Ai kundërshtimi që u ngrit gjatë festimeve të 100 vjetorit kundër tendencës së qeverisë Berisha për të ndryshuar format dhe ngjyrat e simboleve kombëtare, nuk duhet të mbyllet me kaq. Ikën festat dhe çfarë? Problemi mbetet. Deri edhe në stemën e Republikës në Kuvend, ka shformime të shqiponjës, por kulmi ka arritur me targat e reja të makinave, ku flamuri nga fushë e kuqe me shqiponjë të zezë është bërë fushë blu me shqiponjë ta bardhë. Pyesim: Si është e mundur që të veprohet kështu me simbolin e kombit? Kaq të papërgjegjshëm janë ata që merren me këto punë? Si mund të ndryshohet kështu me ndonjë firmë zyrtari, një simbol që zë fill nga Pirro i Epirit, te Skënderbeu, te plaku i Vlorës Ismail Qemali, te Lufta Nacionalçlirimtare, pra që ka shoqëruar gjithë etapat e formimit tonë si komb e si shoqëri?
Letër e nënshkruar: Jonuz Karaulli