Biznesmeni Arben Frroku i ka qëndruar edhe një herë tjetër alibisë së tij se në momentin që ka ndodhur ekzekutimi i kryekomisarit Dritan Lamaj, ai nuk ndodhej në Tiranë, por në qytetin e Elbasanit. Prokuroria për Krimet e Rënda në Tiranë, e ka marrë dy ditë më parë për 6 orë me radhë në pyetje të dyshuarin, duke e ballafaquar me provat dhe dëshmitë që disponohen në dosje. Por pavarësisht pyetjeve të shumta, mësohet se Frroku u është përgjigjur të gjithave duke dhënë versionin e tij, i përfaqësuar edhe nga avokati mbrojtës. Kjo seancë pyetjesh nga prokuroria ka ardhur 36 ditë pas ekstradimit nga Greqia, dhe dhjetë muaj pas ngjarjes së rëndë të mbrëmjes së 24 shkurtit në zonën “Vasil Shanto” në kryeqytet.
Marrja në pyetje
Tre prokurorët e çështjes, të shoqëruar nga dy oficerë dhe avokati mbrojtës i të pandehurit, kanë marrë rrëfimin e detajuar të Arben Frrokut, për konfliktin dhe debatet e herëpashershme me ish-shefin e Komisariatin nr. 6 dhe të gjitha lëvizjet e tij, ditën e ekzekutimit të Lamajt e deri në momentin e arrestimit në një hotel në Selanik të Greqisë, së bashku me nipin Jak Jaku, edhe ky i arrestuar dhe ekstraduar. Prokurorët mbështeten tek grindjet e forta mes biznesmenit dhe të ndjerit si dhe një dëshmi e një personi që mbahet nën ruajtje nga reparti special. Sipas prokurorisë, Frroku nuk i është shmangur asnjë pyetjeje, duke dhënë shpjegime të hollësishme për çdo dyshim të ngritur nga prokurorët dhe intervistat që ka dhënë në media pas ngjarjes.
Alibia e Frrokut
Frroku ka thënë se në momentin e ekzekutimit të kryekomisarit Lamaj, ndodhej jashtë qarkut të Tiranës, në afërsi të Elbasanit. Pretendim, të cilin e ka mbështetur edhe në disa pamje filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë të disa lokaleve e karburanteve buzë rrugës nacionale, si dhe me vendndodhjen e telefonit të tij personal në atë moment, të marrë nga kompanitë e telefonisë lëvizëse. Gjatë marrjes në pyetje, Frroku dhe avokati i tij, i kanë cilësuar deklarimet e dëshmitarit të prokurorisë, që tashmë po mbrohet nga Policia, si të sajuara dhe jo të vërteta. Pritet që në ditët në vazhdim, prokurorët e Krimeve të Rënda së bashku me policinë, të bëjnë një analizë të hollësishme të provave dhe materialeve të siguruara dhe më pas të vendosin nëse Frroku do të dërgohet në gjyq apo do të lirohet për mungesë të provave.
plako mos e ruj,ketu vrasin deputetin,ish minister,e varrosin urrgjent dhe si plas njeriu,jo me ti qe nje polic ishte