Policia e Burgut të Shënkollit ka sekuestruar dje 20 fishekë të destinuar për t’u futur në ambientet e brendshme, ndërsa u vu në pranga personi që i posedonte. Policia e Lezhës njoftoi se ka arrestuar 53-vjeçarin Nikoll Marvataj, ndërsa ndodhej në ambientet pritëse familjare të burgut, teksa kishte shkuar për të takuar në burg një të afërmin e tij, të cilit duket se do i dorëzonte “porosinë”. Gjatë kontrollit të bërë, ashtu siç është praktikë para se të takohen të dënuarit, në dhomën e detektorit, mes teshave dhe ushqimeve, u bë zbulimi i 20 fishekëve, që solli edhe arrestimin e Marvataj dhe shoqërimin e tij për të dhënë dëshmitë mbi këtë rast. Nuk dihet ende se çfarë do të bëhej me plumbat brenda qelive, ndërsa po vijojnë hetimet edhe për të dënuarin që do i merrte. Policia e Burgjeve ka nisur menjëherë një kontroll të befasishëm në ambientet e burgut, pasi dyshohet se të dënuarit mund të kenë siguruar edhe armë, qoftë artizanale, për të cilat u duheshin edhe fishekët. Gjithashtu hetohet nëse ka pasur ndonjë plan arratisje si në rastin e Drenovës më 23 nëntor të vitit të kaluar.