve totale. Pjesa e mbetur do të shlyhet në dy vitet e ardhshme, përkatësisht 20 miliardë në 2015 dhe 17.5 miliardë të tjera në vitin 2016. Sipas këtij projekti, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që pritet të nisë në gjysmën e dytë të vitit, do të ndiqet parimi i kohës, sipas të cilit pagesat do të fillojnë nga detyrimet më të vjetra. Për të eleminuar abuzimet, sipas saj, gjithë procesi do të mbikëqyret nga një komitet i posaçëm, që kryesohet nga zëvendësministri i Financave. Në projekt janë parashikuar edhe një sërë masash që tentojnë të parandalojnë krijimin e borxheve të reja.
Po si do të kryhet kthimi i borxhit?
Radha e pagesave për secilën kategori të detyrimeve të papaguara do ndjekë parimin e kohës së krijimit të detyrimit financiar. Pagesat do të fillojnë nga detyrimet më të vjetra tek ato më të reja, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet përkatëse, të dokumentacionit që vërteton kryerjen e punimeve/shërbimeve/dorëzimin e mallrave dhe/ose kërkesën për rimbursimin e TVSh, Tatim Fitimit. Radha e pagesës do të ndryshojë vetëm nëse ka parregullësi në dokumentacion që kërkon verifikime të mëtejshme. Rimbursimi i TVSH-së dhe tepricës kreditore të tatimit mbi fitimin do të fillojnë gjatë vitit 2014. Pagesat e rimbursimeve, pas verifikimit, do të kryhen kundrejt fondeve buxhetore të miratuara për këtë qëllim dhe sipas parimit hyrje e parë dalje e parë, duke u bazuar në datën e paraqitjes së kërkesës nga subjekti tatimpagues në organin tatimor (data e protokollit të organit tatimor) pavarësisht se kur është vlerësuar dhe miratuar nga ky i fundit. Nisja e likujdimit të borxhit ndaj biznesit pritet t’i japë një frymë të re ekonomisë shqiptare, pasi pritet të rrisë kapitalin në vend dhe të nxjerrë biznesin nga ngërçi në të cilin është futur.
nuk kane faj nepunesit gati civil ne pasojat e akumulimit te borxhit