Enea Jorgji, gjyqtari i FIFA-s që gjykoi ndeshjen e luajtur në Kavajë, midis Besës e Laçit, ka bërë një gabim trashanik, duke anuluar penalltinë e Jetmir Sefës. Në minutën e 63-të të takimit, në rezultatin 1-0 në favor të Laçit, Jorgji akordon penallti për vendasit, duke i dhënë edhe kartonin e dytë të verdhë shkaktuesit të saj. Sefa gjuan dhe shënon, por Jorgji bën shenjë për një parregullsi dhe në mënyrë krejtësisht të gabuar ka sinjalizuar faull për Laçin. Një vendim në kundërshtim të plotë me Nenin 14 të Rregullave të Lojës, i cili përcakton mënyrën se si duhet të gjuhet penalltia dhe masat që merren në rast se nuk ndiqet procedura. Pas përfundimit të ndeshjes, Jorgji u ka thënë njerëzve të Besës se ka ndryshuar rregullorja, gjë që nuk është absolutisht e vërtetë. Në Nenin 14 thuhet qartësisht se, kur lojtari që gjuan penalltinë, apo një shok i tij, shkel procedurën, atëherë, në rast se topi përfundon në rrjetë, penalltia përsëritet. Në rast se topi nuk hyn në rrjetë, atëherë jepet goditje e lirë indirekt për skuadrën tjetër. Në Kavajë, cilido që ta ketë bërë gabimin para çastit të gjuajtjes, Sefa apo ndonjë tjetër lojtar i Besës, topi hyri në rrjetë dhe penalltia duhej të ishte përsëritur, gjë që Jorgji nuk e ka bërë. Vendimi i dhënë në këtë rast ka dëmtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Besën, pasi goli eventual në përsëritje do ta çonte rezultatin në barazim 1-1, ndërsa Laçi mbetej me një lojtar më pak. Pesë minuta më pas, miqtë shënuan edhe golin e dytë dhe ndeshja u duk e mbyllur, por në minutën e 83-të Jorgji akordon një tjetër penallti për Besën, shoqëruar gjithashtu me kartonin e dytë të verdhë për shkaktuesin e saj. Laçi mbetet me nëntë lojtarë, ndërsa Sefa këtë herë gjuan “siç duhet” dhe 1-2. Në superioritet të dukshëm numerik, Besa hidhet për të gjetur barazimin dhe e arrin atë në minutën e 90-të, me anë të Muriqit. Këtu vjen një tjetër karton i kuq për Laçin, që mbetet me tetë lojtarë. Kavajasit kanë përsëri ankesa, me pretendimin se Jorgji e mbylli menjëherë lojën, pa u konsumuar tri minutat shtesë. Mund të jetë edhe ashtu, por gjyqtari është kompetenti i vetëm i kohës dhe nuk mund të fajësohet. Për sa i përket penalltisë së anuluar, nuk ka asnjë shfajësim: Ishte një gabim skandaloz i Jorgjit.
Rregullat e Lojës
Neni 14
Nëse gjyqtari sinjalizon gjuajtjen e penalltisë dhe, para se topi të lëvizë, goditësi i penalltisë (ose një shok i tij) shkel Rregullat e Lojës:
• Gjyqtari lejon gjuajtjen e penalltisë
• Nëse topi hyn në rrjetë, gjuajtja përsëritet.
• Nëse topi nuk hyn në rrjetë, gjyqtari ndalon lojën dhe sinjalizon goditje të lirë indirekt në favor të skuadrës tjetër, në vendin ku është konstatuar shkelja.
Shikoni kur kemi presidentin e fshf qe nuk e njeh futbollin ç pret nga gjygjtaret qe ka vendosur ne futbollin tone te kthyer ne rrumpalle .