FRD denoncon përjashtimin e saj nga ana e KQZ-së nga përfitimet e ligjshme që parashikon Kodi Zgjedhor për partitë parlamentare. Sekretari i FRD për Çështjet Zgjedhore, Ervin Karamuço, tha për mediat se ky veprim i KQZ-së vjen si orientim direkt nga zyra e Berishës.
Karamuço theksoi se sipas nenit 2 pika 12 e Kodit Zgjedhor, çdo parti politike që posedon të paktën një vend në Kuvend ka të drejtën të përfitojë çdo atribut që i njihet nga ky kod lidhur me financimin partiak, prezencën e tij permanente pranë KQZ-së, përfshirjen e saj në strukturat e tjera zgjedhore etj.
Ditën e nesërme, në mbledhjen e radhës, KQZ ka në rend të ditës shpërndarjen e fondeve për partitë politike parlamentare, por nga lista e këtyre partive është përjashtuar FRD-ja.
“Ky veprim përforcon edhe më shumë parashikimet që ne si forcë politike kemi pasur dhe kemi për veprimtarinë e këtij komisioni, shoqëruar kjo edhe nga një skepticizëm i shtuar i partnerëve ndërkombëtare. Këto veprime po afirmojnë një strukturim të marrëveshjeve okulte nga dy partitë e vjetra lidhur me ndarjen abuzive të pushtetit që synon deformimin e vullnetit të zgjedhësve dhe të zhvillimit të një gare të pastër politike. FRD mbetet me shpresë se orientimet që dalin nga zyra e kryeministrit Berisha për KQZ-në e tij politike, të mos gjejnë mbështetjen e përfaqësuesve të partive të tjera, pasi këto veprime të përsëritura po degradojnë pavarësinë e institucioneve, besimin e popullit në votën e tyre si dhe do të dëmtojnë rëndë performancën e shtetit shqiptar në proceset integruese. I bëjmë thirrje KQZ-së që të rishikojë vendimmarrjen e saj ditën e nesërme dhe të zbatojë në mënyrë të paanshme Kodin Zgjedhor duke garantuar një garë të ndershme dhe jo përjashtuese ndaj FRD-së. Gjithashtu,u bëjmë apel partnerëve ndërkombëtarë që të fuqizojnë qëndrimin dhe monitorimin e tyre për këto zgjedhje edhe në drejtim të procesit përgatitor të tyre dhe jo të mbeten vetëm në terma pas-zgjedhore”, tha ai.
Reagimi i KQZ-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas deklaratës së Karamuçës. Sipas KQZ FRD nuk ka fituar mandate deputetësh, për këtë arsye nuk mund të përfitojë fonde. “Fondet do të shpërndahen sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhje. FRD nuk ka marrë pjesë në zgjedhje si parti politike”, bën të ditur KQZ.
O tempora, o mores!
Po pergatitet vjedhja e zgjedhjeve.
Perse ka frike PD nga FRD.