Vetëm pak vite nga vdekja e Muamar Gadafit, dalin në dritë të vërteta gjithnjë e më të pabesueshme mbi jetën private të diktatorit libian. Pas dëshmive për abuzimet e tij mbi qindra të mitur, në rrëfimet e atyre që e njohën nga afër, zbulohet figura e një lideri të obsesionuar pas pamjes fizike dhe nga armiqtë që mund t’i cenonin jetën. Një obsesion, që siç tregon kirurgu i besuar i Gadafit për “BBC”, e bënte kolonelin t’i nënshtrohej operacioneve pa anestezi të plotë. Liacya Ribeiro, mjek brazilian, specialist në kirurgjinë estetike me qendër në Rio de Zhaneiro, shpjegon se Gadafi i është nënshtruar ndërhyrjeve për “tërheqjen e lëkurës dhe transplant të flokëve”. Mjeku tregon se telefonohej në mes të natës dhe çohej në sallën e operimit ku Gadafi kërkonte të operohej pa anestezi. Dhe kështu “ndërhyrja estetike u realizua vetëm me anestezi të pjesshme sepse ai druhej se dikush mund ta vriste”, deklaron Ribeiro për “BBC”.
Në ndryshim nga tregimet e tmerrshme të disa prej viktimave të diktatorit libian, mjeku brazilian tregon se pjesa më e madhe e kujtimeve me Gedafin ishin te kendshme. “Ishte simpatik, por dëshironte të operohej në orën dy të mëngjesit”, thotë kirurgu duke shtuar se strukturat në tunelet e nëndheshme të pallatit të Tripolit ku zhvilloheshin ndërhyrjet kirurgjikale ishin të pajisura me gjithçka të nevojshme. “Ishte si një spital i madh i ndërtuar brenda një bunkeri”./D.Gj.