Dërguar me email
në adresën e redaksisë
Po të dëgjoje z.Ngjela kur ishte në një front opozitar me z.Rama, mendoje pa e zgjatur, se ai do të ishte një ndër kirurgët e vërtetë të Shqipërisë së sëmurë rëndë. Radikalizmi i tij për të shëruar Shqipërinë, vërtet të ndillte optimizëm asokohe. Po sot?
Ja çfarë thotë z.Ngjela: “…po i bie kapitalit me gjoba dhe me mjete të tjera represive, duke menduar gabimisht se kështu do të gjejë paratë për të ndenjur në pushtet. Qesharake. Informaliteti sot në Shqipëri është fenomen objektiv; dhe kush s’e kupton këtë, shkon te represioni shtetëror.”
Pra, në të kundërt të frymës dhe praktikës së mundimshme të Qeverisë së sotme e cila ka bërë dhe vazhdon të bëjë skanimin e trupit të mbushur me plagë të rënda nga rrumpalla berishiane dhe njëkohësisht ndërhyrjen me bisturi për të hequr kalbësirat nga trupi i Shqipërisë, z.Ngjela pajtohet me sëmundjen duke qenë njëkohësisht kontradiktor me Spartak Ngjelën e para 2 vjetësh. Përse ky ndryshim qëndrimi i z.Ngjela? Nga mos përfshirja e tij në ekipin e “kirurgëve” për të rilindur Shqipërinë? Në qoftë se po, si do besohej ky qëndrim i ri, kur, vendosjen dhe zbatimin e ligjit, ai e quan edhe më keq se vetë anarkia e mbjellë qëllimtas, apo nga injoranca e ish-pushtetarëve, me të cilët dikur z.Ngjela ishte ekstremisht i ashpër, deri edhe në thirrje për kryengritje popullore?
Jo z.Ngjela! Vendosja dhe zbatimi i ligjeve për një Shqipëri demokratike, për të dalë nga koma në të cilën ishte para 23 Qershorit, nuk është represion dhe as luftë ndaj kapitalit. Përkundrazi, është një frymëmarrje e re për rigjenerimin ekonomiko-social të së sëmurës Shqipëri. Rregulli bazë i një shoqërie demokratike në të cilën dëshirojmë të jetojmë, është konkurrenca. Në Shqipëri vidhej vota, pra shuhej konkurrenca politike. Në Shqipëri vidhet prona publike, pra shuhet konkurrenca ekonomike. Humbet ai që nuk vjedh, konkurrenca shuhet, duke shuar edhe frymëmarrjen ekonomike. Në shoqëritë demokratike konkurrenca është alfa, anarkia është e fundit, e cila edhe të fundos.